Panchev: E pakuptimtë që Kosova të negociojë ndarjen e vet

Aktuale

Panchev: E pakuptimtë që Kosova të negociojë ndarjen e vet

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 12:09
Anton Panchev

Derisa në Kosovë po debatohet për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje përfundimtare, për politologun bullgar, Anton Panchev është e pakuptimtë që Kosova të negociojë ndarjen e vet.

Në një intervistë për KosovaPress, Panchev ka shprehur bindjen e tij të plotë se dialogu është e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje, ndonëse thekson se duhet pasur shumë kujdes.

Ai tërheq vërejtjen që pala Kosovës të vendosë vija të kuqe për Serbinë, në mënyrë që të mos kontestojë sovranitetin dhe territorialitetin e vet.

Panchev: Kosova nuk duhet të negociojë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vet

“Unë besoj se vetëm me dialog mund të zgjidhen problemet e ndryshme, edhe në këtë rast, por Serbisë duhet t’i vihen disa vija të kuqe të cilat duhet të respektohen nga negociuesit serb. Këtu është e nevojshme edhe ndihma e ndërmjetësuesit. Sipas meje, gjithcka është e qartë, me këto negociata, Republika e Kosovës duhet të mbrojë sovranitetin, pavarësinë, rendin kushtetues të vendit dhe duhet të bëjë përpjekje për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë. Jam në dijeni se është shumë e vështirë të bëhet kjo gjë, por Republika e Kosovës i ka aleatët e vet. Serbia ka probleme të ndryshme me fqinjët e vet si Bullgarinë, Hungarinë, Kroacinë, madje edhe me Rumaninë, pra, Prishtina, Kosova nuk është e vetme në këtë proces, por nuk duhet të ketë asnjë lëkundje në këtë drejtim. Kosova nuk duhet të negociojë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj”, ka thënë ai.

Albanologu dhe politologu bullgar thotë se sipas të drjetës publike ndërkombëtare korrigjimi i kufijve është një proces normal, por bëhet fjalë thjesht për demelitimin dhe demarkimin e kufirit, pa nënkuptuar këmbim të territoreve.

Teksa shton se është Serbia ajo që nuk do të jap asnjë metër katror nga territori i saj, pasi që kjo e fundit ka për synim boshatisjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Madje, ai shuan shpresat se një bashkim i Luginës me Kosovën mund të ndodhë, pasi që Serbia nuk do të heq dorë nga këto territore për arsye strategjike dhe nacionaliste.

Panchev: Synimi i Serbisë është boshatimi i Luginës, interes ky strategjik dhe nacional

“Strategjia e Serbisë është boshatimi i Luginës, pra zbrazje e trojeve shqiptare të cilat ndodhen në Serbi, në Preshevë, në Medvegje për shkak të mungesës së investimeve, për shkak të presionit të vazhdueshëm në fushën e kulturës, në fusha të tjera mbi popullatën shqiptare, lidershipi në Beograd nuk ka ndërmend fare t’i jap këto territore Kosovës... Serbia nuk do të heq dorë nga këto territore për arsye të ndryshme, edhe strategjike, edhe nacionaliste. Do të ketë frikë se rajonet e tjera si Sanxhaku dhe Vojvodina do të kërkojnë më shumë autonomi. Pra, nuk mund të realizohet kjo gjë. Unë i di ëndërrat e shqiptarëve, por duhet të jemi realist”, potencoi ai.

Njëherit, duke folur për veprimet e fundit të shtetit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, ku kjo e fundit i kishte ndalur disa herë e madje edhe arrestuar shtetasit Kosovës , Panchev thotë se një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë bie mbi Bashkimi Evropian.

Panchev: Për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë fajin e ka edhe BE

“Serbia do të bëjë edhe më shumë provokime për shkak të negociatave. Kjo është strategjia serbe nga fillimi. Gjithashtu, Serbia nuk i ghzbaton marrëveshjet e arritura, vazhdon të mos i zbatojë. Kjo strategji, krejt negative, ka edhe një ndikim të keq jo vetëm për dy palët, por edhe në rajon, sepse Bullgaria ka probleme të ngjashme me pakicën bullgare në Serbi, ku Beogradi bënë presion mbi këtë komunitet dhe mbi përfaqësuesit e komunitetit bullgar atje. Pra, këtu fajin e ka edhe BE-ja si ndërmjetësuese, sepse nuk reagojnë zyrtarët e Brukselit në mënyrën e duhur. Mbi Serbinë duhet të ketë presion të vazhdueshëm për zbatimin e marrëveshjeve, për dënimin e provokimeve”, tha politologu.

Sa i përket asociacionit të komunave serbe në Kosovë, eksperti i cështjeve të Ballkanit, thotë se serbët në Kosovë kanë shumë të drejta dhe zgjerimi i tyre përmes kësaj forme do të ishte i dëmshëm për vendin.

Panchev: Asociacioni i komunave serbe i dëmshëm për Kosovën

“Nuk duhet të lejohet shkelja e Kushtetutës në asnjë mënyrë sepse një gjë e tillë do të dëmtonte rëndë Kosovën në të ardhmen… serbët në Kosovë kanë të drejta të shumta kolektive. Një serb në Kosovë ka më shumë të drejta politke, sociale, kulturore në Kosovë, se sa në Serbi. Shqiptarët janë mbi 90 përqind në Kosovë dhe u kanë bërë shumë shumë lëshime serbëve, mjafton. Serbët i kanë të drejtat e tyre dhe nuk duhet të zgjerohen, do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për serbët, sepse ata duhet të kuptojnë se jetojnë në një shtet ku të drejtat e tyre janë të mbrojtura në mënyrë shumë të mirë dhe nuk mund të kërkojnë më shumë. Duhet të punojnë edhe ata për zhvillimin ekonomik, zhvillimin kulturor të Kosovës”, deklaroi ai.

Ndryshe, albanologu Anton Panchev po qëndron në Prishtinë në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat