Nënkryetari i AAK-së: Shkëmbimi i territoreve ka kuptim vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

Aktuale

Nënkryetari i AAK-së: Shkëmbimi i territoreve ka kuptim vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 13:23
Muharrem Nitaj

Partia e Ramush Haradinaj ka nisur të ndryshojë qëndrim për temën e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas deklaratave të zyrtarëve amerikanë se nuk e kundërshtojnë një ide të tillë nëse dy vendet arrijnë marrëveshje.

Njëri prej udhëheqësve të Partisë së Kryeministrit Haradinaj, Muharrem Nitaj, ka thënë se shkëmbimi i territoreve mund të ketë kuptim vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve me një marrëveshje dypalëshe do të mund të kishte kuptim, vetëm pasi që Serbia ta ketë njohur Kosovën në kufijtë që i ka sot”, ka deklaruar Nitaj.

Një ditë më parë, Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton ka thënë në Kiev se SHBA nuk do të jetë pengesë në rast se Kosova dhe Serbia merren vesh për shkëmbim të territoreve.

“...Nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale”, ka thënë Bolton.

Sidoqoftë, në këtë situatë, në kohën kur Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, Nitaj thotë se as nuk duhet të hapet kjo temë.

 “Qëndrimi i AAK-së e i deputetëve të saj, është kundër edhe vet idesë së hapjes së  kësaj teme. Unë besoj se ky do te jetë edhe qëndrimi i Kuvendit në përgjithësi”, tha Nitaj të shtunën.

Nitaj konsideron se raporti i Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë i njejtë si para 20 vjetësh.

“Kosova është pavarësuar në këta kufij që i ka, pas një lufte të përgjakshme dhe pas një gjenocidi që Serbia e ka ushtru ndaj popullatës shqiptare. Për fat të keq lidershipi në Serbi në raport me Kosovën është në të njejtat pozicione siç ka qenë qenë para 20 vjetësh, prandaj ideja e shkëmbimit të territoreve, është mision i pamundshëm”, thotë ai.

Ka më shumë se një muaj që presidenti Hashim Thaçi po promovon me intenzitet të shtuar idenë e tij për shkëmbim të territorit me Serbinë. Deri më tani, Thaçi  nuk e ka mbështetjen e partive politike, as në pushtet e as në opozitë. Kundër kësaj ideje dhe çfarëdo ndryshimi të kufijve në Ballkan  kanë dalë  Gjermania, Britania e Madhe dhe njohës të çështjeve të Ballkanit.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe AAK-në ideja për ndërrim të kufijve, ndarje ose shkëmbim të territoreve, do të thotë luftë. Qëndrim të kundërt me atë të Thaçit po mban edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ndryshimin e kufijve, Veseli e ka quajtur plan serb.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat