Bahtiri e akuzon Kadri Veselin se ia vodhi projektin për Mitrovicën – “Qite projektin që e bëre ndarjen e qytetit në dy pjesë”

Aktuale

Bahtiri e akuzon Kadri Veselin se ia vodhi projektin për Mitrovicën – “Qite projektin që e bëre ndarjen e qytetit në dy pjesë”

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 17:11
Kadri Veseli dhe Agim Bahtiri

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, po e akuzon kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, se ia ka vjedhur projektin për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës - konkretisht pjesët ku synohet të investohet në vendin e quajtur "Ura e Ibrit". Bahtiri kërkon nga Veseli, që: "para se të bëjë projekte për të ardhmen, le ta shpalos projektin, sipas së cilit e ndau Mitrovicën në dy pjesë". Shpalosjen e projektit "Mitrovica e Re", i pari i Mitrovicës së Jugut, përveç që po thotë se është i vjedhur - ai shton, se Kadri Veseli po bën këso gjërash për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, dhe kësosoj "po synon përfitimin e elektoratit".

Dy ditë më parë, Radio Televizioni Publik i Kosovës, shpalosi një projekt të quajtur “Mitrovica e Re”, të impelmentuar nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe PDK-së, Kadri Veseli.

Sipas atij projekti, Veseli synon që të zhvillojë një plan që parashihen investime të mëdha në të dyja pjesët e qytetit (pjesën jugore dhe atë veriore).

Ky plan parasheh renovimin e tërësishëm të Stadiumit “Adem Jashari”, zgjerimin e parkingut të tij, ndërtimin e një Aqua-Parku përreth kësaj hapësire, si dhe ndërtimin e objekteve kolektive të banimit përreth Liqenit Artificial.

Por, pjesa më ambicioze e këtij plani qe thuhet se u ideua nga Veseli – kalon përtej Lumit Ibër, i cili mund të nxisë reagime nga Serbia.

Në fshatrat Suhodoll, Gushavc dhe Vinarc, përskaj Lumit Ibër, por edhe në thellësi të tyre, parashihet të ndërtohen objekte të larta banimi, nga 3 deri në 7 kate.

Gjithashtu, në këtë hapësirë, pritet të ndërtohen edhe shkolla, terren sportive dhe qendra mjekësore.

Projekti parasheh edhe rregullimin e shtratit të Lumit Ibër dhe hapësirës për këmbësorë dhe biçikleta.

I tërë projekti, sipas RTK-së,  shtrihet nga Mitrovica – te Mëhalla e Boshnjakëve e Zveçan, dhe në anën tjetër vazhdon deri në Zupç e Koshtovë.

Por, ky projekt sipas kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, është vjedhur nga ai.  Ai ka thënë se të gjitha këto projekte kanë qenë duke u implementuar nga ana e tij, dhe se si tha ai: “Kadri Veseli e vodhi dhe e prezantoi këtë projekt si të tij”.

Bahtiri, teksa ka folur për Insajderi, ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për vjedhje, kopjim dhe falsifikim të projektit, ku sipas tij, është në përfundim e sipër nga vetë ai, në rolin e kryetarit të Komunës.

I pari i Mitrovicës Jugore, kërkoi nga Kadri Veseli, që para se të shpalosë këso projektesh, ta bëjë publik projektin, ku sipas tij është ndarë Mitrovica, në dy pjesë.

“Ai projekt është vjedhur nga unë. Kadri Veseli e ka kopjuar projektin të cilin unë e kam nisur që një kohë të gjatë. Projekti im parasheh zhvillimin ekonomik të Mitrovicës, dhe është projekt që shumë shpejt do të del në dëgjim public dhe pastaj do të vazhdohet me zbatimin e tij. Parase Kadri Veseli të merret me këso projektesh të vjedhura, le ta qet projektin, me të cilin ai e ka nda Mitrovicën. Sepse projekti i Kadri Veselit, ka bërë që Mitrovica të jetë e ndarë në dy pjesë si është sot. Le ta tregojë të vërtetën e mos të bëjë këso lojërash për interes të tij. Ai që sa vjet është në politikë dhe asnjëherë nuk ka bërë asgjë për Mitrovicën. Pyetne Kadri Veselin, sa para i ke ndarë për Mitrovicën”, ka thënë Bahtiri.

Për Agim Bahtirin, kjo tendencë e Kadri Veselit po bëhet me vetëm një qëllim: Dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, dhe tendenca për të fituar elektorat në qytetin e Mitrovicës.

Madje, Bahtiri thotë se Kadri Veseli nuk ka kompetencë që të merret me zhvillimin ekonomik të Mitrovicës, dhe e ‘këshillon’ që t’i kryejë punët e tij si kryetar i Kuvendit.

“Siç po duket si po synon që vendin ta dërgojë në zgjedhje, dhe kësisoji po tenton përfitimin e elektoratit përmes këso projektesh, të cilat nuk janë në kompetencën e tij. Ai është kryetar i Kuvendit dhe të merret me punët e tij, që i takojnë. Zhvillimin ekonomik të Mitrovicës së Jugut, e bëjë unë, se jam votuar për këtë gjë. Dhe jam duke e bërë zhvillimin ekonomik të qytetit. Këtë e kanë parë qytetarët e Mitrovicës dhe ma kanë besuar edhe një mandat. Kadri Veseli nuk ka ka përzihet me këso projektesh në kompetencat e tjeterkujt. Aq më pak të prezantojë projekte të vjedhura. Para se ai ta bëjë këtë, duhet t’u tregojnë qytetarëve të Mitrovicës, si e ndau këtë qytet. Duhet ta bëjë publik projektin e tij – projekt i cili e ndau këtë qytet”, ka thënë kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Bahtiri ka folur edhe për projektin e tij për pjesën afër Urës së Ibrit, ku tha se shumë shpejt do të ketë investime të mëdha në këtë pjesë, dhe se këtë investim do e bëjë Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe ministritë përkatëse.

Insajderi ka provuar që të marrë ndonjë koment nga ana e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, apo ndonjë person nga kabineti i tij, por që komunikimi me ta ka qenë i pamundur.

Po ashtu, që nga dita e premte, kur është shpalosur projekti “Mitrovica e Re”, nga ana e RTK-së, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk ka folur rreth kësaj çështje – duke mos e pohuar, e as mohuar, se ky projekt është hartuar nga ana e tij.

Raportet e ‘tensionuara’ Veseli-Bahtiri

Raportet ndërmjet Agim Bahtirit dhe Kadri Veselit kanë qenë të tensionuara në vazhdimësi, qysh nga koha kur i pari kandidoi për herë të parë për kryetar të Mitrovicës.

Para disa ditësh, kur Veseli vizitoi stadiumin e qytetit dhe premtoi mbështetje për ndërtimin e saj, Agim Bahtiri “shpërthej’, përmes një shkrimi në rrjete sociale.

Ai e quajti Veselin injorant, dhe gjithashtu duke e akuzuar se ky person e ndau Mitrovicën.

“Kadri Veseli paska dalur këndej pari nga Mitrovica, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, e në vend se të e shikoj emrin e ndritur të Komandantit e të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri”, kishte shkruar Bahtiri.

Nënkryetari i AKR-së ka thënë se Mitrovica nuk ka pasur jug dhe veri, por të tillë e ka bërë Veseli me shokë.

“Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”.

Bahtiri në fund i është drejtuar Veselit se kishte një merak që nuk mundi ta takojë, për siç thotë ai për t’i treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që PDK ka ikur nga Mitrovica.

“Ju paskit dal në qytetin tuaj, aty ku je lindur e je rritur, e më mbeti merak të ju takoj për t’iu treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që nga viti 2013 kur ju ikët nga Komuna si Parti Demokratike dhe kjo ishte gjëja më e shtrenjtë që ia dhuruat Mitrovicës, andaj ju falënderoj në emër të qytetareve për këtë mirësi”, kishte shkruar ndër të tjera kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Por, Kadri Veseli vazhdimisht ishte treguar i ‘relaksuar’ në komunikim me Agim Bahtirin.

Madje, nga Kadri Veseli, ai kishte marrë një epitet të një politikani që pretendon të marrë kryesimin e shtëpisë së bardhë.

Sipas Bahtirit, gjatë një takimi Kadri Veseli i kishte thënë se ai është si Donald Trump.

“Kam ndenjur me Kadri Veselin, më ka habitur për diçka të mirë. Në biseda është shumë i relaksuar dhe më dëgjon me vëmendje. Ai tha se të kemi kryetar si Donald Trump”, ka thënë kohë më parë, Agim Bahtiri.

Po ashtu në një përshëndetje publike, në përurimin e autoudhës Vushtrri-Mitrovicë-Prishtinë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e kishte quajtur Bahtirin me fjalën: “legjendar”

“Shumë i nderuar kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri legjendari”, pati thënë Veseli./Insajderi.com

Projekti “Mitrovica e Re”, që RTK thotë se është përpiluar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kurse kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, pretendon se është vjedhur nga ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat