Kur është presidenti aty, si të jem edhe unë, Haradinaj flet për dialogun me Serbinë

Aktuale

Kur është presidenti aty, si të jem edhe unë, Haradinaj flet për dialogun me Serbinë

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 12:13
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është i sigurt që vizat për qytetarët e Kosovës do të hiqen sivjet, ndërsa ka qenë optimist edhe për pjesën tjetër të rrugëtimit europian, pas kthimit nga Samiti i Londrës.

Sa i përket fazës finale të dialogut me Serbinë, ai ka nënvizuar se megjithëse nuk synon që fizikisht të jetë pjesë e procesit, ai është i përfshirë në të si shef qeverie – ndërsa ka theksuar se nuk është për formate të gjera si Ekipi i Unitetit.

“Po(vizat do të hiqen). Nëse do të kalonte tash në komision, atëherë do të kalonte në seanca të parlamentit para fundit të verës. Mendoj që na duhet një lobim më intensiv që procedurat në komision të kryhen më shpejtë. Nëse shtyhet kalimi në parlament për vjeshtë do të jetë më vështirë, sepse do të nisë fushata zgjedhore atje”.

“Kosova i është mirënjohëse BE-së dhe vendeve tjera për ndihmën që i kanë dhënë në siguri, sepse lufta është ndërprerë ashtu. Sot ne jemi të gatshëm të kemi partneritet për këto tema me ato vende. Pra nuk jemi ata që vetëm kërkojnë, por jemi të gatshëm edhe për partneritet. Është me rëndësi të ceket që nikoqiri ishte shumë i kujdesshëm ndaj nesh. Kujdes të veçantë ndaj Kosovës kanë treguar pothuaj të gjithë ata që ishin në samit. Dy takime shumë të rëndësishme ishin me kancelaren gjermane. Angela Merkel dhe atë austriak Sebastian Kurz. I falënderoj të dy, sepse këto ishin të vetmet takime bilaterale të tyre në këtë samit. Neve na mbetet liberalizimi i vizave”.

“Kosova nuk duhet të kthehet në periudhën e para-shtetësisë. Nuk mund të dalim tash me formula tjera. Nuk na pranon ashtu askush. Për këtë arsye u kam bërë thirrje partive opozitare që ta kenë parasysh këtë gjë”.

“Kur është presidenti është si të jem edhe unë. Unë nuk mund t’i ushtroj funksionet e presidentit apo kryeparlamentarit, por jam pjesë e tyre si pjesë e institucioneve. Ndoshta nuk do të marr pjesë fizikisht, por i jap mbështetje këtij procesi”.

“I kam informuar për zhvillimet në Samitin e Londrës, për takimet bilaterale. Ne duhet të jemi shumë të koordinuar, sepse Serbia është po ashtu mirë e koordinuar. Ne duhet akoma ta ngrisim shkallën e bashkëpunimit të brendshëm”.

Kryeministri ka folur edhe për grevën e zjarrfikësve dhe çështjen e Trepçës, duke deklaruar me shaka se ato i kanë thirrur vet, kur kanë nisur të hapin tema të cilat nuk janë trajtuar me vite të tëra.

“Ne vet i kemi thirrur grevat. Sepse kemi çelur tema. Zjarrfikësit deri sot janë tallur nga krejt qeveritë sepse i kanë lënë edhe me komuna edhe me nivel qendror. Mirë bëjnë që hyjnë në greva. Kështu na i kujtojnë temat. Edhe për Trepçën po punohet. Ligji për pagat po ashtu është zhvillim i rëndësishëm në vend”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat