Haradinaj: Kosova është vend i paqes

Aktuale

Haradinaj: Kosova është vend i paqes

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 16:18
Pamje nga ceremonia e ndërrimit të drejtorit të ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë

Sot, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u mbajt ceremonia e ndërrimit të drejtorit të ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, ku ish-drejtori Ralf Hoffman i dorëzoi detyrën drejtorit të ri, Uwe Becker.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se gjenerali Hoffman kishte bërë një punë të mirë dhe kishte qenë një model për oficerët. Ai tha se Kosova është e destinuar të jetojë në paqe, dhe për këtë falënderoi gjeneralin Hoffman dhe gjithë akterët e tjerë që patën rol në misionin e sigurisë në vendin tonë.

“Sot mund të konfirmojmë se në Kosovë ne jetojmë në paqe. Kosova është një vend paqësor dhe e gjithë kjo është falë shërbimit tuaj. Pra, faleminderit të gjithë juve që keni shërbyer në vendin tonë dhe faleminderit të gjithëve që jeni duke shërbyer tani me të gjithë ne. Po ashtu, ne kosovarët kemi mësuar se sa e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe ne jemi të vendosur të qëndrojmë paqësorë dhe do të jetojmë në paqe jo vetëm mes vete, por edhe mes të gjithëve që jetojmë në Kosovë, shqiptarë, serbë, romë, ashkali, egjiptianë , boshnjakë, goranë, por po ashtu edhe me fqinjët tanë. Pra, ky është angazhimi ynë. Faleminderit për gjithë këtë që keni bërë për paqen tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha u shpreh falënderues për punën e NATO-s dhe KFOR-it me FSK-në, duke thënë se si rezultat i këtij bashkëpunimi ndërveprues Forca e Sigurisë së Kosovës për gjatë nëntë viteve ka arritur një shkallë të lartë të cilësisë së kapaciteteve dhe aftësive operacionale.

“Ju, me tiparet tuaja të lidershipit, bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar, keni vënë standart të ndërveprimit që do të na shërbejë si model I shtyrjes përpara dhe zhvillimit të sistemit tone të mbrojtjes dhe sigurisë si dhe do ta bëjë më të lehtë, tashmë bashkëpunimin me pasuesin tuaj në këtë detyrë me rëndësi për ne si force dhe për misionin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë”, tha Berisha.

Kurse gjenerali Hoffman, tha se ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT) po funksionon si duhet dhe punën e FSK-së e quajti një kontribut të çmuar.

“Sot po qëndroj këtu dhe jam vërtetë krenar kur e shoh se stafi juaj vendor ndihet plotësisht i integruar si pjesëtar të ekipit, me të drejta të barabarta. Puna juaj me dhe për FSK-në është një kontribut i çmuar për zhvillimin e licensioneve në Kosovë. Kam admiruar përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj dhe jam kënaqur në mesin tuaj. Ka qenë nder i madh të jem drejtor i juaj”, ka thënë Hoffman.

Drejtori i ri i NALT, Uwe Becker tha se do ta vazhdojë punën për të përmbushur zbrazëtirat në FSK. 

“E mirëpres shumë punën tonë përgjatë 12 muajve të ardhshëm. Përderisa është arritur shumë nga KFOR-i dhe NATO përgjatë këtyre viteve së bashku me partnerët tanë në Kosovë. Ne përpiqemi që të vazhdojmë të ndërtojmë mbi bazën e të arriturave të deritanishme. Tashmë kam pasur kënaqësinë të takoj shumë prej jush dhe jam thellësisht i impresionuar nga mikpritja juaj miqësore me të cilën më keni pritur. Kjo më ka dhënë një fillim të përsosur dhe premtues që më bën të pres me shumë optimizëm angazhimin tonë të vazhdueshëm në muajt e ardhshëm”, ka thënë Becker.

Komandanti i FSK-ë, gjeneral Rama në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës i ndau medaljen “Shërbimi vetëmohues” gjeneralit Ralf Hoffman, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm gjatë shërbimit të tij në krye të NALT-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat