Shoqatat e UÇK-së në Dukagjin kërkojnë ndaljen e tendencës së rrezikshme kundër UÇK-së

Aktuale

Shoqatat e UÇK-së në Dukagjin kërkojnë ndaljen e tendencës së rrezikshme kundër UÇK-së

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 11:28
Ilustrim

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin, kanë kërkuar ndaljen e tendencës së rrezikshme kundër luftës çlirimtare dhe janë në përkrahje të plotë të deklaratave të komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, për numrin e veteranëve dhe të gjitha çështjet e tjera të ngritura.

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, degët e Dukagjinit, ku përfshihen ato në Deçan, Pejë, Gjakovë, Istog, thonë se kanë përcjell me shqetësim debatin që po ndodh rreth Luftës Çlirimtare dhe tendencës për degradimin e saj nga faktorë të ndryshëm, të cilët si duket po veprojnë më të sinkronizuar se kurrë më parë.

Sa i përket debatit rreth luftës në Dukagjin, ata kanë rikujtuar opinionin se lufta në Dukagjin nisi më 24 mars 1998, që i bie 1 vit para bombardimeve të NATO-s dhe pas intensifikimit të saj.

“Që nga prilli 1998 nuk ka asnjë ditë në të cilën nuk ka rënë të paktën një Dëshmorë. Janë 920 Dëshmorë, që ranë në ZO të Dukagjinit, e një e treta e tyre pikërisht si pjesëtar të shtabeve lokale që u themeluan pothuajse në të gjitha vendbanimet në komunat e Dukagjinit. Rreth 1650 luftëtarë, mbetën të plagosur në frontet e luftës. Vlen të përmendet se vetëm fshati Gllogjan dha 27 Dëshmorë. Përpos shtabeve lokale në të cilat u mobilizuan i madh e i vogël, janë 8 brigada që vepruan në territorin e Dukagjinit, që kanë qenë tmerri i armikut, me çka vërtetohet edhe nga librat dhe dokumentaret e realizuara nga vet serbët, pjesëmarrës të luftës apo gazetarë. Për shkak të humbjeve që i pësonin në terren nga UÇK, forcat jugosllave, kryen në Dukagjin masakrat e tmerrshme në civilë, si në Meje, Lybeniq, Qyshk, Beleg e në shumë lokacione të tjera, duke ekzekutuar mijëra civilë të paarmatosur. Gjithashtu Peja, D eçani, Istogu e Gjakova, prijnë si qytete në Kosovë, për sa i përket shkallës së shkatërrimit, e cila arrin deri në 74%. Të gjitha këto fakte, mbështesin argumentin e ashpërsisë së luftës që u zhvillua në Dukagjin, dhe nëse dikush mendon se tërë këtë luftë e bën një grusht njerëzish, atëherë gabohet, sepse mobilizimi i cili arriti kulmin në qershor të vitit 1998, grumbulloi dhjetëra mijëra luftëtarë me armë në dorë të cilat siguroheshin me vështirësi në rrugën e gjatë nëpër Bjeshkët e Nemuna”, thuhet në reagimin e shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin, të cilat kanë kërkuar ndaljen e kësaj tendence të rrezikshme kundër Luftës Çlirimtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat