Sali Berisha flet për Rugovën e akuzat e Thaçit, jep alarmin: Kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”

Aktuale

Sali Berisha flet për Rugovën e akuzat e Thaçit, jep alarmin: Kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 21:04
Ish-kryeministri Sali Berisha

(E plotësuar) - Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së në Parlamentin e Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se ka ndihmuar në stërvitjen e dhjetëra e qindra luftëtarë të UÇK-së mes të cilëve ishte edhe Adem Jashari.

“Së pari është UÇK. Në vitin 1992, kur unë jam bërë president i këtij vendi, në Shqipëri janë stërvitur me dhjetëra e qindra luftëtarë të UÇK, që të gjithë nën kujdesin dhe ombrellën e Qeverisë së Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit Bujar Bukoshi, që kishin ministër Mbrojtje, shef shërbimesh të fshehta. Midis të tjerëve, nga ata që kam takuar, është i dokumentuar, edhe komandanti Adem Jashari, në atë kohë ai nuk ishte një legjendë siç është sot”, ka thënë Berisha.

I pyetur nëse ishte arrestuar Adem Jashari, Berisha shprehet se është një trillim.

“Absolutisht jo kurrë, kurrë ndonjëherë. Është e tëra trillim i atyre që janë arrestuar për motive të tjera”.

Berisha duke u përgjigjur në pyetjen nëse ishte arrestuar Hashim Thaçi, ai tha se askush nga Kosova nuk është arrestuar për veprimtari çlirimtare.

“Nuk kam parasysh këtë. Shiko, për një gjë të siguroj, asnjë shqiptar i Kosovës në këtë vend nuk është arrestuar dhe nuk mund të arrestohet për veprimtari të UÇK, për veprimtari çlirimtare të Kosovës, kjo kurrën e kurrës. Për të tjera, n.q.s. ti shkon në diskotekë ta zëmë, nuk është rasti por po e marr si shembull, dhe bënë grushte e tjera tjera, aty rendi është rend, por për veprimtari politike asnjë kurrë”.

Deputeti i PD-së nuk e ka mohuar takimin me Bullatoviqin në vitin 1993, por ka thënë se ata nuk kanë kërkuar lehtësira për embargon e naftës.

“Jo, nuk ka kërkuar. Jo ata nuk kanë kërkuar absolutisht, domethënë ata erdhën të trembur. Të them të vërtetën tashti, erdhën më shumë për një fqinjësi të mirë, por tashti mos të hy në atë se i kam prit si zot shpie. Por ata, jo, ata nuk kërkuan naftë”, tha Berisha, duke shtuar se dëshmitar i gjallë është Milo [Gjukanoviq].

“Jo nuk kërkuan naftë… absolutisht, asnjëherë. Është Milo gjallë tani, se s’di ku është Bullatoviqi. Nuk kanë kërkuar, kanë ardhur me Milon, kanë qenë te dy bashkë, por s’kanë kërkuar naftë.. dhe nuk kanë kërkuar. Kemi kapur një tanker që e fusnin në liqenin e Shkodrës, ia kemi shkatërruar kontrabandisteve dhe kjo është e gjithë legjenda. Ato janë në OKB, në qoftë se Shqipëria shkelte embargon, në mënyrë të vullnetshme, Shqipëria vendosej nën sanksione, por Shqipëria ka luftuar me efiçencë kundër kontrabandës dhe respektimin e embargos, kontrabandën zero nuk e ka asnjë vend i botës”.

Takimin me Arkanin dhe ardhjen e tij në Shqipëri, Berisha i konsideroi shpifje të kuzhinës së shërbimeve të fshehta serbo- shqiptare.

“S’kam zhvilluar kurrë takim me asnjë serb, asnjëherë, përveç takimeve ndërkombëtare. Kjo është e vërteta”.

“Ky është vetëm një trillim i kuzhinës së shërbimeve të fshehta serbo- shqiptare që bashkëpunojnë bashkë. Arkani të strehohej! Po pse të strehohej Arkani? Arkani vriste e priste në Kosovë, pse, si do strehohej Arkani?”

Sa i përket komentit të Thaçit për “strehimin e Arkanit”, Berisha u shpreh se “duhet të jesh shumë naiv dhe të mendosh se ai mund të kërkonte shpëtim në Shqipëri”.

“ Tani zotëri, do flas e do e mbyll unë këtë punë por kurrën e kurrës. Kurrë ndonjëherë. E kam dëgjuar për herë të parë këtë shpifje, mund të ketë 5-6 vjet, që i është thënë kjo gjë dikujt, dhe unë kam ngelë.., kurrë s’mund të vinte. Ai ishte njeriu më gjakësor në Kosovë, dhe si, kush mund të… Duhet të jesh shumë naiv dhe të mendosh se ai mund të kërkonte shpëtim në Shqipëri ose strehë në Shqipëri”.

Në këtë intervistë, Berisha thotë se nuk ka asgjë personale me Thaçin, madje nuk i jep atij këshilla pa i kërkuar.

“Së pari Sali Berisha nuk i ka dhënë këshilla kujt, se këshilla u jap atyre që kërkojnë, kush më kërkon këshillë i jap mendimin. Sali Berisha ka bërë denoncime. Ato çka unë kam publikuar ato janë denoncime. Këshillat janë për zotin Mustafa, që erdhi në takim dhe unë diskutova me shumë preokupim për gjendjen e shqiptarëve në Luginë. Diskutuam. I thashë se në shtator do marr nismën që të kemi një zë në buxhetin e Shqipërisë për Luginën. Uroj që edhe Kosova ta merr një të tillë, se u takuan dy qeveritë dhe dhanë nga 50 mijë euro. U këputën, dhanë 50 mijë euro për Preshevën, që ishte qesharake.. Dhe pjesët e tjera natyrisht janë që të gjitha denoncime dhe nuk kanë lidhje fare me këshilla”, thotë Berisha, ndërsa akuzat tjera i quan mbetje te kuzhinës së Beogradit.

“Së dyti, për sa i përket të gjithë këtyre të tjerave, nuk ka mjerim më të madh se të përpiqesh të pastrosh fytyrën me mbetjet e kuzhinës së Beogradit, kjo është e vetmja përgjigje që kam”, deklaroi më tej ish kryeministri Berisha.

*****************

Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së në Parlamentin e Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se nuk ka gjë më antishqiptare se të mendosh se duhet të marrim Preshevën e të japim Mitrovicën.

Berisha, në intervistën dhënë ka thënë se tezat e Thaçit për kufij janë tregti e pastër.

“Jo, nuk merrem me lojëra fjalësh, ajo është më e keqe do dalë unë edhe aty. Ajo është akoma më keq, ajo është tregti e pastër. Shiko, Beogradi ka një gjë. Do të lexosh Beogradin, duhet të lexosh edhe Prishtinën, mediat në Prishtinë. Beogradi i nxjerr tezat në Prishtinë, nuk i nxjerr në Beograd. Çfarë thonë tezat që dalin në Prishtinë? Thonë më mirë të marrin Preshevën sesa t’i humbasim edhe Preshevën, edhe Mitrovicën. Ka gjë më anti shqiptare se kjo?”.

Ish-kryeministri Berisha ka thënë se më këto ide për ndryshim kufijsh, ata hoqën akuzën e komunitetit ndërkombëtar për Serbinë e madhe, duke dërguar topin te shqiptarët.

“Këto vijnë të gjitha të gatshme, këto janë të para-fabrikate që vijnë nga ata të cilët, atyre bravo ju qoftë, hoqën akuzën e komunitetit ndërkombëtar për Serbinë e madhe dhe thanë që s’jemi ne por duan këta shqiptarët ata të cilët duan tani…., dhe madje duam edhe Preshevën, Bujanovcin, por edhe Medvegjën, e cila është dy herë Presheva. Është baraz Preshevë- Bujanovc të marrë se bashku, por ka 400 shqiptarë. E kupton vet ti se e varin nja 400 herë në kalinekdan Sandrin e Edi Ramës, se kështu i thotë ky Vuqiqit, po të guxojë të japi Medvegjën”, tha ai.

