Zëvendës Ministri i Shëndetësisë që u gjobit për barnatore pa licencë - Bota Sot
Zëvendës Ministri i Shëndetësisë që u gjobit për barnatore pa licencë

Aktuale

Zëvendës Ministri i Shëndetësisë që u gjobit për barnatore pa licencë

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 09:09
Agim Çaka

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Agim Çaka, vazhdon të qeverisë me me këtë ministri edhe përkundër fakti se ai ka paguar një gjobë prej 7 mijë eurosh pasi barnatorja e tij kishte punuar pa licencë në vitin 2014.

Çaka thotë se dënimi i tij është paguar vetëm kur atë e ka thirrur përmbaruesi ndërsa thotë se do të vazhdojë të jetë në pozitën të cilën e mban.

Eprori i tij Urani Ismajli dhe kryeministri Haradinaj nuk kanë pranuar të komentojnë për faktin se në Ministrinë e Shëndetësisë qeverisë një njeri i ndëshkuar për operim ilegal me barnatore.

Agim Çaka pranon se është dënuar vetëm për shkak të mos licencimit të barnatores së tij “Rigoni” e cila gjendet në Kaçanik ndërsa shton se nuk ishte njoftuar për procedurat e trajtimit të ankesës së tij.

“Derisa më ka ardhur njoftimi prej bankës se dikush ua ka bllokuar xhirollogarinë d.m.th. përmbaruesi. Pra s’kam pasur informacion prej avokatit për me u anku në shkallën tjetër. Edhe për mos me më bo telashe jam marrë vesh me atë përmbaruesin që me e pagu atë shumë pjesë-pjesë dhe derisa e kam kryer ka shkuar procedura kështu”, ka thënë Çaka.

Ai pretendon se dënimi nuk paraqet ndonjë problem për imazhin e ministrisë.

“Unë si Zëvendës Ministër nuk gjobis dhe nuk marr këso iniciativa por unë bashkëpunoj me inspektoratin edhe mendoj që secili duhet me iu nënshtru ligjit aktual. Nuk është çështja vetëm e gjobave por është edhe çështja e edukimit edhe vërejtjeve. Në momentin që nuk punon institucioni nuk munden me qenë fajtorë farmacistët që nuk licencohen”, theksoi ai.

Çaka i tha Kallxo se edhe kryeministri Ramush Haradinaj që e ka emëruar në këtë post, por edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili kanë qenë të informuar për dënimin e tij.

“Jo vetëm ministri por e di ministria komplet edhe nuk është diçka që është mbajtur e fshehtë apo që se ka ditur ministri sepse ka qenë edhe në media. Në momentin kur emërohet Zëvendës Ministri bëhet njëfarë rishikimi se kush është ky person dhe çfarë bagazhi ka. Vetëm pse dënohet dikush për diçka që dikujt iu ka tekë për një moment me e sulmu, me e kapë ligjin në dorë edhe me i mëshu atëherë një farmacist i cili ka diplomu në Sarajevë, dy mandate kryetar Shoqate, që e njeh punën, që punon me nder, sulmohet dhe shfrytëzohet si objekt sulmi, vetëm pse është në pozicion të Zëvendës Ministrit”, përfundoi ai.

Zyra për Komunikim e kryeministrit Haradinaj por edhe ajo e Ministrisë së Shëndetësisë të kontaktuar nga KALLXO.com që të flasin rreth kësaj çështje, kanë refuzuar të deklarohen për emërimin e Agim Çakës në postin e Zëvendës Ministrit.

Agim Çaka u emërua në postin e Zëvendës Ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë më 27 korrik të vitit 2018, por zyrtarizimi i dorëheqjes së Muharrem Kuçit në vendin e të cilit u emërua Agim Çaka, u bë më 31 korrik.

Aktualisht kjo ministri ka edhe tre zëvendësministra të tjerë : Ali Berisha nga AAK, Granit Abdullahu nga AKR dhe Rrustem Musa nga PDK.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...