Ish-avokati i Popullit, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka shkruar në Facebook një sërë probleme se çka ka shkatërrua pushteti në Kosovë.
Ai i ka renditur problemet një nga një, prej shkatërrimit të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, UÇK-së e shumë të tjera.
Pas shkatërrimit të arsimit thotë se pushteti e instalojë injorancën si vlerë apo model shoqëror, e pas shkatërrimit të shëndetësisë thotë se e shpallën sëmundjen si gjendje normale të shëndetit popullor.
Lexojeni shkrimin e plotë:
TRIUMFI I BRUTALITETIT FASHIST TË PUSHTETIT NË KOSOVË!
Pasi e shkatërruan arsimin, arritën të instalojnë injorancën si vlerë-model shoqëror.
Pasi shkatërruan shëndetësinë, arritën të shpallin sëmundjen si gjendje normale të shëndetit popullor.
Pasi arritën të shkatërrojnë ekonominë, e plaçkitën atë që mbeti pa shkatërruar.
Pasi shkatërruan UÇK-ën, arritën ta zhvlerësojnë luftën çlirimtare deri në krim.
Pasi e mbushën administratën shtetërore e publike me militantë hajna e injorantë, e shndërruan atë në burokraci të kalbur dhe makineri votuese.
Pasi shkatërruan besimin e qytetarit me mashtrime politike, duke tëhuajsuar vullnetin politik të shprehur me votë me aleanca kriminale të territ dhe natës, degraduan parlamentin në makinë votuese të tradhëtisë shtetërore e kombëtare dhe të legjitimimit të krimit të organizuar institucional.
Pasi shndërruan qeverinë në makinë sunduese dhe zhvatëse të mundit, pasurisë dhe të parasë publike, e kriminalizuan atë deri në shkallën e kërcënimit me zhdukje fizike të kundërshtarëve politikë.
Pasi arritën të instalojnë dorën e tyre të zgjatur kriminale në institucionet e rendit dhe sigurisë - polici dhe në AKI, monopolizuan edhe aparatin e dhunës shtetërore, duke e shndërruar në makineri vrastare dhe shtypëse të vullnetit popullor.
Pasi e kapën sistemin e drejtësisë, jo vetëm që arritën të shkatërrojnë drejtësinë shoqërore, por edhe çdo bazë ligjore për shkarkimin dhe largimin e tyre nga pushteti me mjete ligjore.
Nuk kanë lënë rrugëdalje tjetër: kundërshtimin popullor me protestë deri në zhdukjen politike të kësaj kaste vrastare të Republikës së Kosovës.
Ky është shpëtimi i vetëm i popullit nga klika e tashme fashiste e instaluar në Kosovë!
Përpara!