Berisha ka thënë se kufiri mbi Ibër nuk nënkupton korrigjim kufijsh por ndarje.

“Dhe dalim tani me teorinë që çfarë do marrin, çfarë pazari? Pazari është një ose dy fshatra në Medvegjë, që as nuk kemi punë janë serbë, do marrin disa fshatra në Bujanovc që as nuk kemi punë janë serbë. Do marrim Preshevën, Presheva është një territor 261 km, një pjesë jashtëzakonisht e dhimbshme dhe e dashur shqiptare, me një rol shumë të madh në historinë tonë kombëtare por fatmirësisht e ruajtur si trevë shqiptare, dhe Presheva mund të mbetet, në qoftë se shqiptarët ndjekin një politikë si duhet, mund të mbetet në shekuj shqiptare. Pra hajde tani te vemë urën në Ibër dhe të themi që nuk po bëjmë ndarje e nuk po bëjmë as shkëmbim, por po bëjë korrigjim. Po marrim dhe në një fshat këtu.. e ke ndëgju apo jo, se njëherë thonë Preshevë- Bujanoc dhe Medvegjë…”.

Deputeti i PD-së thotë se është ndier keç që ka marrë pozicion kundër Thaçit, por sipas tij nuk ka mundur të heshtë.

“Në rast të tillë as nuk mund të hesht, as nuk mund të pranoj, por kam vetëm një thirrje për deputetët e Kosovës: të mos lejojnë të luhet më kufijtë e shtetit të tyre se bëhen d.m.th. kjo është zhbërja e Kosovës. Mirë, u zhbë lufta, u zhbë Kumanova, u zhbë një pjesë, jo plotësisht, edhe Ahtisari që e la në kufi Kosovën, në këta kufij dhe pse? Më fal, a ka interesa Serbia në Kosovë? Po ka. A jam unë që të njihen interesat e Serbisë në Kosovë? Po jam. Cili është interesi i Serbisë, i ligjshëm? Është garancia e serbëve të Kosovës. A ka sot qytetar, minoritar në botë me të drejta më të mëdha se sa serbët e Kosovës. Më thuaj… Po unë le t’i bie te gjitha borive të botës Beogradi, dhe unë marr 100 komisione dhe u them hajde shifni më gjeni një minoritet në Europë, më gjeni një minoritet në botë që disponon të drejta më shumë se një serb në Kosovë. Ja pra, Serbia s’ ka hallin e të drejtave, Serbia ka hallin e Serbisë së madhe. Serbia e di që toka është e përjetshme dhe jo njerëzit. Serbia gjen pastaj shqiptar me të cilët bënë pazaret që do”, shprehet ai.

Duke komentuar akuzat e Thaçit, Berisha thotë se po detyrohet të reagoj për hir të qytetarëve të Kosovës.

“Nuk merrem absolutisht me çështje personale dhe komente personale por në respekt të qytetarëve të Kosovës unë duhet të shpjegoj sa vijon:

Në vitet 92 – 97’, Shqipëria, në një përballje të fuqishme në arenën diplomatike botërore mposhti Serbinë në mënyrën më përfundimtare, Në këtë kontekst, në jetë mbas viteve 90 dy armiq kam pasur. Njëra ishte Enver Hoxha dhe enveristët sepse atyre ju shemba pushtetin, bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe popullin shqiptar, parajsën që kishin ndërtuar mbi ferrin e shqiptareve, dhe Sllobodan Millosheviqi, i cili e pa veten te humbur në çdo forum ndërkombëtar me dokumenta dhe ligje ndërkombëtare. U përpoq të bëjë gjithçka ndaj meje sikur unë u përpoqa të bëj gjithçka ndaj tij. Kjo është e vërteta. Tani një nga ato përpjekjet e tij ishin shpifjet dhe shpikjet për Bin Ladenin sepse duhej që Shqipëria, për shkak të besimit fetar të racizmit te tyre ndaj myslimanëve, të paraqitej si një strofull…. Në atë kohë kur Millosheviqi i shtronte këto teza Shqipëria ishte, dhe fatmirësisht ka dokumenta, nga vendet që luftonte me suksesin më të madh terrorizmin ndërkombëtar, për këtë te sugjeroj të lexosh ‘New York Times’ e asaj kohe, ‘Herald Tribune’, ‘Los Angelos Times’ etj.”.

