Pas Thaçit, edhe Haradinaj e quan të dhimbshme marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Aktuale

Pas Thaçit, edhe Haradinaj e quan të dhimbshme marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Më: 24 korrik 2018 Në ora: 15:45
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kompromisi më i dhimbshëm që Kosova do të bëjë me Serbinë, është njohja reciproke, që sipas tij nënkupton një lloj falje.

Këto komente Haradinaj i ka bërë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, ku ai tha se jo që falen krimet në aspektin ligjor, por është një lloj falje nga momenti i njohjes reciproke.

Haradinaj: Nuk ka kompromis më të dhimbshëm se fakti i njohjes me Serbinë

“Nuk ka kompromis më të dhimbshëm besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm se fakti i njohjes me Serbinë nënkupton  një lloj falje, pra kur njihemi reciprokisht, pra është kompromis i dhimbshëm për Krushën, për Mejën, për të gjitha këto vende, pra ky është kompromisi i dhimbshëm. Jo se falen krimet  në aspektin ligjor, por është një lloj falje, një lloj pajtimi nga momenti i njohjes reciproke, i lidhjes së marrëdhënies me Serbinë. Pra, është një lloj kalimi nga ajo dhimbje e nga ato vuajtje që ka kaluar populli jonë, ne e dimë që gjysma e popullit ka qenë e zhvendosur jashtë vendit, brenda vendit e dini si ka shkuar ekonmitë familjare, viktimat, dëmet. Mbi të gjitha këto kalojnë, pra ky është një kompromis i dhimbshëm për Kosovën. Ky është më i madhi dhe më kryesori, si dhe më i vështiri për popullin e Kosovës me kalua mbi këtë”, tha Haradinaj.

Kurse, i pyetur se kur do të fillojë rishikimi i kufirit me Malin e Zi, kreu i Qeverisë tha se ka kohë për vendosjen e gurëve. Kjo sipas tij për shkak të fokusimit që kanë tek liberalizimi i vizave.

Haradinaj: Kemi kohë për vendosjen e gurëve

“Kemi kohë për vendosjen e gurëve, pra nuk janë vendosur gurët, nuk është shënuar kufiri, kohën përpara po e shfrytëzojmë me përmbyllë procesin e liberalizimit të vizave. Pra, kemi  interes të mos i përziejmë këto dy tema, po na intereson një herë me krye temën e liberalizimit, kur lirohemi me këtë temë do t’i kthehemi kësaj. Është interes i yni i Kosovës, pra për hatër tanin, për hatër të qytetarëve tanë  mos t’i përziejmë temat. Nuk po dëshirojmë të dërgojmë mesazhe se ajo temë nuk është zgjidh, ajo temë është zgjidh, kemi dakordim për korrigjim, por një herë po dëshirojmë ta kryejmë punën e liberalizimit”, tha ai.

E të njëjtën përgjigje kreu i Qeverisë pati edhe kur u pyet se kur do të bëhet demarkimi i kufirit me shtetin serb.

Madje ai tha se deri më tani nuk kanë diçka konkrete sa i përket demarkimit me Serbinë.

Haradinaj: Nuk kemi diçka konkrete në këtë kohë sa i përket demarkimit me Serbinë

“Fokusimi ynë nuk ka me u heq  are nga përgjegjësitë tona në rend dhe ligj dhe në asnjë variant nuk do ta rrezikojmë liberalizimin e vizave. Qeveria e vendit, Kosova nuk e ka luksin me e heq vëmendjen nga kjo temë, do të mbesim në temë. Për këtë arsye thash që nuk do t’i përziejmë temat e demarkimit me temën përpara. Sa i përket Serbisë, komisioni Shtetëror i Kosovës ekziston, është i kryesuar nga profesor Bulliqi, ky komision ekziston për çdo temë të kufijve dhe kurdo që kjo temë është në tavolinë, ne jemi të gatshëm me e trajtua me respektin më të madh. Por, nuk kemi diçka konkrete në këtë kohë sa i përket demarkimit me Serbinë”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur se a do të ketë rishikim të buxhetit, Haradinaj tha se nuk ka lindur nevoja për rishikim dhe nuk do të ketë. Ai tha se në fillim të tetorit ekziston mundësia e rialokimit të mjeteve që nuk kanë shkuar në dedikimin e vet.

***

Kryeministri, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për kompromiset e dhimbshme me Serbinë që po përfliten të ndodhin në fazën e fundit të dialogut.

Haradinaj ka thënë se kompromisi i dhimbshëm është njohja reciproke për shkak të asaj që ka bërë Serbia në Kosovë.

Sipas tij kjo nuk nënkupton falje ligjore për krimet e Serbisë, por është e rëndë për popullin e Kosovës të kalojë në një gjendje të njohjes reciproke me Serbinë.

Më pas kryeministri ka folur edhe për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi ku është shprehur se ka kohë pasi tani janë të fokusuar në liberalizmin e vizave, që ky proces, sipas tij, do të përfundojë shpejt.

Haradinaj ka thënë se këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat