Kur Bekim Berisha thoshte se UÇK nuk vret si serbët sepse nuk janë terroristë - Bota Sot
Kur Bekim Berisha thoshte se UÇK nuk vret si serbët sepse nuk janë terroristë

Aktuale

E hënë, 22 tetor 2018

Kur Bekim Berisha thoshte se UÇK nuk vret si serbët sepse nuk janë terroristë

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 07:41
Bekim Berisha

Sot më 10 gusht të vitit 1998, Bekim Berisha i njohur edhe nën nofkën “Abeja” si njëri ndër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrafshin e Dukagjinit, vdiq pas një luftimi disa orësh me forcat serbe.

Bekim Berisha lindi më 15 qershor të vitit 1966  në fshatin Graboc të Pejës. Gjyshi i dëshmorit, Nexhip Selmani, kishte luftuar kundër pushtuesve serbë vite me radhë

Prindërit Fazli dhe Fahrije Berisha kishin gjashtë fëmijë: pesë djem dhe një vajzë, ndërsa Bekimi ishte fëmiu i gjashtë me radhë. Bekim Berisha shkollën fillore e kreu në Gorazhdevc të Pejës, ndërsa shkollën e mesme të Artit, në Pejë.

I rritur dhe i edukuar me kujdes dhe krenari nga gjyshi dhe babai, të cilët me dashuri ia kultivuan ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të luftëtarit të ardhshëm të lirisë së Kosovës, Bekim Berisha, në pamundësi që të vazhdojë studimet, u detyrua ta braktisë Kosovën. Stacioni i parë për mërgimtarin e ri nga Graboci i Pejës ishte Kroacia.

Në fillim punoi si punëtor krahu. U mor me punë të rënda fizike, në mënyrë që të sigurojë ekzistencën, vetëm e vetëm që ta ndihmojë familjen dhe të regjistrohet në Fakultetin e Hotelerisë në Opati dhe atë të Veterinarisë në Zagreb.

Të dy këto Fakultete i përfundoi me sukses. Sa qëndroi në Kroaci, Bekim Berisha mësoi gjashtë gjuhë të huaja, kështu që arriti të lexojë edhe literaturë të ndryshme, ekonomike, turistike e deri te ajo ushtarake.

Në këtë kohë, në fillim në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë, shpërtheu lufta e kroatëve dhe boshnjakëve kundër regjimit kolonial serb. Edhe pse me profesion nga fusha e turizmit dhe veterinarisë, Bekim Berisha pa hezituar iu përgjigj vullnetarisht ftesës për luftë kundër këtij regjimi. Në këtë kohë Bekim Berisha jetonte në Holandë, por e la jetën perëndimore dhe u radhit përkrah luftëtarëve kroatë përkatësisht njësiteve elite kroate. 

Si luftëtar dhe strateg në luftën kundër serbëve në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kroate e dekoroi Bekim Berishën me gradën e Gjeneralit! Nga lufta e Kroacisë Bekim Berisha kalon në luftën e Bosnjës, përsëri kunder forcave serbe, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra. Situata pas luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë tregonte qartë se nuk ishte e largët dita kur edhe në Kosovë do të fillonte lufta. Andaj Bekim Berisha në fillim të marsit të vitit 1998 me një grup shokësh mërgimtarë hyn në mënyre ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim u sistemua në Açarevë të Drenicës. Këtu filloi organizimin dhe përgatitjet e para me ushtaret e rinjtë për mësimin e artit ushtarak. Më 22 prill 1998 në Açarevë Bekim Berisha me luftëtarë të tjerë të UÇK-së ngriti flamurin shqiptar dhe hapi Akademinë Ushtarake. Mirëpo në këtë kohë luftimet në mes të forcave serbe dhe atyre të UÇK-së u ashpërsuan shumë në Zonën Operative të Dukagjinit. Bekim Berisha bashkë me dëshmorin Bedri Shala shkuan në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu krah i fortë i komandantit Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të Dukagjinit. Ketu Bekim Berisha tregoi shkathtësi në përgatitjen ushtarake të ushtarëve të rinjtë, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit. Luftëtari i UÇK-së Bekim Berisha, në Betejën e Junikut, më 29 maj 1998, u angazhua në mbrojtje të kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike, duke dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e këtij fshati që të mos bie në duar të forcave serbe të cilat e kishin rrethuar me një arsenal të madh ushtarak e njerëzor. Dhe pikërisht rënia e Bekim Berishës ne fushë të nderit, bashkë me luftëtarët trima Bedri Shalën, Elton Zherkën, Përmet Vulen, Bashkim Lekun etj. bëri që Juniku të bie në duar të forcave serbe. Ishte kjo dita e 10 gushtit 1998 kur nga një predhë topi bie Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.

Për meritat dhe heroizmin e Bekim Berishës në luftë kundër regjimit të egër serb që sundoi gati një shekull në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, pas përfundimit të luftës, e gradoi me gradën Gjeneralmajor. Bekim Berisha në fillim u varros në Junik. Më vonë u bë rivarrimi në vendlindje dhe aty iu ngrit lapidari që shndrit nure dhe është udhe rrëfim për brezat e ardhshëm.

Edhe pse historianët mendojnë se domeni i fushe veprimtarisë së individit e ngushton fushën e interesimit të historianit, figurat markante siç është figura e Bekim Berishes, është përgjegjësi e madhe për çdo pendë historike që do të merret me këtë figurë.

“Serbët nuk donë diplomaci veç luftë” thoshte ai në një nga seria e videove të rralla që AP pati publikuar e ku flet edhe Berisha gjatë luftës.

Në një video “Abeja” shfaqet edhe para trenit i cili është i mbushur edhe me polici serbe i cili po zhvendosej por thotë se .”Ne mund ti vrasim por ne nuk jemi terrorist”, ka thënë Abeja.

Ai më pas në një deklaratë tjetër thotë se serbët nuk kuptojnë dialogun por vetëm marrëdhëniet “Zjarr për zjarr”. Kjo është video ku mund ta shihni “Abenë” duke folur në disa raste.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test