Nuredin Lushtaku mohon aktakuzën: Kush dreqin po bën politikë me këtë rast - Bota Sot
Nuredin Lushtaku mohon aktakuzën: Kush dreqin po bën politikë me këtë rast

Aktuale

E premte, 16 nëntor 2018

Nuredin Lushtaku mohon aktakuzën: Kush dreqin po bën politikë me këtë rast

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 15:27
Nuredin Lushtaku

Dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës , Elez Blakaj ngjalli para disa ditësh debatin e madh për listën e fryer të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Madje në një dokument të siguruar nga media, del se ky prokuror më datën 11 korrik të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave, anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit. Në aktakuzë thuhet se për të rehatuar veteranët mashtrues, u shpik edhe një brigadë e ‘themeluar’ në vitin 2016, për të cilën deri më tani nuk ishte dëgjuar.

Një prej emrave të akuzuar, Nuredin Lushtaku ka thënë se nuk ka informacione se është ngritur aktakuzë ndaj tij, apo ndaj dikujt tjetër për këtë çështje. Sipas tij, tërë këtë politikë të ‘pistë’ po e luajnë media të caktuara.

‘’Unë nuk e di që ka aktakuzë, ju e keni dëgju edhe vetë prokurorin që ka thënë s’ka aktakuzë ndaj askujt. S’di pse po pyetni. Koha Ditore mundet me rrejt, s’ka aktakuzë, ku e ka pa ajo. Koha Ditore nuk e di ku e ka marrë atë liste e çka ka ba, ama po të them që unë nuk kam kurrfarë informate që jam i akuzuar për diçka. As ftesë, as njoftim, as kurgjo. Këto politikë të pistë që i bëjnë disa media, a kush dreqin është ka i  bën, le të merren ata me to. Unë kam  qenë e kam dhënë deklaratë, normal qysh janë kan krejt njerëzit që ka qenë  në atë proces, nuk kam qenë vetëm unë. Plot janë kanë që s’kanë qit aty emra hiq. S’kena qenë vetëm unë e Agim Çeku, por gjithë me rend. Por nuk i kanë qit emrat, por po dojnë me bo politika me emra. Unë nuk e kam atë problem, e kam thënë edhe më herët’’, ka treguar Lushtaku.

Ai thotë se  është i gatshëm të përgjigjet në çdo moment për përgjegjësitë e tij që i ka si verifikues i brigadës 114.

‘’Kam qenë me dhënë deklaratë dhe jam i gatshëm të shkoj sa herë kërkon dikush me shku me dhënë deklratë për punën dhe përgjegjësinë tem që e kam pasë. Unë e kam pasë përgjegjësinë ndaj brigadës 114 me verifiku, që kannë qenë përgjegjësi të mija dhe për atë punë jam i gatshëm me dhënë përgjegjësi sa herë të më thërrem dikush dhe aty ku është nënshkrimi im, përgjigjem une. Për tjerat gjëra, le të përgjigjet kush çka ka bo dhe qysh.’’, thotë Lushtaku.

Lushtaku lidhur me brigadën e shpikur ‘Hasan Prishtina’, në mënyrë kategorike ka thënë se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Ai thotë se ka qenë indiferent ndaj saj dhe se nuk do të merret me të.

‘’Sa i përket brigadës Hasan Prishtina, ajo brigadë  s’ka ekzistu. Nuk më intereson rreth saj dhe as që më ka interesu gjatë verifikimit. Janë edhe procesverbalet që i ka edhe gjykata, edhe procesverabalet edhe komisioni kur ka qenë, e të gjitha.  I vetmi takim në komisionin e përgjithshëm që kam marrë pjesë është ai takim për brigadën. Unë u kam thënë që nuk i njoh si ushtarë as s’ka qenë kjo brigadë në atë kohë,dhe as nuk dua të merrem me ta. Kush do të merret me këtë punë, le të merret. Nuk ka ekzistu për mua asgjë. Të njejtat gjana i kam thënë edhe në takim të komisonit dhe në deklaratën që e kam dhënë, s’ka ekzistu dhe çka kanë bë me të e çka jo, nuk e di.’’, thotë Lushtaku.

Në aktakuzën e siguruar, të akuzuar për këtë rast dalin të jenë : Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori i rastit.

Fiks 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test