Mbrojtja e ambientit, nis krijimi i Policisë së Gjelbër

Aktuale

Mbrojtja e ambientit, nis krijimi i Policisë së Gjelbër

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 16:55
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është pritur në takim zyrtar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është pritur në takim zyrtar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi me ç ‘rast kanë rënë dakord për themelimin e grupeve punues për krijimin e Policisë së Gjelbër.

Gjatë këtij takimi, Matoshi, potencoi rëndësinë e krijimit të Policisë së Gjelbër, që sipas tij ka rol në shqiptimin e gjobave ndaj atyre që hedhin mbeturina në mënyrë të kundërligjshme.

“Për një ambient të pastër duhet filluar sa më parë, pasi që ndotja konsiderohet si problemi i dytë kryesor në Kosovë. Në këtë aspekt, ne si MMPH kemi vlerësuar si të domosdoshme krijimin e Policisë së Gjelbër”, tha Matoshi.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi gjatë këtij takimi ka mbështetur iniciativën për krijimin e këtij njësiti të gjelbër policor.

“Në këtë aspekt, kërkojë nga përfaqësuesit kompetent të Policisë që të shikojnë mundësinë ligjore dhe njerëzore për formimin e një njësiti të tillë”, tha ai.

Në takim u dakordua për krijimin e një plani të veprimit si dhe analizimin e modaliteteve të vendeve perëndimore  që janë aplikuar në krijimin e Policisë së Gjelbër.

Iniciativa për krijimin e Policisë së Gjelbër, është në kuadër të angazhimeve për pastrimin e vendit, aksion ky i cili fillon më 15 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat