PSD me seancë të jashtëzakonshme tenton ta ndalë Thaçin të shkojë në dialog

Aktuale

PSD me seancë të jashtëzakonshme tenton ta ndalë Thaçin të shkojë në dialog

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 17:33
Visar Ymeri

Partia Socialdemokrate e Kosovës, po synon që përmes një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës t’ia bëjë të qartë të gjithëve se presidenti Hashim Thaçi nuk është i mandatuar për të shkuar në dialog me Serbinë.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka thënë për KosovaPress, se përmes kësaj seance po synojnë ta ndalojnë që kreu i shtetit të shkojë në dialog me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, që është paralajmëruar me datën 18 korrik.

Ymeri: Duam t’ia bëjmë me dije presidentit se nuk ka mandat për dialogun

“Po është e qartë që tashmë këto takimet në mes të presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë Vuçiq janë shpeshtuar goxha shumë edhe ne përmes kësaj seance të jashtëzakonshme të cilën po synojmë ta bëjmë bashkë me LDK-në dhe LVV-në, duam që të diskutojmë në Kuvendin e Kosovës dhe të qartësohet se aktualisht Hashim Thaçi edhe pse është president i Republikës nuk ka mandat për sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë. Në anën tjetër nuk ka as platformë, nuk ka as substancë për këtë dialog dhe më keq se kaq në këto takime që po i bënë me Aleksandër Vuçiqin asnjëherë nuk ka treguar institucionalisht e as publikisht për atë se çfarë apo çka ka folur dhe për atë se pse po shkon dhe në emër të kujt po shkon”, tha Ymeri.

Me tutje Ymeri shton se kjo seancë ka për qëllim edhe të diskutojë për platformën shtetërore për procesin e dialogut dhe udhëheqjen ta marrë Kuvendi dhe të arrihet një unitet mbarë shoqëror për këtë proces.

Ymeri: Kuvendi duhet të jetë udhëheqësi dhe vendimmarrësi kryesor në dialog

“Pra, së pari se si duhet organizuar kjo fazë e dialogut dhe për çfarë duhet folur dhe për çka nuk duhet folur me Republikën e Serbisë, cilat janë vijat e kuqe të Kosovës, sepse domosdoshmërisht duhet të kemi vija të kuqe në këtë proces të dialogut dhe pastaj edhe kush do duhej të udhëhiqte këtë proces të dialogut. Kush do duhej të ishte përfaqësimi i Kosovës në këtë proces të dialogut. Gjithnjë duke marrë parasysh që rolin udhëheqës dhe vendimmarrës duhet ta ketë Kuvendi i Kosovës. Seanca e jashtëzakonshme ka për qëllim pra, që edhe ta dëshmoj e ta publikoj, e ta qartësoj se aktualisht Hashim Thaçi nuk ka mandat për një gjë të tillë dhe në anën tjetër duhet të diskutojmë domosdoshmërisht për substancën, pra platformën shtetërore, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës t’i ravijëzoj vijat e kuqe dhe kornizën e diskutimeve me Serbinë”, theksoi ai.

Numri dy i PSD-së vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë me dy të tretat e deputetëve platformën shtetërore sa i përket dialogut dhe vetëm pastaj të flet për përfaqësimin në këtë dialog,  i cili po ashtu duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve. Sepse sipas tij, vetëm kjo siguron legjitimitet të këtij procesi.

Ymeri: Duhet një komision që mbikëqyr dialogun

“Kështu edhe e sigurojmë që do të kemi legjitimitet për procesin e dialogut dhe në anën tjetër përmes pikës së katër themelimit të një komisioni që do ta mbikëqyr procesin e dialogut Kuvendi i Kosovës e merr përgjegjësinë për ta mbikëqyr këtë proces në secilën fazë në mënyrë që t’i parandaloj çfarëdo dëmi që mund t’i shkaktohet Kosovës qoftë në aspektin e sovranitetit, qoftë në aspektin e kontrollit mbi territorit dhe kufijtë qoftë mbi aspektin e dinamizimit të funksionimit të brendshëm shoqëror e politik”, u shpreh Ymeri.

Këtë nismë të PSD-së, Ymeri tha se po pret ta mbështesin edhe dy partitë tjera opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat