Kurti iu thotë gjermanëve se Thaçi po bënë pazare të dëmshme me Serbinë

Aktuale

Kurti iu thotë gjermanëve se Thaçi po bënë pazare të dëmshme me Serbinë

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 11:13
Pamje nga takimi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, nënkryetar i Lëvizjes, Besnik Bislimi, deputetja, Fitore Pacolli, dhe zyrtarja nga sekretariati për marrëdhenie me jashtë, Diona Budima, pritën sot delegacionin e Partisë Social-Demokrate nga Bundestagu gjerman, të përbërë nga deputetët, Josip Juratovic, deputeti Dr. Martin Rosemann, me bashkëpunëtorët e tyre, Roberta Walser, Yannick Schulze, Dr. Christian Steg, si dhe drejtori i Fondacionit Friedrich-Ebert në Kosovë, Frank Hantke.

Sipas një njuoftimi të LVV-së, Social-Demokratët nga Gjermania, deputetët së bashku edhe me të rinjtë social-demokratë, në kuadër të vizitës së tyre në rajon, u interesuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, si dhe shprehën interesim të veçantë të informohen rreth programit politik dhe angazhimeve të Lëvizjes Vetëvendosje!.

“Gjatë takimit, Kryetari Kurti shpalosi parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes, të orientuara në shtetndërtim demokratik dhe zhvillim socio-ekonomik. Ai foli për domosdoshmërinë e luftimit të krimit e korrupsionit si për sistemin e drejtësisë ashtu edhe për investimet në ekonomi. Dhe, për rëndësinë e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nevojën për forcimin e së majtës në Evropë dhe solidaritetin brenda saj, si rrugë të sigurt që mbron e ngrit BE-në”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në trajtimin e zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, mes të tjerash, Kurti thuhet të ketë theksuar se dialogu i Presidentit të Kosovës Thaçi me Presidentin e Serbisë Vuçiq për korrigjim të kufijve e shkëmbim territorial është i padrejtë, i dëmshëm qysh sot dhe i rrezikshëm në vijim.

“Juratovic dhe z.Kurti u pajtuan se ky pazar në tentativë midis presidentësh, vije nga karakteri autokratik i pushteteve të këtyre dy presidentëve e që është edhe kundër demokracisë edhe kundër republikës. Prandaj, tani si kurrë më parë nevojitet një komunikim, koordinim dhe solidaritet mes partive social-demokrate në rajon dhe Evropë. Në fund të takimit palët shprehën gatishmërinë dhe interesin për thellimin e bashkëpunimit mes Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat