Grevistët e gjykatave dhe prokurorive: Qeveria nuk po interesohet për hallet tona

Aktuale

Grevistët e gjykatave dhe prokurorive: Qeveria nuk po interesohet për hallet tona

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 12:11
Grevistët e gjykatave dhe prokurorive

Sindikata e Punëtoreve të Judikaturës dhe punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive që kanë hyrë në grevë tash e pesë ditë, ankohen se Qeveria nuk po tregon interesim për zgjedhjen e problemeve të tyre.

Kryetari i Këshillit Grevist Naim Shala tha se në grevë kanë hyrë jo me dëshirë, por i ka obliguar vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave.

Duke i shpalosur katër kërkesat e tyre si punonjës,  ndër to edhe ngritja e pagave 100 për qind, Shala u shpreh se sa më shumë që greva të zgjasë, kërkesat drejt Qeverisë  do të shtohen.

Shala: Kërkesa jonë kryesore mbetet ngritja e pagave 100 për qind

“Kërkesë e jona kryesore është ngritja e të ardhura personale në shkallën 100 për qind, në këtë hap kemi shkuar nga fakti se po bëka me u ngrit të ardhurat në shkallën 100 për qind, pasi për dikën ka bërë me u ngrit 100 për qind atëherë mos të krijohet ndasi institucionale sepse përveç asaj që jemi të dëmtuar materialisht sigurisht që do jemi në një nivel të lartë të pa kënaqësisë dhe demotivimit për punët të cilat i kemi obligim t’i kryejmë. Kërkesë tjetër kemi që me ligjin mbi pagat që është një projektligj duke qarkulluar nëpër Qeveri me atë të rregullohet koeficienti për të gjithë administratën  gjyqësore dhe prokuroriale nga fakti se kemi specifika të veçanta në raport me administratën tjetër shtetërore”, tha Shala.

Sipas Shalës kërkesë tjetër punonjësit e administratës gjyqësore dhe prokuroriale kanë llogaritjen e përvojës së punës dhe status të veçantë.

Për dështimet e seancave për shkak të grevës së punonjësve, Shala u shpreh se vetëm sot mund të dështojnë rreth 147 seanca gjyqësore andaj presin që Qeveria të reflektoj nga kërkesave të tyre.

Shala: 147 seanca gjyqësore mund të dështojnë

“Asnjë ditë nga katër korriku e deri më sot nuk ka pasur numër të seancave më të vogël se 100 seanca po flas për gjykatën themelore, ndërsa sot e kam marr statistikën dhe seanca të caktuara janë plotë 147 seanca të caktuara që sipas gjitha gjasave duhet të dështojnë. Kjo është një diçka që vështirë kapërcehet, por unë besoj që do të troket në ndërgjegjen e qeveritarëve dhe të gjithë atyre që janë kompetent për zgjidhjen e këtij problemi”, tha ai.

Ndërsa, Naim Rrustemi në emër të Këshillit Grevist, u shpreh se vendimin për ngritjen e pagave nga Qeveria e Kosovës i ka ngulfatur pasi që janë bërë dallime të mëdha. Ai u shpreh se kërkesat e tyre i kanë dërguar tek organet kompetente, por që deri më tash asnjë përgjigje nuk kanë marrë.

Rrustemi: Me ngritjen e pagave na kanë ngulfatur

“Me ngritjen e pagave që ka bërë kryeministri dhe Qeveria ne administratën e gjykatave dhe prokurorive në njëfarë forme apo tjetër na kanë ngulfatur, sepse na kanë dalluar shumë në paga, na kanë dallua shumë sepse kur ne jemi me përvojë këtu ka punëtor me përvojë 30-40 vjet ne nuk e mbajmë mend se një rrogë e një gjyqtari apo prokurori është dallim me administratën deri në pesë rroga”, tha ai.

Sipas Sadri Lumnicës nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, vendimi për ngrijten e pagave dhe koeficienti në fuqi po i dëmton ata.

Ndryshe, sot është dita e pestë që punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive në Kosovë kanë hyrë në grevë më kërkesën kryesore për rritje të pagave 100 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat