750 mijë euro në muaj për pagat e qeveritarëve

Aktuale

750 mijë euro në muaj për pagat e qeveritarëve

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 16:42
Ilustrim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, sqarime lidhur çështjen e vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për zyrtarë qeveritarë.

Haxhiu kërkoi nga ministri i Financave, Bedri Hamza, që të tregojë sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës një vendim i tillë.

Haxhiu: Tek cila kategori e keni marrë buxhetin?

“Ajo çka neve na ka shqetësuar ka të bëjë me hipokrizinë e ministrit të financave, për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka pyetur Ministrinë e Financave, se a është përfshirë vendimi për rritjen e pagave në buxhetin për vitin 2018, dhe zotëri ministër, mos manipuloni, ai vendim nuk ka qenë i përfshirë, me buxhetin e vitit 2018 nuk keni paraparë t’i rritet kryeministrit paga dyfish, ju i keni marrë diku, a na shpjegoni ku i keni marrë, te cila kategori?”, tha ai.

E ministri Hamza fillimisht u përgjigj për deklaratën e deputetes që i tha se ka bërë hipokrizi.

Tutje, Hamza tha se janë organet e drejtësisë ato që e përcaktojnë vendimin se a është i ligjshëm ose jo.

Hamza: Nuk e përcaktojmë ne vendimin e pagave, janë organet e drejtësisë

“Ato janë konstatime tua, a është vendim i ligjshëm a jo nuk je ti apo unë ai që e përcaktojmë, e përcaktojnë organet tjera, dhe nuk përzihemi në punën e organeve tjera. I ke lexuar me kujdes përgjigjet e Ministrisë së Financave dhe brenda përgjigjes janë saktë të konstatuara. Nëse me përcolle me kujdes, e thash, 750 mijë euro është masa mujore deri në ditën që unë po raportoj në Kuvend. 750 mijë herë (X) 12 muaj, vjen te shuma vjetore.  Dhe e thash, për hir të korrektësisë se ashtu është, disa organizata buxhetore, disa ministri të linjës që unë nuk kam të drejtë me hy në arsyetimet e tyre pse, nuk i kanë sjellë listën e pagave, duke përfshirë vendimin e fundit të Qeverisë për rritjen e pagave”, tha ai.

Hamza tha se deri më sot janë shpenzuar 294 milionë euro për paga  e që sipas llogaritjes së Hamzës edhe ato të gjashtë mujorit të dyte bëjnë 588 milionë euro.

Hamza: Kaq para janë harxhuar për paga

“Ky është realiteti deri më sot kur po raportoj unë në kuvend, janë shpenzuar më pak se 294 milionë euro tek masa e pagave, dhe nëse janë më pak se 294 milionë euro edhe gjashtëmujorit të dytë bëjnë 588 milionë euro, e në masën e pagave janë 592 milionë euro duke përfshirë edhe të hyrat vetanake që janë bartë tek masa e pagave. Me trendin aktual të shpenzimit të masës së pagave ky vendim do të përfshihet brenda masës së pagave. Sa i përket çështjeve tjera është punë e organeve të drejtësisë”, shtoi Hamza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat