Haradinaj: Presidenti Thaçi nuk e ka besimin tim për korrigjimin e kufijve

Aktuale

Haradinaj: Presidenti Thaçi nuk e ka besimin tim për korrigjimin e kufijve

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 15:45
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk e ka besimin e tij për të [përfaqësuar Kosovën në dialog dhe hapur tema për korrigjim të kufijve.

Haradinaj i pyetur nga gazetarët në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë sot, ka thënë se ai ia ka dhënë besimin e tij Thaçit për të përfaqësuar shtetin në dialog vetëm për të sjellë njohjen e Serbisë për Kosovën.

“Janë dy etapa, njëra është dhënia e besimit te presidenti i vendit me përfaqësuar vendin në një proces për marrjen e njohjes së vendit për të cilën ka besimin tim, në tema të kufijve dhe territoreve nuk e ka këtë besim dhe nuk kuptova se si jam hisedarë e një teme të tillë... Nëse presidenti e shtron një temë të tillë nuk e ka shtruar në emrin tim, as grupit parlamentar as partisë që përfaqësojë”, ka thënë Haradinaj duke iu përgjigje gazetarëve.  

Haradinaj po ashtu është përgjigjur ndaj pyetjeve në lidhje me paralajmërimet e LDK-së dhe VV-ssë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Ai ka ironizuar  me opozitën duke thënë se nuk është i kënaqur me punën e tyre.

”Jam i pakënaqur me punën e tyre si opozitë, shumë opozitë e dobët janë, ne vazhdojmë të kemi mospajtime por edhe punë kryejmë sot kemi pas një mbledhje me 24 tema dhe vazhdojmë punën për të mirën e qytetarëve dhe nuk e shohim problematike nismën e  tyre”, ka thënë Haradinaj.

”...LDK dhe VV janë pa guxim politik për me marrë përgjegjësi dhe bëjnë zhurmë në Parlament dhe i ikin përgjegjësisë, e Qeveria i kryen  punët e veta që i takojnë me Kushtetutë dhe me ligj”, ka shtuar kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat