Policia dhe Prokuroria: Valbona nuk ka kërkuar mbrojtje - Bota Sot
Policia dhe Prokuroria: Valbona nuk ka kërkuar mbrojtje

Aktuale

E mërkurë, 17 tetor 2018

Policia dhe Prokuroria: Valbona nuk ka kërkuar mbrojtje

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 09:39
Konferenca e Policisë

(E plotesuar)- Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Gjakovës janë deklaruar sot për rastin e vrasjes që ndodhi në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku burri vrau gruan dhe vajzën e tij.

Në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur në Prishtinë  Policia sqaron se viktima e kishte lajmëruar rastin,  por nuk kishte pranuar mbrojtje apo strehim.

Drejtoria e Policisë Rajonale në Gjakovë, ka shpjeguar sot rastin e vrasjes së fundit në Gjakovë, ku Pjetër Nrecaj ka vrarë gruan dhe vajzën e tij më 7 gusht.

Ndërsa Prokuroria Themelore e Gjakovës, deklaroi se dje është ndërprerë seanca dëgjimore ndaj të pandehurit, dhe se e njëjta pritet të vazhdojë kur mjekët të konstatojnë se i dyshuari është në gjendje të mirë shëndetësore.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Gjakovë,  Ahmet Hasi ka  bërë të ditur se ditën e 7 gushtit viktima ishte paraqitur në polici rreth orës 15:30 ku kishte treguar për mesazhet kërcënuese nga tashmë i dyshuari, burri i saj.

Rasti ishte hapur si kanosje, jo dhunë në familje meqë ata jetonin të ndarë.

Hasi: Viktima nuk ka kërkuar mbrojtje

“Me rastin e paraqitjes së kërcënimit me datën 7 gusht, nga viktima prapë nuk është kërkuar mbrojtje apo strehim derisa hetuesit policor në koordinim me Prokurorinë, duke parë natyrën e trajtimit me SMS  telefonik, kanë hapur rastin dhe kanë vazhduar kërkimin e të dyshuarit,  derisa në orën 21:20 Policia në stacionin në Gjakovë ka pranuar informatën se në Brekoc ka pas të shtëna armësh. Menjëherë pas pranimit të informacionin janë mobilizuar të gjitha njësitë policore duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes me qëllim të hetimit, ekzaminimit dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti’, tha Hasi.

Sipas tij kanë filluar masat për kërkimin dhe arrestimin e të dyshuarit, duke e kërkuar në shtëpi, disa lokacione dhe duke provuar ta kontaktojnë përmes telefonit.

Hasi: Çështja e sigurisë vlerësohet bashkë me prokurorin dhe institucionet e tjera relevante

Nuk ka kërkuar që dikush t’i bëjë strehim, andaj ne menjëherë e kemi hapur rastin e kërcënimit, kemi ndërmarrë masat operative që të arrestojmë të dyshuarin, mirëpo koha ka qenë shumë e shkurtër,  kemi provuar në disa lokacione, mirëpo nuk kemi pas sukses për kaq kohë të shkurtë. Çështja e anës së sigurisë është çështje që duhet me shumë vëmendje të aplikojmë, mirëpo në ato momente kur vlerësohet bashkë me prokurorin dhe institucionet relevante, sepse duhet të mirret një vendim duhet të kemi një plan se ku do ta sigurojmë”, tha Hasi.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.

Dje, ka filluar seanca dëgjimore për caktimin e msaës së paraburgimit për të dyshuarin,  por që është ndërprerë për shkak të alivanosjes së Pjetër Nrecajt

Prokurori Armend Zenelaj nga Prokuroria e Gjakovës tha se tashmë i dyshuar është dërguar në spitalin Rajonal në Gjakovë e më pas në QKU.

Zenelaj: Seanca dëgjimore është ndërprerë për shkak se i pandehuri është alivanosur

“Prokuroria Themelore në Gjakovë ka filluar hetimet ndaj të pandehurit i cili dyshohet për vepër penale. Siç e dini dje ka filluar të mbahet seanca dëgjimore mirëpo pasi që i pandehuri njoftohet që përveç që e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij, i njëjti është alivanosur dhe seanca është ndërprerë. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë, pastaj për në QKU. Në momentin kur nga mjekët do ta marrim një njoftim se gjendja e tij është përmirësuar do të mbahet prapë seanca dëgjimore” ,tha Zenelaj.

Ndërsa mbrojtësi i viktimave nga Prokuroria Themelore në Gjakovë , Agim Pula, tha se viktimës, tashmë të ndjerës, i është ofruar strehim por nuk ka pranuar.

Sipas tij ajo ka thënë  se ndjehet e sigurt pranë familjes dhe vëllezërve të saj.

Pula: Viktimës i kemi ofruar strehim, nuk ka pranuar

“Ne si mbrojtës të viktimave me të kontaktuar viktimën, i kemi ofruar të gjitha informacionet që i ofron zyra për mbrojtjen e viktimave. Për viktimën është ofruar edhe strehim, por e njëjta nuk ka pranuar duke deklaruar se ajo do të strehohet tek familjarët e vet në Gjakovë. Të njëjtën ditë e kemi marrë edhe një deklaratë shtesë nga vëllau i saj edhe ai është deklaruar se do ta marr në mbikëqyrje motrën dhe pesë fëmijët e saj deri në zgjidhjen e problemit. I kemi ofruar të gjitha ndihmat që i ka kërkuar viktima. Sa i përket rastit që ka ndodh për vrasje unë nuk kam qenë në dijeni se ajo ndonjëherë ka ardh tek unë në zyrë dhe është ankuar se ka diçka tjetër”, tha Pula.

Që nga 12 maji Valbona bashkë me fëmijët  jetonte e ndarë  Pjetër Nrecaj, për shkak të dhunës në familje.

Mbrëmjen e 7 gushtit, Nrecaj me armë zjarri vrau gruan e tij dhe të bijën 9 vjeçare.

Ndryshe, edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime ndaj zyrtarëve policorë të  përfshirë në këtë rast.

Vrasjen e Valbona Markut bashkë me të bijën e kanë dënuar të gjithë zyrtyarët institucionalë dhe organizata për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Për këtë vrasje sot në Gjakovë është mbajtur një protestë ku u kërkua drejtësi por edhe përgjegjësi për personat që kanë neglizhuar cështjen e Valbona Markut.

 

Arsyetohen policia e Kosovës për vrasjen në Gjakovë: Viktima nuk kërkoi mbrojtje

 Policia e Kosovës bashkë me prokurorinë gjatë ditës së sotme mbajtën konferencë për media ku folën rreth veprimeve policore për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të martën mbrëma fshatin në Brekovc të komunë së Gjakovës.

Drejtori rajonal në policinë e Gjakovës, Ahmet Hasi, u shpreh se viktima gjatë raportimit të kanosjes nga ish-bashkëshorti në polici nuk kishte kërkuar mbrojtje Ai deklaroi se rasti nga policia e Gjakovës është hapur vetëm si ‘kanosje’.

“Në orën 15:00 ankuesja, tani viktimë, bashkë me vëllëzërit ka hapur rast ‘kanosje’, pasi ka njoftuar se më sms është kërcënuar nga bashkëshorti. Hetuesit e kanë kërkuar personin në fjalë, përfshirë  edhe në shtëpinë e tij në fshatin Bitesh. Disa herë është provuar të kontaktohet edhe përmes telefonit.  Me rastin e paraqitur me 7 gusht, viktima nuk ka kërkuar mbrojtje as strehim, derisa është hapur vetëm rast kanosje për sms-t”, ka thënë Hasi.

Tutje, Hasi në kronologji ka treguar për njoftimin për vrasje që ka marrë policia të martën rreth orës 21:00, arrestimin e të dyshuarit dhe gjetjen/konfiskimin e armës.
Ai ka thënë se është duke u hetuar rasti bashkë me prokurorinë e shtetit dhe se është njoftuar edhe inspektorati policorë për të gjitha veprimet. 

Ndërkohë, prokurori Armend Zenelaj ka deklaruar se seanca dëgjimore për këtë rast do të mbahet kur të dyshuarit t’i përmirësohet gjendja shëndetësore.

Në anën tjetër, Agim pula nga zyra për mbrojtjen e viktimave deklaroi se i kanë ofruar strehim viktimës por ajo nuk ka pranuar, me arsyetimin se është e strehuar tek vëllezërit e saj.

Në deklaratën para hetuesisë edhe vëllai i viktimës ka deklaruar se do ta brojë motrën e tij dhe pesë fëmijët e saj.

***

Policia e Kosovës ka njoftuar se në ora 11:00 të së premtes do të dalin në konferencë të përbashkët më Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në stacionin qendrorë në Prishtinë. 

Në njoftim nuk bëhet e ditur se kush do tu drejtohet mediave, por vetëm njoftohet se konferenca është thirrur në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ndodhi të martën mbrëma në fshatin Brekoc të Gjakovës. 

“Përmes kësaj shkrese zyrtare ju ftojmë që sot me datë 10.08.2018, të merrni pjesë në konferencën e organizuar nga Policia e Kosovës. Konferenca i dedikohet  rastit të vrasjes së rëndë të ndodhur me 07.08.2018 në Gjakovë”, ka njoftuar zyra për informim e PK’së. 

“Për të dhënë informacione dhe detaje më të hollësishme rreth këtij rasti, panelist do të jenë zyrtar nga Policia e Kosovës dhe zyrtar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës”, thekson njoftimi. 

Ndryshe, në të njëjtën orë, në Gjakovë është thirrur një protestë për të ngritur zërin ndaj vrasës së grave – siç ishte rasti i fundit në këtë komunë kur një burrë vrau me kallash gruan e tij dhe vajzën 9 vjeçe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test