Dëshmitari i zhvillimeve të viteve 90-ta në Shqipëri flet për raportet ndërmjet Presidentit Rugova dhe kryeministrit Berisha

Aktuale

Dëshmitari i zhvillimeve të viteve 90-ta në Shqipëri flet për raportet ndërmjet Presidentit Rugova dhe kryeministrit Berisha

H.Orana Nga H.Orana Më 10 gusht 2018 Në ora: 17:34
Takim ndërmjet Presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit Sali Berisha

Ditë më parë është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet ish kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa Berisha kishte deklaruar se është kundër korrigjimit të kufirit dhe Serbia s’mund të prekë asnjë pëllëmbë të tokave shqiptare, Presidenti Thaçi përmes një postimi në Facebook i është drejtuar Berishës duke thënë se Kosovës nuk i duhen këshillat e një njeriu i cili është dëbuar me votë masive. Madje ai ka shkruar poashtu se Berisha është njeriu i cili i ka shitur armë Millosheviçit.

Ndër të tjera, Thaçi ka shkruar poashtu se “këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës”.

Image
Skender Zogaj

Mirëpo, sa i përket raporteve të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe ish kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ka sqaruar përfaqësuesi i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Zogaj.

Ai në një përgjigje për “Bota sot”, ka folur për raportet ndërmjet krerëve të shteteve shqiptare.

“Si përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, i caktuar nga Presidenti Rugova, e kam pasur përgjegjësi zyrtare ndërlidhjen protokolare ndëmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Më vonë për disa vjet kam punuar gazetar i “Rilindjes”  dhe i “Revistës ushtarake” të FARK-ut që botoheshi në Tiranë, prandaj, të gjitha këto ma kanë mundësuar njohjen nga afêr të institucioneve dhe personaliteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës! E para që më duhet të theksoj është se, në kushte e rrethana shumë të jashtëzakonshme, Sali Berisha personalisht por edhe kabineti i tij për Kosovën dhe kosovarët ka qenë shumë i hapur dhe ka shprehur gadishmëri vëllazërore për të ndihmuar për gjithçka që ka pasur nevojë”, thotë Zogaj.

Ai thotë më tutje se vlerat e politikës së Berishës, kur ai është kritikuar për strehimin e të ikurve nga Kosova, regjistrimin nëpër shkolla e fakultete, trajtimin e të sëmurëve, etj., nuk duhet të përbuzen.

“Sali Berisha nga qarqe të caktuara të ish nomenklaturës komuniste është kritikuar dhe sharë për strehimin e të ikurve nga Kosova, regjistrimin nëpër shkolla e fakultete, trajtimin e të semurëve, paisjen me pasaporta dhe zhvillimin e bisneseve të kosovarëve njësoj si ato vendore! E gjithë kjo është vlerë që nuk guxon të përbuzet”, thekson ai.

Zogaj thotë se sa i përket raportit të Sali Berishës me Ibrahim Rugovën, kanë qenë përsosmërisht korrekte, me mikëpritje të denja presidenciale, me takime të shumta serioze dhe të përzemërta.

“I këtillë Berisha ka qenë edhe më personalitetet e tjera kosovare që janë mirëpritur në Tiranë! Politika paqësore e Rugovës di nuk i ka pëlqyer Sali Berisha, por Ibrahim Rugova e ka mbajtur qëdrimin e tij të patundur dhe, Berisha e ka pranuar se Ibrahim Rugova ishte një strateg i madh largpamës, babai i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës por edhe nga më të mëdhenjtë e kombit shqiptar”, përfundon përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat