“Miqtë e Amerikës” kërkon 10 vende në Kuvend për diasporën

Aktuale

“Miqtë e Amerikës” kërkon 10 vende në Kuvend për diasporën

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 11:15
"Miqtë e Amerikës"

(E plotësuar) - Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka kërkuar që institucionet e Kosovës të bëjnë ndryshimet e duhura në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet përkatëse në mënyrë që t’ua mundësojë bashkatdhetarëve dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, përmes një konference për media, me temën “Diaspora, aset shumë i rëndësishëm i shtetit të Kosovës”, ka thënë se për t’ua kthyer mundin dhe sakrificën mërgatës kosovare duhet t’ua mundësojnë përfaqësimin në institucionin me të lartë ligjvënës në Kosovë.  

Sipas Rexhepit, arsyeja pse po i propozojnë vendet e rezervuara është se ata vet duhet t’i propozojnë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në institucionet e Kosovës, meqë i dijnë më së miri.

Rexhepi: Bashkatdhetarëve tanë t’ua ndajmë së paku 10 vende në Kuvendin e Kosovës

“Ne mendojmë që për t’ua kthyer nderin dhe respektin tamam siç thotë populli, është e udhës që të fillohen ndryshimet dhe bashkatdhetarëve tanë t’ua ndajmë së paku 10 vende në Parlamentin e Kosovës. Por, mendojmë pse mos të veproj në këtë mënyrë edhe Republika e Shqipërisë sepse kemi një diasporë të madhe që nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Bashkatdhetarët tanë për shumë vite kanë derdhur mall, lot, djers e lobim prej vendeve nga vijnë, por njëherësh para luftës me mjetet e tyre është mbajtur gjallë pushteti paralel në Kosovë. Edhe sot fal mjeteve që derdhen nga bashkatdhetarët tanë mbushet arka e shtetit”, tha Rexhepi.

Sipas statistikave,  të regjistruar, sipas Rexhepit janë 400 mijë bashkatdhetarë, ndërsa numri i tyre vlerësohet të jetë diku mbi 700 mijë bashkatdhetarë vetëm nga Kosova.

Rexhepi ka vlerësuar se përzgjedhja e përfaqësuesve të mërgatës kosovare është e thjeshtë, cilido që merr vota me së shumti ai edhe merr mandatin e deputetit. Derisa, ka propozuar që bashkatdhetarët në SHBA t’i kenë dy deri në tri vende në Kuvend.

Rexhepi: Bashkatdhetarët në SHBA t’i kenë dy apo tri vende

“Mënyra se si do të zgjidheshin deputetët nga diaspora mendoj që do të ishte një çështje teknike dhe varësisht nga numri i bashkatdhetarëve në një shtet, regjion apo kontinent të përcaktohen shifrat nga institucionet shtetërore. Nuk do mend që një ekskluzivitet me dy apo tri vende e meritojnë bashkatdhetarët me qëndrim në SHBA. Arsyeja është e thjeshtë, sepse aty vendoset fati i popujve të botës, andaj neve na nevojitet një intencë që të fuqizojmë ata bashkatdhetar tanë, që ata t’i paraqesin shqetësimet nga atje, por edhe nga këtu të bëjmë edhe propozime konkrete në SHBA. Njëkohësisht në këtë mënyrë i stimulojmë që të punojnë me shumë për çështjen e Kosovës”, theksoi ai.

Sipas Rexhepit ndarja e vendeve për mërgatën kosovare nuk do t’i ndante bashkatdhetarët, pavarësisht se ka të organizuar në parti të ndryshme. Mirëpo, ai thotë se kjo do të zgjidhej lehtë pasi ai që do të merrte vota me së shumti do të përfaqësonte diasporën.

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka përgatitur edhe nga një dhuratë modestë për bashkatdhetarët të cilat do t’ua shpërndaj gjatë kësaj vere. Në këtë dhuratë është një bllok shënimi, një bexh, fletëpalosje me statistikat e numrit të bashkatdhetarëve në botë dhe një fletëpalosje me aktivitetet e shoqatës.

Shoqata "Miqtë e Amerikës" konferencë për media (Drejtpërdrejt)

Shoqata "Miqtë e Amerikës” organizon konferencën me gazetarë me teme 'Diaspora aset shumë i rëndësishëm i shtetit të Kosovës - Propozimi konkret i yni që diasporës t’i rezervohen 10 ulëse në Parlamentin e Kosovës'.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat