Procesverbalet: Asociacioni ta kontrollojë kadastrin, prokurimin e arsimin

Aktuale

Procesverbalet: Asociacioni ta kontrollojë kadastrin, prokurimin e arsimin

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 14:08
Ilustrim

Dokumenti i cili është dorëzuar në qeverinë e Kosovës në fillim të gushtit përmban procesverbalet e takimeve në muajt qershor dhe korrik ku përfshihen takimet e grupit punues me kryetarët e komunave, dy ministra të qeverisë së Kosovës, kryetarëve të asambleve komunale, dekanët e universiteteve, si dhe përfaqësues të kulturës dhe të sportit.

Procesverbalet të cilat tash janë në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj në çdo rast Kosovës i referohen si “Kosovë dhe Metohi”, Asociacionit i referohen si “Bashkësi e Komunave…” ndërsa përshkruajnë diskutime të gjata të cilat janë zhvilluar gjatë kësaj kohe.

Dokumente flasim për propozime të pjesëmarrësve të takimeve për përmbajtjen e draft statutit e poashtu konkludimet të cilat janë nxjerrë në fund të procesverbaleve.
Më të rëndësishmet janë listuar në fund ku përfshihen mundësia që Asociacioni Komunave Serbe të ketë pronë të vetën të ketë rol në mbikëqyrja e kadastrit, procesit të akreditimit të universiteteve, standardeve në arsim, krijimi i mekanizmave të prokurimit të pavarur e deri te menaxhimi i aktiviteteve kulturore të përbashkëta.

Propozimet për kadastrin

Në takimin e 14 qershorit 2018 ku ishin prezentë drejtorët dhe udhëheqësit e drejtorive të kadastrit në komunat serbe thuhet se Sladjan Kostiq ka propozuar që Asociacioni të ketë kompetenca të plota në menaxhimin e kadastrit të patundshmërive, diametrit publik, shpronësimit të tokave dhe çështjet kadastrale.

Të pranishmit shkruhet në procesverbale se janë pajtuar për themelimin e një kadastri cilësor të vendosur nën mbikëqyrjen e Asociacionit e cila do të parandalonte keqpërdorimin në udhëheqjen e librave kadastralë dhe punëve të tjera në këtë punë. Ndryshmet në këtë fushë do nënkuptonin ndryshime në funksionimin momental të sistemit kadastral në Kosovë ku tërë procesi mbikëqyret nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ndërsa komunat shërbejnë si institucion i shkallës së parë.

Akreditimi dhe Arsimi

Temë tjetër e diskutimit në procesverbalet e siguruara është edhe sistemi arsimor dhe procesi i akreditimit të universiteteve.

Në takim thuhet se kanë marrë pjesë dekanët e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë dhe drejtorët e shkollave të larta.

Në procesverbale vërehet propozimi i dekani të fakultetit  Juridikut Vlladimir Mihajlloviq ka deklaruar se fakultetet gjithmonë duhet të akreditohen sipas programit serb.
Tutje procesverbali tregon se dekania e ardhshme e Fakultetit të Mjekësisë Suzana Matejiq ka propozuar themelimin e një instituti të mjekësisë ligjore në veriun e Mitrovicës.

Në konkludimet e këtij takimi, ekipi themelues i Asociacionit konstatoi që korniza ligjore në të cilën vepron universiteti në Mitrovicë mos të ndryshohet përfshirë procedurën e akreditimit të fakulteteve.

Të pranishmit thuhet se u pajtuan që Asociacioni të ketë kompetenca dhe në fushat e standardit të studentit, hartimit të programit mësimor vlerësimit të punës aftësimit profesional të kuadrit mësimor. Për momentin kompetencat e përcaktimit të standardeve planporgramit dhe aftësimit të kuadrit mësimor janë kompetenca ligjore të Ministrisë së Arsimit.

Pronat dhe prokurimi publik

Në diskutimet të tjera të grupit ku kishin marrë pjesë të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe është konstatuar që Asociacioni dhe komunat duhet të kenë mundësi që në mënyrë të pavarur të organizojnë prokurimin publik.

Në takim, kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq, ka kërkuar që në Ligjin për Investime Strategjike të kthehen dispozitat që u mundësojnë kryetarëve të komunave të drejtën e ndalimit të privatizimit të subjekteve të caktuara ekonomike.

“Të pranishmit u pajtuan me atë që BKS (Asociacioni) do të duhej t’i mundësonte komunave të kenë kompetenca të gjera në bazë të të cilave do ishin të pavarura në disponimin e mjeteve buxhetore duke përfshirë edhe zbatimin e procesit të prokurimit publik”, thuhet në procesverbale.

Prokurimi publik në nivelin lokal në vend mbikëqyret nga dy mekanizma të nivelit qendror: Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organin e Shqyrtimit të Prokurimit. Dokumenti nuk saktëson nëse pavarësia e propozuar në prokurim nënkupton pavarësinë nga këto dy institucione.

Tutje në takimet me kryetarët e komunave është konstatuar që Asociacioni duhet të ketë prona dhe të mund të ftojë investitorë.

“U konstatua se do ishte pozitive nëse në kuadër të BKS do të mund të fitohej pronësia mbi subjekte ekonomike që më vonë do mundësonte sjelljen e investitorëve e më këtë edhe rritjen e numrit të të punësuarve”, thuhet në procesverbale.

Ditë më vonë ishin mbajtur edhe takimet me kryetarët e asambleve të komunave ku Nemanja Jakshiq, kryetar i kuvendit komunal të Zubin Potokut, kishte propozuar Asociacioni të jetë organi i shkallë së dytë “në mënyrë që të parandalohet që dikush tjetër të vendosë për atë se çka është më e mira për popullatën serbe”.

Në takime të tjera është diskutuar për grupimin e institucioneve të kulturës dhe organizimin e sportit.

Procesverbalet tregojnë se grupi për hartimin e statutit ishte ndihmuar edhe nga juristët e komunave me shumicë serbe dhe një asistencë kishe ardhur edhe nga Fakulteti Juridik në veriun e Mitrovicës.

Pas përfundimit të këtyre konsultimeve grupi punues ka hartuar draft statutin i cili zyrtarisht është dorëzuar në Bruksel. Përmbajtja e tij ende nuk është publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat