“Pastrimi” bëhet me 10 kamionë të rinj

Aktuale

“Pastrimi” bëhet me 10 kamionë të rinj

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 14:00
Xhafer Gashi dhe Feim Salihu

Kompania rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” është bërë me dhjetë kamionë të ri, të cilët do të lehtësojnë punën në menaxhimin e hedhurinave në rajonin e Prishtinës.

Komunat që marrin shërbime nga kompania “Pastrimi” janë bërë sot me nga një kamion të ri, ndërsa komunës së Prishtinës i janë dhënë pesë të tillë. Kjo është bërë me të hyrat vetanake të kompanisë “Pastrimi”, gjë që ndodh për të parën herë.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të kamionëve sot, drejtori i kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu, tha se ky investim arrin vlerën prej 600 mijë euro.

Salihu: Kamionët janë kursim i kompanisë

“Sot ne jemi pajisë me dhjetë kamionë të rinj të cilët janë djersë e këtyre punëtorëve këtu, janë kursim i të gjithë neve që të krijojmë kushte më të mira për një shërbim më të mirë për qytetarët”, tha ai.

Kompania pret që vitin e ardhshëm të marrë një donacion nga Banka Gjermane, i cili do të mundësojë përmbushjen e standardeve për ofrimin e shërbimeve cilësore.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se furnizimi me kamionët e ri do të ndihmojë në kapacitetet e “Pastrimit” për të menaxhuar akoma më mirë me mbeturinat.

Ahmeti: Po përpiqemi të krijojmë infrastrukturën e duhur ligjore

“Progresi juaj është në dobi të shërbimeve më të mira të qytetarëve, fokusi ynë si komuna është që të krijohet një ambient sa më i pastër dhe performanca e mirë e ndërmarrjes publike është jashtëzakonisht pozitive për të gjitha komunat. Ne po përpiqemi që gradualisht të krijojmë një infrastrukturë ligjore me të cilën sigurisht do të na ndihmojë shumë që edhe njësitë tona të kenë më shumë progres, prandaj furnizimi me këta kamionë për njësitë që operojnë me pastrim në komunat tona besoj do të ndihmojë në kapacitetet për të menaxhuar akoma më mirë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi” në të ardhmen, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të pastër për qytetarët.

Gashi: S’do të mungojë bashkëpunimi i komunave me “Pastrimin”

“Padyshim, nuk do të mungojë bashkëpunimi i komunave me kompaninë e pastrimit, shpresojmë në të ardhmen të rritet edhe më shumë buxheti, të krijoni mundësi për lehtësim të logjistikës që është e domosdoshme për juve. Besoj që sa më shumë të jemi bashkëpunues në shtrirjen e rrjetit edhe në zonat rurale, me të vetmin qëllim që të krijojmë një ambient sa më të pastër”, tha ai.

Në këtë ceremoni, ndër të tjera u tha se në vitin 2010 kompania “Pastrimi” ka pasur 44 klientë, ndërsa aktualisht numëron 85 mijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat