Shqetësuese, numri i dhunës ndaj grave në Kosovë po rritet

Aktuale

Shqetësuese, numri i dhunës ndaj grave në Kosovë po rritet

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 22:00
Pjetër Nrecaj dhe Valbonë Nrecaj

Shqetësuese, numri i dhunës ndaj grave në Kosovë po rritet

Vrasja e Valbonë Nrecajt dhe vajzës së saj të mitur ditë më parë ka ngjallur reagime të shumta.

Dyshohet se burri i saj, Pjetër Nrecaj ka shtënë në drejtim të saj me armë zjarri, duke lënë të vdekur atë dhe vajzën e tyre.

Kjo nuk është vrasja e parë e një gruaje nga bashkëshorti i saj. Janë në total 100 gra, të cilat kanë qenë viktimë të dhunës në familjes në Kosovë.

Ndërsa, statistikat e Policisë tregojnë se numri i dhunës në familje po rritet nga viti në vit. E dhuna ka qenë edhe shkaku kryesor që disa nga këto raste kanë përfunduar me fatalitet.

Në një prononcim Policia e Kosovës ka thënë se  gjatë vitit 2015 janë evidentuar 1038 raste, ndërsa në vitin 2017 janë 1269 raste.

Ndërsa vetëm gjatë kësaj periudhe të vitit 2018 janë evidentuar 628 raste.

“Sa i përket interesimit tuaj po ua përcjell disa të dhëna lidhur me rastet e dhunës në familje: Gjatë vitit 2015 janë evidentuar 1038 raste, gjatë vitit 2016 janë evidentuar 1227 raste, gjatë vitit 2017 janë evidentuar 1269 raste, kurse në periudhën janar-qershor 2018 janë evidentuar 628 raste”, ka thënë

Por, ata kanë njoftuar se në këto statistika përfshihen edhe rastet kur meshkujt janë viktima të dhunës. Megjithatë, ata janë në numër më të vogël.

Ndërsa, ata kanë shtuar se çdo rast që paraqitet në polici trajtohet në bazë të procedurave dhe të njëjtat procedohen në organet e drejtësisë.

“Raste e dhunës ne familje, trajtohen në baze te procedurave dhe te njëjtat procedohen në organet e drejtësisë. Çdo rast i tillë, pasi trajtohet, me aktvendim të prokurorëve kompetent, të dyshuarit e rastit dërgohen ose jo, varësisht nga rasti në Qendrat e Mbajtjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Megjithatë, janë raste të shumta kur drejtësia nuk ka arritur t’i mbrojë gratë, pasi ato, edhe pse kanë hapur rastet, janë bërë viktimë e burrave të tyre.

Media ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor të dhënave se sa janë rastet kur burrat që kanë ushtruar dhunë ndaj grave të tyre janë dënuar, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ndërsa, deri më sot në Gjykatën Kushtetuese është proceduar vetëm 1 rast për kanosje apo sulm fizik ndaj bashkëshortes.

Në një përgjigje të tyre, thonë se ky është rasti i Diana Kastratit e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

“Deri më sot, në Gjykatën Kushtetuese është proceduar dhe shqyrtuar vetëm 1 rast me kanosje apo sulm fizik ndaj bashkëshortes. Ky është rasti KI 41/12, parashtruar më 17 prill 2012, nga: Gëzim dhe Makfire Kastrati”, thuhet në përgjigjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat