Kuvendi ka edhe mbi 100 projektligje që duhet miratuar këtë vit

Aktuale

Kuvendi ka edhe mbi 100 projektligje që duhet miratuar këtë vit

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 23:11
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka një kohë të gjatë që po përballet me mungesë të kuorumit. Kështu shumë projektligje që janë në rend dite nuk po mund të miratohen për shkak të numrit të vogël te deputetëve të pranishëm në seancë.

Monitoruesja e Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu, në një prononcim për media ka thënë se shumë pika të rendit të ditës nuk janë duke u shqyrtuar në ditën kur po planifikohet nga Kryesia dhe zvarritja e tyre po ndikon në stërngarkim të rendit të ditës së seancave.

Sipas saj,  këto gjëra kanë bërë që Kuvendi për nga ushtrimi i funksionit ligjvënës të jetë e dobët.

“Kuvendi i Kosovës këtë legjislaturë është përballur vazhdimisht me mungesë kuorumi, por që si problematikë ka qenë dukshëm më e theksuar në vitin 2018, çka edhe ka pamundësuar funksionimin normal të këtij institucioni. Shumë pika të rendit të ditës nuk janë duke u shqyrtuar në ditën kur po planifikohet nga Kryesia dhe zvarritja e tyre  po ndikon në stërngarkim të rendit të ditës të seancave. Caktimi i seancave plenare në kohën kur komisionet kanë paralajmëruar mbajtjen e takimeve të tyre po shkakton mungesë kuorumi në të dy anët. Në njërën anë, Kryesuesi i seancës shpesh herë është detyruar të ndërpres seancën ose ta shtyj votimin e ndonjë pike të caktuar për një ditë tjetër për mungesë të kuorumit. Ndërsa në anën tjetër, shumë prej takimeve të komisioneve janë anuluar në momentin e fundit për shkak që deputetët kanë qenë në seancë. Kjo ka ndikuar që performanca e Kuvendit për nga ushtrimi i funksionit ligjvënës të jetë e dobët”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndryshe, Haxhiu thotë se janë edhe mbi 100 projektligje të cilat janë në agjendën legjislative për vitin 2018.

“Për vitin 2018, Kuvendi ka arritur që të miratojë vetëm 27 ligje, prej të cilave 11 janë miratuar me procedurë të përshpejtuar meqë kanë qenë të parapara në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane.  Nga agjenda legjislative për vitin 2018, në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare janë edhe 55 projektligje ndërkaq 62 te tjera ende nuk janë përgatitur nga sponzorizuesit e tyre”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, vetëm në seancën që është mbajtur të premten e kaluar ishin paraparë për miratim gjithsej 8 projektligje, dhe në mungesë kuorumi asnjë nga to nuk është hedhur në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat