Prania më e madhe e grave në politikë, urë që vështirë kalohet

Aktuale

Prania më e madhe e grave në politikë, urë që vështirë kalohet

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Jeta Aliu, studente në fakultetin e Shkencave Politike në vitin e tretë, ëndërron të punojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por ajo thotë se e ka të vështirë sepse ky profesion dominohet nga meshkujt.

Sipas saj, dominimi i gjinisë mashkullore tashmë shihet edhe në fakultet.

“Unë jam në përfundim të studimeve në Shkenca Politike, dhe nuk është që shoh ndonjë perspektivë të madhe në të ardhmen, për shkak se meshkujt dominojnë. Unë si femër, besoj që do të jem e dominuar, tashmë ndjehem e dominuar në disa raste edhe në fakultet. Por, nuk kam çfarë të bëj, ky është realiteti jonë”, thotë Jeta, e cila për momentin punon në një sallon të bukurisë.

Gratë sot gëzojnë të drejtën e votës, shkollimit, punësimit dhe shumë të tjera. Por, në shtetin e Kosovës, prania e gruas në organet vendimmarrëse nuk është në nivelin e duhur.

Në Kuvendin e Kosovës, 30 për qind e deuptetwve janw gra. Mirëpo, prej 30 komunave në Kosovë, asnjëra nga to nuk udhwhiqet nga njw grua. Gjithashtu, vetëm një ministri udhëhiqet nga një grua.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësimi i gruas në sferën politike nuk është i mjaftueshëm, dhe sipas saj, shteti i Kosovës ka bërë një kthim prapa, për sa i përket çështjeve gjinore.

“Kosova ka një kthim prapa, sepse në vitet e mëhershme kishim disa gra të cilat ishin më të zëshme, më të dukshme në sferën publike, në jetën politike. Ndërsa tani kemi vetëm 30 përqindëshin në Parlament, i cili është i pamjaftueshëm që çështjet gjinore ose avancimi i barazisë gjinore të jetë më i dukshëm. Duke marrë parasysh që gratë janë aq të papunësuara, dhe aq jo të përfshira në jetën publike, kjo e ka degraduar gjithë këtë sistem, sepse, përfshirja e grave në jetën publike dhe politike është realisht krejt e padukshme", thotë Demolli.

Gjithashtu, Demolli thekson se besimi i grave ndaj politikës dhe partive politike në Kosovë, është tejet i ulët dhe se dita ditës edhe dukë rënë edhe më shumë.

"Ka ardhur ajo kohë kur besimi i grave në Kosovë nuk do të jetë më, ai besim që partitë politike do të ndryshojnë, sepse, premtimet nw kohwn e fushatave zgjedhore kanë qenë tejmase të shprehura. Ka pasur premtime të partive politike që do të qeveriset 50 me 50, gra dhe burra do të qeverisin në mënyrë të barabartë, dhe për që shkon degradimi deri në këtë masë, ne nuk e kemi menduar", shton Demolli.

Ndërsa, Arijeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se forumet e grave dhe formacionet e ndryshme duhet të bëhen më aktive, në mënyrë që roli i gruas në vendimmarrje të jetë më aktiv dhe më prezent në shoqërinë kosovare.

"Forumet e grave, formacionet e ndryshme, koalicionet, grupacionet duhet të bëhen funksionale, dhe të forcohen në mënyrë që të luajnë rol aktiv në rritjen e pjesëmarrjes së gruas në jetën politike, e posaçërisht në pozitat vendimmarrëse", tha Rexhaj.

Sipas Rexhajt, Qeveria është ajo që duhet të krijojë kushte të barabarta për të dyja gjinitë.

"Pikërisht është Qeveria ajo që duhet të ishte garantues dhe zbatuese e krijimit tw kushteve tw barabarta për të gjithë. Por, po e shkelë këtë zotim dhe standard, me vetëm një ose dy gra, sa janë të përfshira në këtë Qeveri. Mirëpo, për fat të keq edhe mandateve të kaluara, i kemi pas maksimum vetëm dy gra në pozita vendimmarrëse", tha Rexhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat