Serbia “i dhuroi” 50 fshatra me serbë veriut të Kosovës në 1950, gjeografi kritikon presidentin Thaçi

Aktuale

Serbia “i dhuroi” 50 fshatra me serbë veriut të Kosovës në 1950, gjeografi kritikon presidentin Thaçi

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 14:11
Qerim Kastrati

Në vitet 50-të Serbia i ka dhënë Kosovës 200 km2 dhe 50 vendbanime, duke ndryshuar qëllimshëm përbërjen e saj etnike. Gjeografi nga Kosova, Qerim Kastrati kritikon presidentin Thaçi se nuk konsultohet me Akademinë për çështjet e kufijve

Qerim Kastrati, profesor në kolegjin e Prishtinës AAB, në një intervistë për “Shekulli” shprehet se korrigjimi i kufijve e kthen Kosovën edhe 50 vite pas në kohë dhe është në dëm të saj. Më tej, bën me dije, se çështja e kufijve është trajtuar edhe në vitet e kaluara, për të ndryshuar në mënyrë të qëllimshme përbërjen etnike të Kosovës. Kjo ka ndodhur në fundin e viteve 50, kur Serbia ka bërë disa ndryshime territoriale me qëllim krijimin e heterogjenitetit etnik, duke i dhënë Kosovës rreth 200 km2 dhe 50 vendbanime të komunës së Zveçanit. Përgjatë kësaj bisede, gjeografi kritikon Presidentin Thaçi për vendimin e padrejtë që ka marrë, duke i vënë në pah edhe mungesën e konsultimeve me Akademinë e Shkencave për këto çështje të rëndësishme.

Z.Qerimi, si e komentoni situatën aktuale ne marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë?

Marrëdhëniet politike Kosovë-Serbi janë të ftohta, ndërsa ato ekonomike janë në nivel të mirë. Korrigjimi apo rirregullimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë e kthen Kosovën në fund të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, dhe është në dëm të Kosovës. Dihet mirë nga njohës të kësaj çështje se, Serbia në fund të viteve ‘50 ka bërë ndryshime territoriale për një organizim territorial dhe administrativ, të përshtatshme për Serbinë e që kishte për qëllim krijimin e një heterogjeniteti etniko-demografik, duke i dhënë Kosovës rreth 200 km2, me rreth 50 vendbanime komunës së Zveçanit. Domethënë, duke e ndryshuar qëllimshëm përbërjen etnike në pjesën veriore të Kosovës

A ka tagër Presidenti i Kosovës të kërkoj ndryshim kufiri, nëse nuk merr miratim nga Parlamenti apo nga një referendum i popullit kosovar?

Jo nuk ka tagër Presidenti, sepse Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende të botës në këta kufij. Thaçi ka qenë në bisedime në Vjenë kur është përgatitur Pakoja e Ahtisarit për Pavarësinë e Kosovës. Dhe tani nuk mendoj, së është ndonjë fontanë dëshirash që të luhet me kufij. Institucioni i Presidentit në Kosovë ndryshon me atë në Serbi. Unë e kuptoj dëshirën e z.Thaçit që të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit për bisedime të rëndësishme, por mantra e zgjedhjes së saj në pozitën e presidentit nuk ia lejon. E kuptoj dëshirën e tij që të jetë negociator me Vuçiçin, por duhet dalluar që Vuçiç është zgjedhur me vote të drejtpërdrejtë nga populli dhe ka mandat. Gjithashtu Vuçiç konsultohet me Akademinë, ndërsa Thaçi nuk e informon e as që konsultohet me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Ndoshta Presidenti Ibrahim Rugova do e kishte të drejtën të bisedonte për kufij dhe çështje të tjera për Kosovën, sepse ka qenë arkitekt i saj. Gjithashtu, në të gjitha zgjedhjet kishte më shumë se 50% të votave të popullit. Konsideroj se z. Thaçi nuk e ka perkrahjen as të PDK në tërësi, për këtë nuk është personalitet konsensual. Në qoftëse se nuk arrihet konsensus politik brenda parlamentit dhe forcave politike, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe populli do caktojë kush do të udhëheqë bisedimet në emër të Kosovës.

Sa është mundësia që çështja e Kosovës të zgjidhet nga ana e Bashkimit Evropian?

Nuk jam njohës i politikës, por konsideroj që konsensusi i gjerë i subjekteve parlamentare, duhet të arrihet në Parlament për platformën e bisedimeve. Problem më i vogël është se kush i udhëheq bisedimet: Presidenti i Kosovës, Kryeministri, Kryeparlamentari apo ekip konsensual i partive politike, ku duhet të përfshihen ekspertë të fushave përkatëse. Konsideroj se pa ndihmën dhe ndërmjetësimin e SHBA dhe BE, çështja e Kosovës me Serbinë nuk mund të zgjidhet. Ndryshimi i kufijve nuk është i pranueshëm për Kosovën, sepse do të shkaktojë trazira në Regjionin e Ballkanit. Bashkësia e Komunave duhet të krijohet duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Shqipëria nuk ka nevojë të përzihet shumë në çështjet tona. Ta ndihmojë procesin është e mirë, por jo të ndërhyjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat