MPJ: Serbia të distancohet nga politikat e Millosheviqit

Aktuale

MPJ: Serbia të distancohet nga politikat e Millosheviqit

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 22:28
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nëpërmes Zyrës Ndërlidhëse të saj në Beograd ka konfirmuar sot edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombësi, përderisa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë.

Sipas informacioneve të para të Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 i dyshuar për veprën penale për terrorizëm, aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Kosovës që nga periudha e luftës.

Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga Serbia mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i bën thirrje Serbisë që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve kosovarë, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë transite.

MPJ edhe njëherë thërret Bashkimin Evropian, shtetet e Quintit dhe komunitetin ndërkombëtarë që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat