Rastësi apo diçka më shumë? Haradinaj dërgon eksplozivin në zyrën e tij, njëjtë si bashkëpartiaku i tij granatën ruse në gazetën “Bota sot”

Aktuale

Rastësi apo diçka më shumë? Haradinaj dërgon eksplozivin në zyrën e tij, njëjtë si bashkëpartiaku i tij granatën ruse në gazetën “Bota sot”

Nga: B.S Më: 9 gusht 2018 Në ora: 16:37
Në fotografi, Ramush Haradinaj shihet në foto duke bekuar duart e Jeton Lleshit, i akuzuar dhe dënuar me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në adresë të gazetës “Bota sot” në Zvicër, në vitin 2002.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, përkatësisht zyra e kryeministrit në bashkëpunim me Njësinë Antiterrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë kryer një test për të testuar sigurinë në objektin e qeverisë dhe në zyrën e kryeministrit.

Për ta bërë një gjë të tillë, siç shkruan fatkeplus dhe express, në Zyrën e Kryeministrit ka arritur një pako nga “Xhorxh Majkëll”, në të cilën nuk kishte ndonjë dhuratë, por krejt diçka tjetër, në të cilën janë vendosur dy kilogramë eksplozivë të llojit tritol.

E gjithë kjo është bërë në kuadër të një simulimi për të matur sigurinë në objektin qeveritar dhe ne zyrën e Haradinajt, ku nga kjo del se pakoja e dyshuar ka kaluar të gjitha filtrat e sigurisë në objektin qeveritar.

Si duket Haradinaj është inspiruar nga e kaluara e tij, ku dihet se Haradinaj kishte qenë edhe ushtar në ushtrinë e Jugosllavisë, ku kishte arritur të bëhej nënoficer dhe specialist për armët kimike, nga të cilat me lidhje teknike të nevojshme me armët tjera, mund të krijohen granata.

Por, e gjithë kjo procedurë e ndjekur nga zyra e kryeministri është tërësisht e ngjashme me aktin makabër të bërë ndaj gazetës “Bota sot”.

Ishte 27 shtatori i vitit 2002, kur në  adresë të redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zvicër, ishte dërguar një granatë ruse. Granata ishte vendosur në një pako, brenda së cilës ndodhej granata ruse, që mbante mbishkrimin “vertraulich nga gjermanishtja në konfidencë apo në besim”, nga dërguesi John.

Image
Vetëm fati ka dashur që pakoja të hapej anash dhe jo nga lart. (që zakonisht nuk hapen anash). Hapja e saj nga pjesa e sipërme do të shkaktonte shpërthimin e bombës brenda saj dhe do të merrte jetën e 12 personave të pranishëm.

Njëjtë është vepruar edhe sot me zyrën e kryeministrit. Eksplozivi, dy kilogramë eksplozivë të llojit tritol, është vendosur brenda pakos dhe është dërguar si dhuratë.

Por për dallim nga Haradinaj, që sot e ka provuar këtë vetëm si test,  personeli, pronarët e gazetës “Bota sot” së bashku me familjarët e tyre kishin pasur fat në vitin 2002. Nëse pakoja e dërguar do të hapej nga pjesa e sipërme, atëherë granata do të shpërthente menjëherë. Shpërthimi i granatës ruse do të rezultonte me vdekjen e 12 personave të pranishëm, mes tyre edhe shumë fëmijë. Në rreze prej nëntë metrash, shpërthimi i granatës ruse mund të rezultonte vdekjeprurëse, kishin konstatuar autoritetet zvicerane.

Pas 15 vitesh nga tentim sulmi në gazetën kombëtare “Bota sot”, për këtë vepër makabër ishte arrestuar në Zvicër,  Jeton Lleshi, njeri i afërt me Ramush Haradinajn si dhe bashkëpartiak i kryeministrit. Lleshi nga Gjykata Federale zvicerane ishte akuzuar për terrorizëm për tentim sulmin ndaj gazetës “Bota sot”.

Bashkëpartiaku i kryeministrit, i cili në shumë foto shihet së bashku me Haradinajn dhe bashkëpunëtorët e tij, në shtator të vitit 2017, nga Gjykata Federale Zvicerane është shpallur fajtor për tentim sulmin ndaj gazetës “Bota sot”.

Lleshi, bashkëpartiaku i Haradinajt është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vite burg, një më pak se sa kishte kërkuar prokuroria zvicerane.

Image
Në fotografi, Ramush Haradinaj shihet në foto duke bekuar duart me të akuzuarin për terrorizëm, i cili ishte burgosur dhe dënuar me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në adresë të gazetës “Bota sot” në Zvicër, në vitin 2002.

Por, edhe pse Lleshi është dënuar me 10 vite burg, autoritetet zvicerane në pakon e dërguar kishin gjetur edhe një parë shenja tjera të gishtërinjve, përveç atyre të Lleshit. Pra, bashkëpunëtorët dhe urdhërdhënësit e Lleshi janë dhe veprojnë ende në liri.

E nga partia e kryeministrit dhe nga vet Haradinaj, asnjëherë nuk është dënuar ky rast, sikurse nuk është mohuar se Lleshi është njeri i afërt dhe anëtar i partisë së Kryeministrit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. “Bota sot”, disa herë kishte dërguar pyetje ne adresë të Haradianjt dhe partisë së tij, por ata nuk kishin marrë mundin të  përgjigjen asnjëherë.

Ndërsa, sot, Haradinaj ka zgjedhur procedurën e njëjtë për ta testuar sigurinë e tij në zyrën brenda Qeverisë së Kosovës. A është kjo vetëm rastësi apo diçka më shumë? Një pyetje që padyshim e meriton një përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat