“Presidenti serb do ta firmosë pavarësinë, Presheva i bashkohet Kosovës, projekti amerikan ka qenë deri në Nish”

Aktuale

“Presidenti serb do ta firmosë pavarësinë, Presheva i bashkohet Kosovës, projekti amerikan ka qenë deri në Nish”

Nga: P.R Më: 23 gusht 2018 Në ora: 07:18
Harta e Kosovës

Avokati i njohur nga Shqipëria, Spartak Ngjela, përmes një postimi në facebook, ka shkruar se Beogradi do të tërhiqet, dhe do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, pasi serbët e dinë se projekti amerikan ka qenë deri në Nish.

“Po pavarësia e Kosovës? Atë do ta firmosë President i Serbisë. Pse? Sepse kërkon ta lërë me kaq humbjen e Serbisë. Ky në fakt ka mend më shumë nga ata që humbën luftën në vitin 1999. Po Presheva?  Shenjat janë që do t'i bashkohet Kosovës pa asnjë lëshim nga ana e shtetit të Kosovës. Pse do vijë kjo tërheqje e Beogradit? Sepse duan ta lënë me kaq dorëzimin e territorit shqiptar. Ata e dinë se projekti amerikan ka qenë deri në Nish. Ja ky është përfitimi: duan ta lënë me kaq kapitullimin e tyre”, shkruan Ngjela, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Të gjithë beogradasit shqiptarë, por sidomos filoruso-sovjetikët, sot janë më qesharakët.

Image
Spartak Ngjela

l.
I shoh nëpër portale dhe në FB që shkruajnë për "forcën ruse". Në fakt, inspiruesit e moshuar që rrinë në midisin e tyre, janë bolshevikët e vjetër që kanë humbur jetën duke pritur rrënimin e Perëndimit.
Deri më tani kanë qenë të trembur, por sot disi më ndryshe janë.
Në fakt i bashkon këtu optika e tyre orientale, por, më shumë, është dhe frika nga liria individuale perëndimore, sidomos koncepti amerikan.

Me pak kurajë të shtuar duken tani që morën vesh që edhe Saliu e Meta janë të lidhur me Moskën. "Rusia është forcë e madhe ushtarake", thonë, se e kanë frikë të flasin për ekonominë.
Po cila forcë mor' fakirë?
Ja shifrat: buxheti ushtarak i Shteteve të Bashkuara është 610 miliardë dollarë.
Buxheti ushtarak i
Rusisë është 66.3 miliardë dollarë. E shihni ku është forca? Po mos harroni se kjo ka qënë diferenca në dekada. Atëherë? Vërtet mendoni se do pushtojë Ballkanin Perëndimor Rusia!?

E çuditëshme është se ndër këta të fantaksur, ka dhe ndonjë ambasador shqiptar në detyrë.

Edhe Haxhi Qamili ka qenë më realist se këta. Po, le të ushqehen me një shpresë absurde se ua do dhe po ua kërkon psikika.

ll.
Gjithë kohës që i ndjek, këta, fakirë në intelekt kanë qenë. Dëshira të kthyera në tregime qesharake, kanë bërë gjithmonë; sepse kjo ka qenë dhe është jeta e tyre. Nuk i duan shifrat dhe kanë në fakt një besim shtazarak kundrejt regresit që përfaqësojnë.
Gjithsesi, në llojin e tyre, janë më qesharakë se Zyloja, por sot nuk ka në Tiranë një Dritëro që t'i stigmatizojë. Po pse, nuk ishin zyloret dhe vetë Zylo Hoxha, që pretendonin se drejtonin botën! Dhe ka shumë nga këta të sotmit që e kanë besuar dhe e besojnë ende. Në fakt ky është besim shtazarak. Në esencë është inat patologjik që shprehet me fjalë apo "mendim" qesharak.

Ja, këta janë: esencialisht, fakirë zyloanë që presin shkatërrimin e Amerikës dhe të qytetërimit perëndimor. 
Po sa janë? Ç'e pyet sa janë! Një xhep i vogël që tani së fundi menduan të mundnin Amerikën në Shqipëri me Erdoganin dhe me brekushet e Edi Ramës.(!) Po iu ra dhe Erdogani. Po tani?
Do të vijojnë, dhe zakonin e kanë që mblidhen bashkë nëpër kafene dhe "ngrohin" njëri-tjetrin me broçkulla që i servirin si fakte.
Dhe ka dekada që shkojnë nga sovjetët te islami radikal e nga islami radikal te rusi, gjithë po me shpresën e shkatërrimit të Amerikës.

Po janë, ose përbëjnë rrezik këta për aleancën shqiptaro-amerikane? Asgjë nuk mund të bëjnë. Le që të gjithë kanë frikë të flasin kundër Amerikës, që nga Saliu e deri te Zyuloja i tyre më i fundit.

Shqipëria dhe shqiptarët janë sot në ngjitje.

lll.
Po në Kosovë, a ka zylore?
Sigurisht që ka, por ata janë me sy nga Beogradi dhe presim edhe ndonjë pagesë. A e patë përgjigjen e Amerikës për kufirin?
Ja, tani do të ketë heshtje.
Po pavarësia e Kosovës? Atë do ta firmosë President i Serbisë. Pse?
Sepse kërkon ta lërë me kaq humbjen e Serbisë. Ky në fakt ka mend më shumë nga ata që humbën luftën në vitin 1999.
Po Presheva? 
Shenjat janë që do t'i bashkohet Kosovës pa asnjë lëshim nga ana e shtetit të Kosovës.

Pse do vijë kjo tërheqje e Beogradit?
Sepse duan ta lënë me kaq dorëzimin e territorit shqiptar. Ata e dinë se projekti amerikan ka qenë deri në Nish. Ja ky është përfitimi: duan ta lënë me kaq kapitullimin e tyre. 
Kurse Berisha këtu po kërkon destabilizim në shtator, po kështu edhe Meta. Dhe zyloret kanë ngritur veshët.

Mendojnë se Saliun dhe Metën do t'i ndihmojnë rusët. Por tani i ka trembur Erdogani me lirën e tij në rënie. Këta tanët ende nuk e dinë faktin që Turqia gjendet mu në zgrip të një krize financiare shumëplanëshe. Po Rama e di. Nuk e di, por do ta mësojë.

"Bashkimi i Rublës ruse dhe Lirës turke, do të mundë Dollarin", thoshin zyloret tanë nëpër tryeza këto ditë. 
Jo mo, këta janë më injorantë se Zyloja. Ore trutharë! Po a e dini ju që dollari sot përfaqëson mbi 60 përqind të rezervës monetare botërore, dhe euro vetëm 20 përqind?
Qeshni me këta zylore, se shumica janë në Tiranë: qeshni! se dhe për ca pak kohë do t'i kemi nëpër këmbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat