Zemaj: Askush s’guxon të dalë kundër qytetarëve dhe Kuvendit

Aktuale

Zemaj: Askush s’guxon të dalë kundër qytetarëve dhe Kuvendit

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 00:31
Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se askush, përfshirë presidentin e vendit Hashim Thaçi, s’guxon të dalë kundër vullnetit të qytetarëve dhe Kuvendit.

Ai ka thënë se mostransparenca në dialogun me Serbinë ka sjellë situatën aktuale në Kosovë.

Duke folur për seancën e jashtëzakonshme në fillim të shtatorit, për të cilën opozita bëri kërkesë, e ku pritet të votohet një rezolutë që ndalon presidentin Thaçi që të mos negociojë për kufijtë me Serbinë, Zemaj ka thënë se deputetët duhet të jenë një se “Kosova është e pandashme”.

“Askush s’ka mandat përtej Kushtetutës që të diskutojë për territorin, të negociojë për vijën kufitare. Në aspektin politik do të kërkojmë decitivisht një pikë që ndalon jo vetëm presidentin por çdo kë që pa miratimin e Kuvendit flet për territor. Ajo që kemi pa dhe mbi të gjitha po e përsëris se mostransparenca në dialog na ka sjellë deri në këtë gjendje. Ajo që është evidente është se jemi në një fazë ku kemi shumë të panjohura”, ka thënë Zemaj duke shtuar se edhe ndërkombëtarët s’janë të mirinformuar se çka po fshihet “prapa kësaj loje”.

Ai ka thënë se qeveria e Kosovës është duke u treguar joserioze kur kryeministri Ramush Haradinaj po deklarohet se s’ka informata për dialogun.

Zemaj ka thënë se kanë marrë qëndrimin e zyrtarëve amerikanë se “SHBA-ja s’ka ndryshim qëndrimi për kufijtë dhe madje s’dëshirojnë të hapen fare tema të tilla, sidomos në rajone ku ka shumë vatra që mund të ndizen lehtë”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se partia e tij do të përdorë format demokratike nëse Thaçi merret vesh për korrigjim kufijsh. Ai ka shtuar se nuk beson se dikush mund të dalë kundër fuqisë popullore dhe shumicës që të marrë vendime kokë më vete, sidomos pa konsensus të brendshëm dhe Kuvendit. Zemaj në fund nuk ka përjashtuar as protestën si mjet demokratik për të kundërshtuar veprimet e Thaçit.

Zemaj ka folur edhe për listat e veteranëve për të cilat ka thënë se janë përdorur për qëllime politike. Sipas tij, “fryrjet kanë devalvuar vlerat e luftës, por ky devalvim ka nisur që nga paslufta e jo vetëm tash”.

Sa i përket kërkesës së protestave për shkarkim të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, Zemaj ka thënë se po të ishte në vend të Lumezit do të largohej.

Edhe pse s’ka pranuar të flasë nëse duhet të shkarkohet Lumezi, Zemaj ka thënë se letra e ish-prokurorit Elez Blakaj, ku tregoi ndërhyrjet nga Lumezi dhe politika në kohën kur hetonte listat e veteranëve, ka demaskuar sistemin e dobët të gjyqësorit në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat