Kërkohet dorëheqja e Lumezit dhe Haradinajt

Aktuale

Kërkohet dorëheqja e Lumezit dhe Haradinajt

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 18:08
Protestë me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”

(E plotësuar) - Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga shoqëria civile për të kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi dhe dorëheqjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Qytetarët mbanin në duar pankarta me mbishkrimin “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet”, “Boll Ma”, "Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur", "A vodhën pula 1 milion refugjatë", e po ashtu edhe fotografinë e Agim Çekut në të cilën shkruante “Nga Hero në Zero”.

Organizatorët kërkuan largimin e bandave kriminale dhe hajnave nga sistemi i drejtësisë e nga politika, teksa protestuesit kanë marshuar nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek vendi i punës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, te ndërtesa e Prokurorisë së Shtetit.

Krenare Logja, nga këshilli organizativ i protestës, tha se janë mbledhur në këtë protestë për të kërkuar që Kosova të jetë vend i lirë, sepse nuk mund të jetë i tillë, përderisa politikanët e vjedhin atë, e shkatërrojnë atë, e kërcënojnë prokuror.

Logja: Vendin tonë nuk e konsiderojmë të lirë

“Nuk mund të kërkojmë asgjë më pak dhe vendin tonë nuk e konsiderojmë të lirë kur shohim sa lirshëm e vjedhin atë politikanët tanë, sa lirshëm ia shkatërrojnë potencialet për zhvillim ekonomik dhe demokratik, sa lirshëm e shesin dhe sa lirshëm e blejnë të drejtën e tyre të bëjnë çka të donë, sa lirshëm kërcënojnë prokuror, sa lirshëm dështojnë të parandalojnë vrasje, sa lirshëm nuk japin përgjegjësi për kurrgjë, sa lirshëm na ofendojnë publikisht, sa lirshëm na shkatërrojnë të ardhmen, nuk mundemi me heshtë”, tha Logja.

Ajo shtoi se nuk ia kanë borxh përbuzjet, ofendimet, hajnitë e kërcënimet askujt. Logja duke iu përgjigjur kryeministrit për ikjet në kampe e male, tha se nuk kanë shkuar vet, por kanë shkuar të përndjekur, të dhunuar, të vrarë, derisa ka pyetur pse nuk i kanë mbrojtur 60 mijë veteranë.

Sipas saj, asnjë meritë e të kaluarës nuk guxon të përdorët për amnistim për krimet e njëzet vjetëve të fundit. Prandaj, ajo tha se kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit dhe dorëheqjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Logja: Kërkojmë shkarkimin nga hajnat e milionave dhe politikanët e korruptuar

“Fati ynë është në duart tona, prandaj sot kemi ardhur këtu të kërkojmë shkarkim prej hajnave të milionave, të kërkojmë dorëheqje prej politikanëve të paaftë e të korruptuar, të kërkojmë ndëshkim prej komandantëve, e jo komandantëve që kanë manipuluar listat për përfitime personale, e të rishikohen listat duke ia filluar nga zero”, shtoi ajo.

Protestuesit me thirrjet, “Me hajna nuk ka shtet”, “Lumez Ik”, “Pishpirik je vet”, e me filikaqa, ia mësynë Qeverisë së Kosovës. Nga aty, kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinajt dhe politikanëve tjerë në pushtet.

Analisti Imer Mushkolaj, kërkoi nga kryeprokurori Lumezi që të jep dorëheqje, sepse nuk duhet ta mbajë peng prokurorinë e shtetit sipas tekeve të politikës. Madje, ai i premtoi përkrahje qoftë me protesta, apo edhe kërkesa tek shefat e tij në politikë.

Mushkolaj: Lumezi duhet të ecë në shtëpi

“Ky njeri nuk mund ta mbajë më peng prokurorinë sipas tekeve të politikës, Lumezi duhet të shkoj në shtëpi. Atëherë ai mund të ketë më shumë kohë të lirë për dreka dhe darka me të akuzuar. Nëse ai nuk mund të vendos vet për fatin e tij, atëherë i ndihmojmë ne edhe në këtë mënyrë, mirëpo, mund t’i ndihmojmë edhe duke intervenuar tek shefat e tij, të PDK-ja, të AAK-ja, të LDK-ja, e të partitë tjera nëse ka nevojë. Ky njeri pengoi prokurorin që ta kryej punën si duhet edhe në rastin ‘Pronto’ edhe në rastin e veteranëve mashtrues”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj shtoi se Lumezi po flet njësoj sikurse kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, sepse është i sojit të tyre.

Derisa, rikujtoi një propozim të një anëtari të AAK-së, për vënien e një takse për gjithë ata të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftë, që sipas Mushkolajt, ai propozoi taksë haraçi.    

Mushkolaj: Zyrtari i partisë së Haradinajt propozoi taksë haraçi

“Do të thotë, ai propozoi vënien e një takse haraçi, diçka që e kemi dëgjuar shumë vjet përpara, madje haraçin kryeministrit dhe partisë së kryeministrit ia ka përmendur partia me të cilin është në koalicion, ‘shefi i shefave’, Adem Grabovci. Këta njerëz tmerrohen nga fjala mashtrues, sepse janë vet të tillë, kanë ardhur në pushtet me rrena e mashtrime, edhe me vota të veteranëve mashtrues dhe vazhdojnë ta mbajnë pushtetin me frikësime e kërcënime. Këta njerëz bërtasin ‘kapeni hajnin’, ndërsa hajna janë vet. Nëse asgjë nuk kanë vjedhur, ose të paktën ende Aleksandër Lumezi nuk ka fakte për këtë, këta njerëz na e kanë vjedhur të tashmen e po na e vjedhin edhe të ardhmen, andaj duhet t’i ndalim”, theksoi Mushkolaj.

Mushkolaj paralajmëroi edhe për protesta tjera për të kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Derisa, me brohoritje, qytetarët kërkonin që protestat të vazhdojë nesër

Protestuesit kundër Lumezit e Haradinajt: Boll Ma

“Boll Ma” ka qenë parulla e protestuesve që po e kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, por edhe përgjigje për deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, që ditë më parë deklaroi se nuk mundet t’i akuzojnë veteranët dikush që në kohën e luftës ka qenë në kampet e refugjatëve.

Qindra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”, gjatë së cilës pati kërkesa për largimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandar Lumezi, derisa pati edhe porosi për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Organizatorët thanë se nuk ia kanë për borxh askujt përbuzjen, ofendimet, hajnitë, kërcënimet, duke përkujtuar se gjatë luftës në Kosovë në Prishtinë nuk është pirë makiato sikurse ka thënë kryeministri Haradinaj.

“A ka vend në fjalorin tuaj pak respekt ndaj shumë viktimave të këtij vendi, o zotëri me kravata. Nuk tolerojmë që prokurorët e askush tjetër të ikin prej vendit, pse deshën të bëjnë punën e tyre. Gjyqësori nuk duhet t’i shërbejë qeverive, por ligjit dhe mbi ligj nuk qëndron askush”, u tha me këtë rast.

Protestuesit kërkuan që “bandat lokale nuk mund të bëjnë çka të donë dhe nuk kanë të drejtë të ngritin veten mbi popullin që çmimin e lirisë e pagoi me çmimin e tij”.

“Kryeministri na tha se ne nuk kemi qenë në luftë dhe nuk e dimë sa veteranë janë në luftë, e ai e di. Por çka të themi ne kur prokurori që e di këtë detyrohet të ikë prej shtetit”.

Ndryshe, kryeprokurori i Shtetit Aleksandar Lumezi ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes nën presionin e organizatave të shoqërisë civile, ndërsa ka mohuar të ketë pasur presion mbi ish-prokurorin Elez Blakaj që dha dorëheqje kohë më parë për shkak të siç thuhet kërcënimeve dhe shantazheve ndaj tij.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur ish-prokurorin Blakaj ‘hajn të pulave’, duke thënë për më tepër se rasti Blakaj po rrezikon marrjen e liberalizimit ë vizave për Kosovën.

Kryeministri po ashtu tha se Vetëvendosje është ajo që po e shfrytëzon situatën e krijuar pas daljes publike të Blakajt për qëllime politike, derisa nuk ka pranuar  të komentojë mbi deklaratat e komandant Sylejman Selimi që kishte deklaruar ditë më parë nga burgu se në UÇK kanë qenë pak mbi 12 mijë pjesëtarë.

Haradinaj ka thënë se nuk komenton deklaratat e Selimit dujke ditur se ai është duke vuajtur dënimin e tij, derisa ka thënë se sa i përket listave, do të vendoset pas procesit të rregullt ligjor.

Fillon protesta e shoqërisë civile, “Lumez, ec” 

Ka filluar protesta/marshi i paralajmëruar i shoqërisë civile, për dorëheqjen e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

Motoja e protestës është “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”.

Disa pankarta të protestuesve kanë këto mbishkrime: Lumez, ec; 20000 gra të përdhunuara, jo “hajna të pulave”; A vodhën pula 1 milion refugjatë?; Pishpirik je vetë e të tjera.

Aty janë parë edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari dhe Ilir Deda.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” marshi i protestuesve do të vazhdojë tek zyra e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Protesta është organizuar pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili ka treguar se ai ishte kërcënuar për shkak se kishte hetuar rastin e fryrjes së listave të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Image

Nis mbledhja e protestuesve

Ka filluar mbledhja e qytetarëve dhe shoqërisë civile për protestën me të cilën do të kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.

Protestuesit kanë përgatitur pllakate në të cilat shkruan "Lumez, Ec" "Nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur" "A vodhën pula 1 milion refugjatë" e po ashtu edhe fotografia e Agim Çekut.

Protestë me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit” 

Organizata të shoqërisë civile mbajnë protestë moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat