Dhuna në familje mposht drejtësinë

Aktuale

Dhuna në familje mposht drejtësinë

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 15:26
Ilustrim

Rasti i një dite me parë në një fshat të Gjakovës, ku një burrë vrau gruan e tij 40-vjeçe dhe vajzën e tij 9-vjeçare, shënon rastin më të rëndë të dhunës në familje për këtë vit. Rasti tjetër ishte në maj të këtij viti, ku babai mbyti me shkop djalin e tij 14-vjeçar në një fshat të Kamenicës.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se shteti ka dështuar në mbrojtjen e grave, të cilat kanë kërkuar ndihmë nga Policia për shkak të dhunës sistematike në familje, e që ka çuar deri te vrasja nga bashkëshortët e tyre.

Ajo thotë se ndonëse nuk janë statistika zyrtare nga Policia, janë mbi gjashtë vrasje këtë vit që kanë ndodhur si pasojë e dhunës në familje, e që viktima janë gratë.

“Ne kemi dërguar reagim pikërisht për rastin e fundit, pasi që gruaja e vrarë ditën e martë ka raportuar në Polici që po kërcënohet, por Policia ka dështuar ta gjejë vrasësin”.

“Ai ka qenë i paraburgosur një muaj për dhunë në familje dhe i njëjti është liruar pas një muaji. Sipas Kodit Penal, për lëndim trupor brenda familjes, dënimi është nga 6 muaj deri në 5 vjet. Nëse ai kishte qenë në paraburgim ashtu siç duhet, sot nuk i kishim pasur dy persona të vdekur. Mendoj se shteti i Kosovës ka dështuar”, tha Berisha.

Bajram Krasniqi zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti janë vrarë 20 persona ku shihet një rritje nëse krahasohet me vitin e kaluar.

“Gjatë këtij viti në Kosovë janë 20 raste të vrasjeve, derisa viti 2017 është mbyllur me 27 raste të vrasjeve. Vrasjet kanë ndodhur për arsye të ndryshme që përfshinë edhe rastet e vrasjeve të dhunës në familje”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se Policia vetëm gjatë shtatë muajve të këtij viti ka konfiskuar 1300 armë të mbajtura ilegalisht.

Lirije Kajtazi, deputete, njëherësh zëvendëskryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe persona të pagjetur i tha Radios Evropa e Lirë se vrasësit nuk janë duke e marrë dënimin e merituar.

“Kemi zvarritje të gjykatave për këto raste. Këtë e ka vërtetuar edhe avokati i popullit. Në përgjithësi mund të them se janë zvarritje e paarsyeshme, e që po çon deri te vrasjet.”

"Ushtruesit e dhunës, nëse e shohin se ka neglizhencë të gjyqësisë, është jashtëzakonisht e rëndë dhe mendoj se është e pafalshme, duke e marrë parasysh se dënimi më i madh që është shqiptuar ka qenë 8 vjet”.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat