John McCain do të mbetet edhe hero për Kosovën dhe Shqipërinë

Aktuale

John McCain do të mbetet edhe hero për Kosovën dhe Shqipërinë

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 12:54
John McCain

Liderët nga Kosova dhe Shqipëria, pas vdekjes së senatorit amerikan, John McCain, kanë shkruar se shqiptarët humbën një mik të madh që luftoi deri në fund për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas vdekjes së senatorit amerikan John McCain, ka shkruar se ai ishte mik i madh i lirisë dhe pavarësisë sonë.

“Vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës kishim nderin të presim senatorin John McCain, mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë sonë. I ruaj të paharrueshme mbresat e veçanta nga takimi me të. Një mendje briliante që me pak fraza zbërthente edhe problemet më komplekse të kohës sonë. Kosova ka qenë e bekuar duke pasur miq të tillë si senatorin McCain. Vdekja e tij na ka pikëlluar të gjithëve. Prehu në paqe miku ynë i madh e i paharruar”, ka shkruar Veseli në facebbook.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëheresh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limajt, thotë ta këtë marrë me keqardhje lajmin për vdekjen siç shkruan ai të mikut të madh të shqiptarëve, senatorit republikan John McCain. Qytetarët e Kosovës, sipas Limajt nuk do ta harrojnë asnjëhere kontributin e senatorit McCain i cili i dha mbështetje Kosovës në momentet më të rëndësishme për vendin tonë. 

“McCan me angazhimin e tij dhe me qëndrimet e forta prej një burrështetasi, nga një hero i luftës u bë shndërrua në një ikonë politike në SHBA. U prehsh në paqe miku i madh i shqiptarëve”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar se ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është humbje e madhe për Kosovën.

“Ai ishte një mik i madh i vendit dhe popullit tonë, mungesën e të cilit do ta ndjejmë shumë, veçanërisht në kohërat e vështira që po na paralajmërohen. John McCain do të përkujtohet përherë nga Kosova dhe qytetarët e saj. Zoti e bekoftë shpirtin e pamposhtshëm të Senatorit John McCain”, ka shkruar ai në facebook.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka shkruar se senatori McCain përves se hero i SHBA ishte dhe do të mbetet edhe hero për Kosovën.

“Lamtumirë miku i madh i Kosovës John McCain. Senatori McCain përves se hero i SHBA ishte dhe do të mbetet edhe hero për Kosovën, për ndihmën e madhe dhe lobimin e tij pro shtetit tonë”, ka shkruar ai në facebook.

Lajm të hidhur për të gjithë shqiptarët e ka cilësuar Presidenti i Shqipërisë,Ilir Meta ndarjen nga jeta të senatorit amerikan John McCain.

Duke e vlerësuar për arritjet e tij në betejën për liri dhe të drejtat e njeriut, Meta e vlerëson senatorin John McCain si një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

“Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe. Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan. Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj”, shkruan Meta në një status në Facebook.

Më tej Meta kujton faktin se senatori John McCain ishte një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit në NATO.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

“Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën. Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!”, shkruan Meta.

Ndarjen nga jeta te Senatorit amerikan John McCain e ka komentuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postim në profilin e tij në FB, thotë se senatori ishte një mik i mirë i Shqipërisë.

“Senatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi bashkëpunuar e ndarë mendime të njëjta. Thank you for all and rest in peace Senator”, shkruan Rama.

Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru. Në vitin 1967 McCain u burgos dhe u torturua pasi u kap rob në Vietnamin e Veriut kur ishte pilot i marinës amerikane.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të senatorit amerikan, John McCain

Ashtu si Meta dhe Rama, edhe Basha e ka cilësuar senatorin që u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare si një mik të shqiptarëve e luftëtar për kauzën e lirisë.

“Me ndarjen nga kjo jetë të Senatorit John McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh. Luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë, Senatori McCain ishte një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. Mirënjohje e përjetshme për këtë hero dhe ngushëllimet më të ndjera familjes së tij dhe popullit mik amerikan. U prehtë në paqen e Zotit!”, shkruan Basha në Facebook.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e senatorit amerikan John McCain.

"Hero i kohës tonë, prehu në paqë. John McCain do të kujtohet nga të gjithë ne si mbështetës i madh i paqës, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, drejtësisë. Shqiptarët dhe rajoni humbën një mik të madh i cili sot u nda nga jeta ashtu sic edhe jetoi, në mënyrën e vet." përfundon Ali Ahmeti.

Ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllime familjes dhe respekt të pafund për njeriun që mbetet në sytë e amerikanëve dhe gjithë botes, hero lufte, patriot dhe luftëtar i së drejtës.

“Shqiptarët humbën një mik të madh që luftoi deri në fund për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës! U prehsh në paqe Senator McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me Ju”, ka shkruar ajo në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat