MPJ pas ndalimit të Hivzi Islamit: Kërkojmë mbështetje nga BE-ja, kjo nuk është marrëveshje e Brukselit

Aktuale

MPJ pas ndalimit të Hivzi Islamit: Kërkojmë mbështetje nga BE-ja, kjo nuk është marrëveshje e Brukselit

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 16:11
Hashim Thaçi, Mogherini dhe Vuçiq

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave ka ri-përsëritur se ndalimi për herë të dytë brenda pak ditësh i ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, që të hyjë në shtetin fqinj dhe të vizitojë familjarët e tij, si edhe shumë raste të tjera pothuajse të zakonshme si për zyrtarët e lartë ashtu edhe për qytetarët e zakonshëm janë në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit.

“Është në kundërshtim me zotimin deklarativ të shtetit fqinj Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe një shkelje e sistematike e njërës prej të drejtave fundamentale të Bashkimit Evropian”, thotë MPJ.

Kjo Ministri thërret autoritetet e shtetit fqinj që të ndërpresin menjëherë veprimet dhe sjelljet e tilla ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës dhe paralelisht me këtë edhe përfaqësuesit e BE-së që të dalin në mbrojtje të njërit prej parimeve themelore, në bazë të së cilit është themeluar edhe vet BE-ja.

“Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë me vëmendje të posaçme rastet e ngjashme në të ardhmen, rishqyrtojë qasjen pozitive ndaj kërkesave për vizita nga autoritetet e Serbisë në Kosovë dhe do të veprojë në bazë të parimit të reciprocitetit, nëse raste si ky përsëriten në vazhdimësi dhe janë qëllimliga”, përfundon reagimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat