Ky është kushti i Serbisë për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Aktuale

Ky është kushti i Serbisë për formimin e Ushtrisë së Kosovës

Nga: Nehat Shaqiri Më: 10 gusht 2018 Në ora: 22:29
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës për t’u shndërruar në Forca të Armatosura, apo në ushtri të Kosovës, siç duket do të jetë pazar me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë.

Të paktën kështu është thënë se Serbia po e kushtëzon formimin e Ushtrisë së Kosovës, me formimin e komunave serbe.

Profesori i Shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se, formimi i FAK-ut, duket se nuk do të jetë edhe aq i lehtë, dhe sipas tij, kjo po del si një "arrë e fortë" për institucionet e Kosovës.

Image
Avni Islami

“I gjithë problemi po del të jetë te Pakoja e Ahtisarit, dhe se aty është gjeneza e problemit. Ata që tash duhet ta bëjnë ushtrinë e Kosovës nuk duhet të fajësohen, sepse nuk kanë mundësi për shkak të Kushtetutës, e cila shprehimisht thuhet se duhen 2/3 e votave të serbëve”, thotë Islami për gazetën "Bota sot".

Profesori thekson se, institucioneve tona ju mbetet të punojnë më shumë me miqtë tanë ndërkombëtar, si dhe ti bindin minoritetet që të votojnë pro ushtrisë.

“Pra, të iu sigurohet atyre se FAK-u është në interes të të gjithëve, dhe se ajo do të shërbej si në luftë po ashtu edhe në paqe, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie, race apo feje”, thekson ai. 

Sa i përket kushtëzimit që po përflitet se serbët po kërkojnë si kompensim të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, Isalmi thotë se, ai Asociacion që po e kërkon Serbia është fatale për shtetin e Kosovës dhe se me asnjë çmim nuk duhet të pranohet.

“Ai Asociacion është gjysmë autonomi, apo siç po e quajnë serbët (oblast). Unë besoj se asnjë Qeveri nuk do ta pranoj një gjë të tillë, sepse Kosova do të ishte shtet jofunksional dhe Serbia gjithmonë do ta shantazhonte Kosovën përmes Asociacionit. Unë besoj në zgjidhje të drejt, dhe se vendi ynë së shpejti do të bëhet me Ushtri dhe institucionet e sigurisë do të kompletoheshin ashtu siç duhet”, thotë profesori Avni Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat