Abdixhiku: Këta dy politikanë ndërtuan skemën e mashtrimit me 20 mijë veteranët e rremë

Aktuale

Abdixhiku: Këta dy politikanë ndërtuan skemën e mashtrimit me 20 mijë veteranët e rremë

Nga: A.ZH Më: 22 gusht 2018 Në ora: 14:44
Lumir Abdixhiku

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, e kanë kërcënuar prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj, në vend se ta mbronin.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se tashmë njerëzit kryesorë të luftës së UÇK-së, e kanë konfirmuar se Kosova i kishte 12,700 ushtarë, e jo 38,000 sa njihen sot zyrtarisht.

Ai ka akuzuar Haradinajn e Veselin, se ata ndërtuan skemën e mashtrimit me listat e veteranëve, duke theksuar se “pazari” i tyre me 20 mijë vota të veteranëve te rremë, i kushton Kosovës 40 milionë euro në vit, përcjell Bota sot.

“Bënë kështu sepse të dy këta, bashkë me bashkëpartiak të tjerë, me vetëdije të plotë kanë ndërtuar skemën më të madhe mashtruese në vend; 20 e kusur mijë veteranë të rremë për 100 e kusur mijë vota për pushtet. Ky pazar kushton 40 milion euro në vit - për bindjen e tyre naive “para të shtetit” jo tonat, prandaj “ku po na dhemb””, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Abdixhikut:

Njerëzit kryesorë të luftës, bartësit e vet UÇK-së, po e konfirmojnë tashmë të diturën; Kosova i kishte 12,700 ushtarë. Nga buxheti i Republikës megjithatë, sot paguhen 38,000 veteranë. Është fare e thjeshtë, kushdo që nuk e konteston sot mashtrimin është pjesë e vet mashtrimit.

Haradinaj e Veseli në vend të ofrimit të mbrojtjes për një prokuror të kërcënuar - siç bëjnë rëndomë burrëshretasit serioz - zgjodhën të përforcojnë kërcënimin ndaj prokurorit Blakaj edhe më shumë. E quajtën prokurorin “frikacak”, “pishpirik”, “hajn të pulave” e “njeri që s’e don Kosovën”. Bënë kështu sepse të dy këta, bashkë me bashkëpartiak të tjerë, me vetëdije të plotë kanë ndërtuar skemën më të madhe mashtruese në vend; 20 e kusur mijë veteranë të rremë për 100 e kusur mijë vota për pushtet. Ky pazar kushton 40 milion euro në vit - për bindjen e tyre naive “para të shtetit” jo tonat, prandaj “ku po na dhemb?!”.

Këtë skemë, në ftohtësinë e skajshme të papërgjegjshmërisë, e kanë ndërtuar mbi kujtesën e luftës; aty ku s’bën të ndërtohet asnjë mashtrim. Në botëkuptimin e tyre të sotëm për shtet, gjithçka jepet për pushtet. Edhe kujtesa e luftës; edhe dinjiteti i veteranit t’njëmendt; edhe mirëqenia në liri; e së fundmi madje edhe vet kufiri i shtetësisë.

Rrënimi i skemës mashtruese është rrënim i sistemit votues të tyre. Mbi këtë klientelizëm sot qëndrojnë të dy. Prandaj e mbrojnë me çdo mjet themelin e vet. Prandaj bëjnë që një prokuror të lëshoj Kosovën - e pas tij të frikësohet në palcë secili prokuror tjetër që mendon ta hetojë këtë mashtrim. E kanë egzistenciale këtë betejë.

Por zëri i tyre kërcënues s’është zë i shumicës. Logjika e tyre përvetësuese është veç formë e kapjes. Veprimet e tyre të sotme janë institucionalisht fatale.

Shumica megjithatë duan shtet. E kanë dashur gjithëherë. Këtë shtet duhet ta kërkojmë sot. Dorëzimi i Prokurorisë përballë kërcënimit është dështim i Kosovës përballë përpjekjeve tona për shtet. Ky rast definon edhe shoqërinë tonë. Këtu matemi sa jemi të gatshëm për shtetësi - si shoqëri. A e ulim kokën përballë një pakice kërcënuese, apo jemi të gatshëm të dalim mbi secilin kërcënim - prej kujdoqoftë ardhtë ai kërcënim.

Asnjë individ s’meriton nderin e gjunjëzimit të Kosovës për të. Asnjë. Dhe në këtë betejë, gjunjëzimi s’është alternativë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat