Hoti: Propozimi i Thaçit për kufijtë po ushqen shpresat e serbëve për ndarje të Kosovës

Aktuale

Hoti: Propozimi i Thaçit për kufijtë po ushqen shpresat e serbëve për ndarje të Kosovës

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 10:09
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar përsëri propozimin e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se ky propozim i Thaçit ka ushqyer shpresat e serbëve që Kosova do të ndahet dhe një pjesë e saj do bashkohet me Serbinë.

Prandaj, siç ka shkruar ai, zgjedhjet e reja do të nxjerrin një qeveri dhe kuvend legjitim, për të marr në dorë fatin e vendit, duke mos lejuar presidentin të bëjë pazare me shtetësinë e Kosovës.

Më poshtë postimi i Hotit:

QEVERIA E RE DO TË ELIMINOJË PASIGURINË POLITIKE QË KA KRIJUAR PROPOZIMI I PRESIDENTIT PËR KORIGJIM KUFIJSH

Propozimi kontravers i Presidentit për korigjim kufijsh i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kahmotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës.

Propozimi për korigjim kufijsh po ndihmon drejtëpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politik të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe po i ushqyen shpresa e tyre se Kosova mund të ndahet dhe një pjesë e saj mund t’i bashkangjitet Serbisë.

Kaq vite mund, investime dhe punë nga ne dhe miqtë tanë ndërkombëtar tash po dëmtohen nga Presidenti i shtetit, i cili në fakt do të duhej të ishte gardian i rendit kushtetues dhe kundërshtues ndaj ideve të tilla kundërkushtetuese.

Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një qeveri dhe kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë Presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës.

Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka kapluar shtetin e Kosovës dhe ka çorientuar miqtë tanë ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës.

Ne mbesim të palëkundur në idealin tonë për një Kosovë demokratike e të pavarur në tërësinë e saj territoriale, të zhvilluar në çdo cep të saj e me mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim, të integruar në BE dhe NATO, si dhe në miqësi të përhershme me SHBA. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat