Ambasadorja e Britanisë në OKB ka një thirrje për Kosovën dhe Serbinë

Aktuale

Ambasadorja e Britanisë në OKB ka një thirrje për Kosovën dhe Serbinë

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 12:36
Ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce

Ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos merren tepër me çështjet e taktikave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke thënë se të dyja palët me ndihmën e BE-së duhet të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve, pasi kjo është mënyra e vetme që të avancojnë në integrimet evropiane.

"Unë dua të inkurajoj të dyja palët që të mos angazhohen shumë në aspektin e taktikave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por t'i drejtohen qëllimeve më të larta dhe të bëjnë çdo përpjekje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për të normalizuar marrëdhëniet", tha Pierce në një konferencë shtypi pas sesionit të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nën kryesimin e Britanisë.

E pyetur nga gazetarët për heqjen e raportit të rregullt të UNMIK-ut nga agjenda e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin gusht, Pierce tha se Këshilli i Sigurimit duhet të përqendrohet në çështje më urgjente të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe se çështja e Kosovës, megjithëse ende shumë e rëndësishme, çështja nuk ka më intensitet si në vitin 1999.

Britania e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore kanë avokuar për një ndryshim në formatin dhe dinamikën e seancave mbi Kosovën, si dhe për zvogëlimin e buxhetit të UNMIK-ut, duke argumentuar se situata në Kosovë nuk përbën një kërcënim real për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Beogradi beson se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur dhe se situata në terren tregon domosdoshmërinë e pranisë së mëtejshme dhe angazhimit të fushës së pakufizuar të UNMIK-ut dhe mandatit të pandryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat