Këshilltari i Pacollit: Kosova duhet t’i ruaj kufijtë ekzistues - Bota Sot
Këshilltari i Pacollit: Kosova duhet t’i ruaj kufijtë ekzistues

Aktuale

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Këshilltari i Pacollit: Kosova duhet t’i ruaj kufijtë ekzistues

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 08:06
Thaçi e Pacolli

Analisti politik nga Shqipëria, Mentor Nazarko, prej vitesh e njeh nga afër realitetin politik dhe shoqëror në Kosovë, duke qenë edhe këshilltar i lideri të AKR-së dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Nazarko i hedh ujë zjarrit të reagimeve ndaj deklaratave të presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, duke kërkuar Luginën e Preshevës.

“Nuk kam informacione zyrtare dhe as nuk përfaqësoj qëndrim zyrtar me këtë që them. E shoh si test për të nxitur debat, dhe si provokim të palës tjetër, që nëse do të hedhë në tavolinë shkëputjen e veriut, të ketë përballë këtë qëndrim të palës shqiptare”, shprehet Nazarko.

Sipas tij, Serbia është një lojtare e fortë ndërkombëtarisht, për shkak të flirtimit të përhershëm me Rusinë dhe dukjes së saj pro integrimit europian. Në një lojë të tillë, Kosova duhet të maksimizojë mbështetjen e saj.

“Mendoj që prioriteti i Kosovës duhet të jetë ruajtja e kufijve ekzistues, që është edhe qëndrimi i Gjermanisë. Kjo do të thotë ruajtje e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, respektimi i dokumenteve ndërkombëtarë si plani Ahtisari”, thotë analisti.

Duke ruajtur këtë pozicion Kosova nuk nxit reagime të ngjashme në rajon, respektohet Kushtetuta, bashkëjetesa multietnike, por edhe sistemi ekonomik i ndërtuar deri tani. Dhe komponentja ekonomike nuk duhet anashkaluar në bisedime.

“Më bëri përshtypje një studim i ekspertëve serbë, që nga një shkëmbim hipotetik i krahinave që pretendohen nga pala shqiptare, që për shkak të ikjeve të popullsisë kanë mbetur pak, dhe komunave që pretendojnë serbët, Serbia kishte avantazhe ekonomike të konsiderueshme”, tha Nazarko.

Presidenti Thaçi e ka përqendruar reagimin e ditëve të fundit tek rëndësia e përcaktimit të vijës së demarkacionit me Serbinë, por që të arrihet deri aty…

“…Serbia duhet të pranojë që mes saj e Kosovës ka një kufi shtetëror, tani e njeh si administrativ”, mendon Nazarko.

Gjithsesi mes gjithë valës së diskutimeve, përpjekja që Nazarko lexon, mbetet larg teorive konspirative.

“Ajo çka shihet sot është thjesht një përpjekje taktike e z. Thaçi për ta optimizuar pozicionin e Kosovës në negociata, që janë shumë të vështira për Kosovën”, shprehet Nazarko.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test