Fuggo merr premtimin, s’ka punime në zonën e Manastirit në Deçan - Bota Sot
Fuggo merr premtimin, s’ka punime në zonën e Manastirit në Deçan

Aktuale

Fuggo merr premtimin, s’ka punime në zonën e Manastirit në Deçan

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 15:49
Admirali James Foggo dhe Gjeneralmajori Salvatore Cuoci

Institucionet e Kosovës nuk do të ndërhyjnë njëanshëm në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit, e cila është katër kilometra e gjysmë.

Ky ishte premtimi që Admirali James Foggo dhe Gjeneralmajori Salvatore Cuoci, kanë marrë sot gjatë një takimi në komunën e Deçanit, ku kishin diskutuar me të parin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj dhe ministrin e infrastrukturës, Palë Lekaj. Këta të fundit shpresojnë në marrëveshjen me manastirin.

Admirali James Foggo, komandant i komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, tha se është mirë që gjithçka do të jetë në kuadër të marrëveshjeve.

Foggo: Ministri dhe kryetari na siguruan se nuk do të bëhet asgjë përtej ligjit

"Sikurse ministri ashtu edhe kryetari na siguruan se nuk do të bëhet asgjë përtej ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe asgjë përtej asaj që ne i themi zona e veçantë... Ju e dini se ekziston një ligj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, i cili në një anë e prek edhe zonën e veçantë apo zonën e këtyre objekteve të veçanta që është pjesë e UNESCO dhe në anën tjetër pjesë e një komisioni ndërkombëtar për mbikëqyrje. Në këtë komision përfaqësuesit marrin pjesë, i kanë interesat ekonomike, politike dhe i shikojnë sikurse brenda manastirit, ashtu edhe jashtë tij për të gjithë qytetarët. Ne do ta shikojmë këtë çështje vetëm në atë mënyrë", tha admirali.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Palë Lekaj u shpreh i bindur se do të gjendet një marrëveshje për të zgjidhur problemin që ka shfaqur kundërshtimi i kësaj rruge nga Manastiri  i Deçanit.

Lekaj: Nuk punojmë në zonat e mbrojtura pa marrëveshje

"U zotuam se ku janë zonat e mbrojtura, pa ndonjë marrëveshje të mos ketë ndërhyrje por unë shpresoj që marrëveshja do të gjendet, sepse do të dominojë e mira e përgjithshme e qytetarëve dhe nuk besoj se do të ketë qytetarë apo personalitete që i frenojnë këto zhvillime që kanë impakt tek qytetarët. Sepse ne jemi këtu për të ndihmuar qytetarët, qofshim personalitete politike, qoftë fetare, ne do t'i trajtojmë barabartë të gjithë", u shpreh ministri.

Tutje ai shtoi se punimet janë duke vazhduar, ndonëse 4 kilometra e gjysmë ende janë në pritje.

Lekaj: Punët nuk ndalen

"Mos të keqkuptohemi që dikush po i ndalon punimet që janë duke vazhduar, ato do të vazhdojnë, po vazhdojnë. Ne u dakorduam që nuk do të ketë ndërhyrje të njëanshme në zonën e mbrojtur, kjo do të thotë 4 kilometra e gjysmë. Mirëpo pjesa tjetër vazhdon më të njëjtin intenzivitet dhe që do të ketë impakt pozitiv", tha ai.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, bëri të ditur se në këtë takim kanë theksuar objektivin kryesor të kësaj rruge, e që është zhvillimi ekonomik.

Ramosaj: Kjo rrugë ndikon në zhvillimin ekonomik

"Unë si kryetar i komunës së Deçanit, bashkë edhe me ministrin, edhe njëherë kemi sqaruar objektivin paqësor të ndërtimit të kësaj rruge, konceptin e zhvillimit ekonomik që është në ndërtimin e kësaj rruge. Siç tha edhe ministri Lekaj, duke i siguruar qoftë faktorët ndërkombëtar, edhe Këshillin për zbatim dhe monitorim për Zona të Veçanta, që nuk do të bëjmë ndërhyrje të njëanshme brenda zonës së veçantë të mbrojtur pa e pasur pëlqimin paraprak", theksoi i pari i Deçanit.

I pyetur rreth idesë për korrigjimin e kufirit se a do të sillte rrezik në Ballkan, admirali Foggo tha se duke qenë nën petkun e ushtarakut nuk mund të jap koment rreth dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Foggo: Nuk e di se si duket ai plan

"Meqë jam në petkun e ushtarakut, as unë e as komandanti i KFOR-it, nuk e kemi mundësinë që të diskutojmë apo të japim ndonjë koment sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Më besoni se nuk e di se si duket ai plan, nuk e di se çfarë përmban. Ju i keni në të dyja anët, edhe në Kosovë edhe në Serbi, zyrtarët tuaj të përzgjedhur në mënyrë demokratike dhe ajo çka sjellë është diçka në bazë të formës demokratike", tha Fuggo.

Ndryshe, rruga Deçan-Plavë është inaguruar më 24 prill të këtij viti, ku i pari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pati deklaruar se kjo rrugë nuk cenon asnjëherë integritetin e Manastirit të Deçanit, ndonëse punimet u ndërprenë në fund të majit për shkak të kundërshtimeve të manastirit për ndërtimin e kësaj rruge.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...