Lideri historik i PD-së thotë se Shqipëria ka luftuar ekstremizmin dhe vizita e Bin Ladenit në Shqipëri është krijuar në Beograd.

“Pra Shqipëria, thonë shërbimet partnere, dha kontribut, duke më cituar dhe mua ‘kardiologu Berisha’ më shumë se çdo vend tjetër ish-komunist dhe vendet tjera. Në vitet 2005- 2013 Shqipëria ka pasur disa nga bashkëpunimet më sensitive qoftë në shërbimin informativ të shtetit qoftë me shërbimin e ushtrisë, me shërbimet e partnerëve tanë më të mëdhenj, operacione dhe veprime nga më sensitivet, dhe është anëtare e NATO-s. Tani kjo është e vërteta sa i përket Bin Ladenit të krijuar në Beograd”, shprehet Berisha.

Sali Berisha: Kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Demokratike, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”.

Berisha, në një intervistë, ka deklaruar se OSBE kishte nxjerrë një dokument në vitin 1992, që thoshte se problemi i Kosovës do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd.

“Sot janë vënë në ‘tepsi’ kufijtë e Kosovës, në një kohë kur Kosova ishte në pushtimin serb dhe u miratua në shtator të vitit 1992 dokumenti i samitit të OSBE-së. Kosova u nxor zë i veçantë në dokumentin e samitit, ku shkruhej se problemi do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd me ndërmjetësimin e palës e tretë”, tha Berisha.

Berisha e konsideron këtë si proces regresiv për Kosovën, pasi sipas tij Kosova ishte që nga 1992 në këtë status sa u përket kufijve.

“Çka do të thotë kjo? Cila ishte kjo? Ky ishte ligji i parë ndërkombëtar qe e nxirrte Kosovën, e bënte Kosovën eligjibël për faktorin ndërkombëtar”.

Sipas ish-presidentit shqiptar të asaj kohe, amerikanët në fillim hezituan, por më pas mbështetën në themel çështjen e Kosovës në kufijtë ekzistues – aktualë.

“Pa diskutim, ata hezituan, por pastaj ata e mbështetën dhe kjo bëri të mundur që ndërmjetësit ndërkombëtarë të zbresin në Kosovë dhe Prishtinë dhe ta trajtojnë në themel çështjen e Kosovës në kufijtë ekzistues aktual”, tha ai.

Deputeti i PD-së ka thënë se ne vitin 1994 OKB kishte miratuar një rezolutë në mënyrë tekstuale se kjo organizatë i njeh Kosovës, popullit të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes.

“Në vitin 1994 ka një rezolutë të pa përsëritshme në histori. Rezoluta e Organiztatës së Kombeve të Bashkuara e votuar nga 137 shtete, e cila pasi dënon me terma më të ashpra regjimin e Millosheviqit, shprehet në mënyrë tekstuale se kjo organizatë i njeh Kosovës, popullit të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes. E drejta e vetëvendosjes në kuptimin e OKB-së, në kuptimin e kësaj organizate e këtyre parimeve, ishte e drejta që me referendum të përcaktojnë pavarësinë, bashkimin me Shqipërinë, konfederatë me Serbinë. Pra çfarëdo që do të dëshironin qytetarët e Kosovës brenda këtyre kufijve”, shprehet ndër të tjera Ish-kryeministri dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha: Si e refuzova Drashkoviçin kur më ftoi për të zgjidhur çështjen e Kosovës

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur për Kosovën, tregoi se si pas rënies së regjimit komunist, disa herë serbët tentuan të bindnin palën shqiptare që tu falte njëherë e përgjithmonë Kosovën.

Berisha tregoi një moment se si ai refuzoi Vug Drashkoviçin, i cili e ftoi që të zgjidhnin çështjen e Kosovës.

Pjesë nga intervista:

Sali Berisha: Po sigurisht se ja dhamë ne, ja dhamë ne asaj. Prit ka zhvillime më dramatike që mund të jenë. Serbia e ka ngritur këtë problem me dhjetra herë që nga viti 99 deri sot. Në vitin 2005, nuk kisha as një muaj kryeministër. Në Selanik po pinim një kafe me Vug Drashkoviqin, Kohta Karamaliqin dhe të tjerë. Dhe Vugu më thotë, Sali ne duhet të takohemi bashkë, në për 48 ore i zgjidhim problemet.

Domethënë ka pasur përpjekje që qështja e Kosoës të zgjidhej mes Shqipërisë dhe Serbisë?

Sali Berisha: Te jashtëzakonshme, dhe qeveria, unë, qeveria ime duke ditur se kjo dëmton interesin e Kosovës ka refuzuar në mënyrë kategorike, por nuk ka refuzuar vetëm palën serbe, më është kërkuar në momente të caktuara edhe nga miq shumë të çmuar që unë të ndërhyjë.

Nga amerikanët?

Sali Berisha: Miq shumë të cmuar që unë të ndërhyjë,  unë kam thënë jo nuk ndërhyjë, unë  mbështes udhëhqjen e Kosovës dhe e kam mbështetur udhëheqjen e Kosovës. Tani del që për arsye, një mijë arsye, Serbia rrëmbën paqen Kosovës, Serbia hubin luftën, ne e kthejmë në fitimtare të paqes, dhe me c’ të drejtë, me c’motiv? Në qoftë se ne, ta zëmë para dy vitesh, Serbisë i thuhej “plac” nga komuniteti ndërkombëtar kur kërkonte Mitrovicën sepse e ke për Serbinë e madhe, tani i themi ne “jo nuk është Serbia që po kërkon, po kërkojmë ne tani”.

Berisha tregon a ishte arrestuar Adem Jashari dhe Hashim Thaçi gjatë luftës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë intervistës së dhënë, ka folur rreth deklarimeve se gjatë qeverisjes së tij në Shqipëri, ka dhënë urdhër për arrestimin e Adem Jasharit.

Berisha ka thënë se Adem Jashari, asnjëherë nuk është arrestuar në Shqipëri, por pranon se ai dhe shumë të tjerë janë marrur në pyetje nga Policia shqiptare.

“Absolutisht jo kurrë, kurrë  ndonjëherë. Është ë tëra trillim i atyre që janë arrestuar për motive të tjera”, ka thënë Berisha.

Ai ka folur edhe për tashmë presidentin Hashim Thaçi, duke mos e mohuar në mënyrë të drejtpërdrejt që Thaçi ka qenë i arrestuar në Shqipëri.

“Nuk kam parasysh këtë. Shiko, për një gjë të siguroj, asnjë shqiptar i Kosovës në këtë vend nuk është arrestuar dhe nuk mund të arrestohet për veprimtari të UCK, për veprimtari clirimtare të Kosovës, kjo  kurrën e kurrës. Për të tjera, nqs ti shkon në diskotekë ta zëmë, nuk është rasti por po e maar si shembull, dhe bënë grushta e tjera tjera, aty rendi është rend, por për veprimtari politike asnjë kurrë”, ka thënë Berisha.

Berisha tregon nëse Rugova ia ndaloi ardhjen në Kosovë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur poshtë pohimet se ish-presidenti Ibrahim Rugova nuk kishte lejuar ardhjen e tij në Kosovë.

“Bashkëpunëtorët e afërt të Rugovës i dhanë përgjigje më të mirë këtij trillimi. Rugova nuk bashkëpunonte kurrë me ata që nuk lënë gjë asgjë pa bërë në skenën politike. Sa i përket marrëdhënieve të mia gjatë luftës dhe pas luftës me Rugovën, ato ishin të shkëlqyera”, u shpreh ai në një emision për Dukagjini.

Duke folur rreth asaj nëse ka pasur pengesa për ardhjen e tij në Kosovë deri pas vdekjes së Rugovës, Berisha ka mohuar një gjë të tillë, ndonëse e pranoi se kanë pasur dallime në vitin 1996, derisa gjatë luftës tha se ka pasur kontakte me ish-kreun e LDK-së.

Berisha tregon se si Enver Hoxha ia dha Kosovën Serbisë

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka folur rreth çështjes së ndryshimit të kufijve. Thotë se Enver Hoxha, është ai i cili ka kryer tradhtinë më të madhe ndaj Kosovës.

Sipas tij, Hoxha, e dorëzoi në dorë të serbëve dhe Titos Kosovën. Ai tha se Hoxha pranoi kushtet e Titos, i cili që në fillim kishte qëllime ogurzeza për trevat shqiptare.

“Tropoja është Malësi e Gjakovës, është pjesë e këputur nga trungu i saj Kosovë, kështu që interesi im për Kosovën është më i natyrshmi i të gjithë interesave të tjerë. Sot që diskutohen kufijtë e Kosovës e para gjë që më vjen në mend…më vijnë faqet më të zeza të historisë tonë kombëtare që i kemi shkruar vet ne shqiptarët, se ne jemi shumë të aftë, të gatshëm për të etiketuar, demoralizuar, fajësuar të tjerët… Jo se s’ kanë faje, kanë faje të rënda dhe krime të shëmtuara ndaj nesh, por ne i kemi bërë vetes atë që s’na kanë bërë të tjerët. Unë do të ndalem vetëm në këto, po them 70 vitet e fundit, s’po shkoj më parë. Pushtimi i Kosovës nga Serbia nga ushtritë e Titos u realizua kryekëput me mbështetjen e fuqishme të vëllezërve tradhtar shqiptar…”, tha Berisha në një intervistë.

“Po flas Enver Hoxhën sepse Tito arriti të themelojë në Tiranë repartin e tij të Partisë Komuniste Jugosllave. Arriti të krijojë, siç thotë vetë Titoja… shih nuk kam më dëshirë të merrem me histori por të injorosh historinë, historia të ndëshkon. Pra, Tito krijoi repartin, krijoi dhe Lëvizjen Clirimtare të Shqiptarëve me qëllimin më kryesor për të shtypur Lëvizjen Nacionaliste të Shiptarëve dhe për ti sjellë brigadat shqiptare, siç i solli, ne Kosovë gjoja për çlirimin por në të vërtetë si prarojë e armatës e divizioneve  dhe brigadave serbo- malazeze për pushtimin e saj. Gjaku i shqiptarëve të Kosovës është gjaku që u derdh për shkak se brigadat shqiptare, me urdhër të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, që ishte i pranishëm, bënë gjithçka ndaj atyre që i pritën si vëllezër dhe ata u thoshin vëllezër keni serbët,. Ata kërkonin bashkim me Shqipërinë këta predikonin bashkim- vëllazërim me Serbinë dhe faktikisht  morën pjesë në çdo masakër që u krye përfshi Masakrën e Tivarit në gjithë trajektoren nga Kukësi gjersa u kalua Buna’, shtoi ish-presidenti shqiptar.

A ka përgjegjësi Enver Hoxha?

“Direkte! Direkte pa ansnjë diskutim ka dokumente por nuk po hyjmë sonte në histori. Akti i dytë ne na ka ndjek. Akti i dytë i tradhtisë madhore kombëtare ishte vota e deputetëve të Kosovës në vitet 80 një kohë kur rinia e Kosovës mbushi rrugët, sheshet e Prishtinës u përgjak”, tha ai.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat