Prokuroria e shtetit sulmon mediat, arsyeton lirimin e Azem Sylës

Aktuale

Prokuroria e shtetit sulmon mediat, arsyeton lirimin e Azem Sylës

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 14:07
Aleksander Lumezi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj shkrimit “Lirimi i Azem Sylës, Prokuroria Speciale neglizhoi paraqitjen e kërkesë për arrestin”, të publikuar në media duke akuzuar “se për një kohë disa mjete të informimit nuk janë të interesuara që ti përmbahen kodit të etikës së gazetarisë, por janë të prirura veçanërisht kur është puna e Prokurorisë së Shtetit , ta paraqesin në kontekstin negative”.

Në të ashtuquajturin sqarim të zyrës për informim të Prokurorisë Speciale thuhet se kjo Prokurori është e përkushtuar për informimin e drejtë dhe në kohë të opinionit, aq sa nuk pengon zhvillimin e hetimeve, çka  është obligim edhe i mjeteve të informimit.

Porse akuzon mediat se me shkrimin mbi lirimin e Azëm Sylës nuk iu kanë përmbajtur etikës së gazetarisë.

“Nga përmbajta  e shkrimeve rrjedh se Prokuroria Speciale  e neglizhoj paraqitjen e kërkesës për arrestin e Azem Sylës dhe se Kryeprokurori PSRK-së, dhe përfaqësuesi i PSRK-së, i ngarkuar për media Sylë Hoxha, për këtë kanë dëgjuar nga mediat. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se prokuroria nuk ka për obligim: që të mbaj evidencë tek ndërtesat ku mbahen të pandehurit në paraburgim, kur, kujt i ndërpritet paraburgimi, e as para dyerve të shtëpive të të pandehurve kur u ndërrohet  arresti  shtëpiak; Prokuroria e Speciale ka zyrën e pranimit të shkresave (shkrimoren) ku çdo dokument regjistrohet, i vihet data e pranimit, në rastin konkret kur pranohen shkresat  nga  gjykatat, aktgjykime apo aktvendime tjera, prej kur edhe fillon afati i ankesës|”, thuhet në sqarimin e PS-së.

Tutje Prokuroria thotë se deri i më tani PSRK-ja, nuk ka pranuar  vendim të gjykatës se Azem Sylës i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.

“Meqenëse  lënda e të pandehurve Azem Syla etj, është në fazën e shqyrtimit gjyqësor, në bazë të  neneve 183 paragrafi 7 dhe 193 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale,  për vazhdimin apo ndërprerjen e arrestit shtëpiak, në rastin konkret vendos trupi gjykues  sipas detyrës zyrtare pasi të dëgjon mendimin e Prokurorit të Shtetit, i cili mendim nuk është kërkuar. Pra, Prokurori nuk është e obliguar që të paraqet kërkesë më shkrim  Gjykatës për vazhdimin e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë Speciale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat