Seminaristët të interesuar edhe për historinë shqiptare

Aktuale

Seminaristët të interesuar edhe për historinë shqiptare

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 10:30
Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Sikur çdo vit tjetër, edhe edicioni i 37 i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare ka mbledhur rreth vetes studiues e albanolog të shumtë nga vende të ndryshme të botës.

Për ata që vijnë për herë të parë në Kosovë, ky rrugëtim është më sfidues pasi që shumica prej tyre janë në hapat e parë të këtij rrugëtimi, drejt mësimit të gjuhës shqipe. Ndërsa, për ata që ardhja në Prishtinë tashmë është bërë pothuajse e përvitshme, gjuha shqipe vlerësohet të jetë historia vet.

Madje ka edhe nga arbëreshët e Italisë, që vijnë për të përvetësuar gjuhën standarde shqipe, e për ta pasuruar fjalorin e tyre me fjalë të reja.

Kjo është arsyeja që për të tretin vit radhazi e ka shtyrë Maria Teresa Conte që të vijë në Prishtinë nga Kalabria e Italisë.

Si një studiuese e zonja e gjuhës shqipe që është, arbëreshja nga Italia thotë se do të vazhdojë të vijë në Kosovë edhe viteve tjera. Ndërsa kujton edicionin e 35-të të seminarit, që për të ishte i pari e që i kishte lënë më së shumti mbresa për shkak të kontaktit me ambientin.

Conte: Seminari i Gjuhës Shqipe është shumë special për mua

“Seminari është special sepse këtu mund të njohësh Shqipërinë, mund të flas me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe të mësosh gjuhën dhe letërsinë me ligjëratat. Prishtina me banorët e saj janë shumë të bukur, sepse mikpritja që është këtu nuk gjendet në pjesët e tjera të botës”, tha ajo.

Ajo që kësaj radhe e bëri më të veçantë qëndrimin në Kosovë, ishte Festa e Kurban Bajramit, pjesë e së cilës ishte bërë për të parën herë. Ajo që i kishte pëlqyer më së shumti, ishin ëmbëlsirat tradicionale shqiptare.

Kësaj radhe nuk mungonin studiuesit gjerman, që kishin mësyrë studimin e shqipes. E njëra nga ta ishte edhe Hanna Hoeger nga Bambergu, e cila është në hapat e parë të mësimit të shqipes.

Megjithatë Hoeger nuk përton të shpreh në shqip përshtypjet e saj për Kosovën. Ajo tregon për KosovaPress, se ka vizituar disa qytete në shkurt të vitit të kaluar, derisa veçon njërin nga ta.

Hoeger: Prizreni është shumë i mirë

“Unë kam shoqe në Prizren. Prizreni është shumë i mirë”, tha ajo.

Ndërsa Oliver Kleinschek që jeton në Mynih të Gjermanisë, thotë se është lashtësia e gjuhës shqipe dhe fakti se flitet më pak në botë, ajo që e ka shtyrë ta mësojë shqipen.

Krahas mësimit që e ka bërë vet, ai prej këtij viti është pjesëmarrës i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare,

Kleinschek: Gjuhën shqipe e kam mësuar vet, me libra dhe CD

“Seminari është shumë interesant për mua sepse dua të përmirësoj shqipen time sepse në Gjermani punojë me orar të plotë dhe nuk kam mundësi që të shkoj në kurs. Kam mësuar shqipen kryesisht vet, nga librat dhe CD-të. Kam marrë vetëm disa mësime profesionale, por kryesisht kam mësuar vet... 1’50” Shpresoj se është eksperiencë e mirë të flas shqip në Kosovë dhe Shqipëri sepse shqipja është nga gjuhët e vogla, nuk flitet shumë në botë dhe shpresoj të bëj përshtypje kur flas shqip”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, është profesoresha Flora Koleci, ligjëruese e nivelit të tretë, ajo që flet rreth progresit pozitiv që kanë shënuar seminaristët.

Koleci: Seminaristët na befasojnë çdo vit

“Ka shumë përmirësim dhe në fakt ne befasohemi. Mendojmë se me atë nivel që janë nisur dhe janë kthyer në vendet e tyre, ose kanë harruar diçka ose janë në atë nivel, por me sa duket katedrat e shqipes në vendet përkatëse, por edhe interesi i tyre individual ku ata nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me katedrat është shumë i lartë”, tha ajo.

Në një prononcim për KosovaPress, Koleci ka thënë se interesimi i tyre është aq i madh sa që shkon përtej mësimit të shqipes.

Koleci: Seminaristët të interesuar për kulturën dhe historinë shqiptare

“Interesi i tyre është shumë i lartë, pavarësisht niveleve ku janë. Natyrisht, ata të niveleve të larta kanë interesa edhe përtej gjuhës në vetvete sepse nuk është një seminar thjesht për gjuhën për ta mësuar si gjuhë dhe për ta përdorur atë, por për shumë prej tyre ka mjaft interesa për kulturën, për historinë, për doket, zakonet, antropologjinë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq Christopher Tushaj, që vie për të tretën herë në seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, përveç veçantisë së seminarit, i ka rënë në sy edhe rritja e çmimeve në Kosovë.

Tushaj: Janë shtrenjtuar çmimet

“Krahasimi i çmimeve me vitet e kaluara, janë shtrenjtuar një çikë”, u shpreh ai.

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare ka nisur më 20 gusht, ndërsa çdo ditë në kuadër të tij mbahen ligjërata dhe tryeza ku takohen seminaristë dhe albanolog të vendeve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat