Kambanat e priftit Janjiq, a do të dështojë skenari i 5 gushtit në veri? - Bota Sot
Kambanat e priftit Janjiq, a do të dështojë skenari i 5 gushtit në veri?

Aktuale

Kambanat e priftit Janjiq, a do të dështojë skenari i 5 gushtit në veri?

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 15:29
Mitrovicë

Një skenar i errët, gjoja i paraparë të ndodhë të dielën, fillimisht u duk si deklaratë boshe e priftit serb Sava Janjiq. Por, po del të ketë diçka. Të paktën për një gjë të tillë po mobilizohen mirë autoritetet e sigurisë në vend. Për këtë, policëve të Kosovës u janë ndërprerë pushimet. Haradinaj në Prishtinë, e Vuçiqi në Beograd, kanë thirrur mbledhjet e Këshillave të Sigurisë. 

“Këto nuk janë thashetheme çnjerëzore, por informata që i kemi marrë”, insistonte qysh në fillim të deklaratës së tij, të para disa ditëve, Sava Janjiq. Duke u deklaruar tutje, u kuptua se ai po pretendonte se serbët dhe kosovarët po përgatisnin një skenar të errët, për të çuar në trazira situatën mes dy etnive në veri të Kosovës. 

“Flitet haptas për shpalljen më 5 gusht, në kundërshtim me dialogun, të njëfarë autonomie të veriut, pas kalimit të afatit për Asociacionin (AKS-së), që do të duhej të provokonte ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe të forcave ROSU, sipas skenarit të ngjashëm si në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit”, ka thënë murgu i manastirit të Deçanit, në një intervistë për “Danas” në Beograd. 

“Përralla fashiste” i emërtoi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deklarimet e priftit serb. Nuk është se u duk t’i ketë parë aq serioze këto pretendime të murgut të manastirit të Deçanit, as homologu kosovar i Vuçiqit, presidenti Hashim Thaçi. 

Megjithatë, ky i fundit, të premten në një konferencë tha se “çdo provokim që ndodh në veri nuk ndodh pa miratimin e Beogradit”. 

Madje, Thaçi edhe dha një paralajmërim: “Potencoj që institucionet e Kosovës do ta respektojnë në tërësi Kushtetutën e Kosovës”, tha kreu kosovar. 

E për të respektuar Kushtetutën, për të qenë në detyrë, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u është urdhëruar kthimi nga pushimet. 

Plani operativ i Policisë kosovare ka paraparë mobilizim të të gjithë pjesëtarëve të saj të uniformuar. Aplikimi i këtij plani operativ ka nisur gjatë kësaj jave, derisa mobilizimi kryesor është bërë për vikendin kur të shtunën përfundon afati për dakordime rreth draftit për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa për të dielën është paralajmëruar shpallja e një lloj autonomie të serbëve që jetojnë në Kosovë. 

Kthimin në punë të pjesëtarëve të saj e ka konfirmuar drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës, përmes zyrës së saj për informim. 

“Policia e Kosovës sipas planifikimeve të saj operacionale ndërmerr edhe veprime të planifikimit të burimeve të saj njerëzore për realizimin e detyrave zyrtare në mënyrë sa më efikase”, thuhet në përgjigjen e PK-së. 

Gazeta Express ka mësuar se autoritetet e sigurisë në Prishtinë kanë marrë informacione për disa veprime jokushtetuese që po planifikojnë grupet paralele të serbëve në Kosovë t’i ndërmarrin gjatë vikendit në Kosovë. 

Planet e këtyre grupeve paralele - për të cilët dyshohet që në të kaluarën se janë gjithmonë nën urdhrat e Beogradit zyrtar - sipas informacioneve që kanë autoritetet kosovare të sigurisë janë për destabilizimin e veriut të Kosovës përmes tentimeve për të shpallur një lloj autonomie të dielën e 5 gushtit. 

Të njëjtat burime të Mediave, brenda autoriteteve të Policisë, tregojnë se institucionet kosovare kanë informacione se Beogradi po planifikon që këtë situatë ta arrije përmes mobilizimit për protesta të të gjithë serbëve që banojnë brenda territorit të Kosovës. Krejt kjo, në mënyrë që ato të nxisin reagimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, e që më pas do të mundë të çonte në dhunë dhe konflikt mes dy palëve të dy etnive të ndryshme. 

E gjitha kjo, një ditë pasi skadon afati i fundit për dorëzimin e draftit për themelimin e asociacionit të komunave serbe. 

Pak a shumë, i njëjti “skenar” që pak ditë më parë e dha Sava Janjiqi, e të cilin “përrallë fashiste” e quajti Vuçiqi. 

Ndërkohë, mobilizim për një gjendje jo fort të zakonshme është parë të premten edhe nga ana e krerëve të shtetit. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur në zyrën e tij, në një takim urgjent Këshillin e Sigurisë së Kosovës. 

Sipas rendit të ditës, Haradinaj ka kërkuar nga shefi i AKI-së, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, dhe anëtarët tjerë të këtij këshillit që t’i japin një vlerësim për gjendjen e sigurisë në vend. 

"Kam kërkuar rritjen e gatishmërisë nga institucionet e vendit, në rast të çfarëdo prishje”, tha Haradinaj pas takimit që ka thirrur në orën 13:00, duke vlerësuar tutje se “Gjendja është e qetë dhe stabile”. 

“Të gjithë duhet të ndihen të sigurt", ka shtuar i pari i ekzekutivit.

Krejt pak orë pasi përfundoi takimi i Këshillit kosovar të Sigurisë, në Beograd Aleksander Vuçiq e thirri për të shtunën në mëngjes, një të ngjashëm me anëtarët e këshillit të Sigurisë së Serbisë. 

Ndryshe, krejt këto zhvillime po ndodhin ndërkohë se në Kosovë dhe Serbi, opinioni publik ka nisur të diskutojë për mundësinë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve mes vendeve - apo siç parapëlqen ta quajë Hashim Thaçi “korrigjim të kufijve” – në Bruksel, gjatë arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...