LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Aktuale

LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 09:56
Komiteti për të Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE

(E plotësuar) - Votimi në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në Komitetin e Lirive Civile të Parlamentit Evropian, i njohur si LIBE, po vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmbylljes së procesit me vendimin final të institucioneve të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se ndjehet e lumtur që Komiteti LIBE ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një shkrimi në Twitter, ajo e ka cilësuar si hap të rëndësishëm këtë votim që do ta sjellë Kosovën më afër Evropës.

“Jam e lumtur që komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) sapo ka miratuar vendimin për të hyrë në negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm për ta sjellë Kosovën më afër Evropës dhe për të thyer izolimin. Punë e mirë, urime!”, ka shkruar Fajon.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, nga Brukseli ka përgëzuar qytetarët me rastin e marrjes së vendimit pozitiv për viza, në Komisionin LIBE.

Ministrja Hoxha ka theksuar se “Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti, megjithatë tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”.

“Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje”, ka theksuar Hoxha.

Kosova, sipas saj, ka përmbushur të gjitha kushtet që janë kërkuar dhe presim që procesi i vendimmarrjes të përmbyllet brenda këtij viti.

“Megjithatë, tashmë çdo gjë është në dorën e institucioneve të BE-së. Është koha që Kosova të shpërblehet për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka nënvizuar Hoxha.

Komisioni Evropian ka vlerësuar më 18 korrik se Prishtina i ka plotësuar dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash: luftën më të theksuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Kosova mori rekomandimin për liberalizimin e vizave me 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme – LIBE.

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, kërkoi votën pro duke thënë se Kosova ka bërë rrugë të gjatë deri në këtë hap, dhe se meriton heqjen e vizave.

Pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje. 

Image

***

Qytetarët e Kosovës më në fund mund të gëzojnë të drejtën e lëvizjes brenda zonës Schengen.

Kështu është vendosur në debatin e Komitetit për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian.

Në fjalën e saj Tanja Fajon ka thënë se Kosova meriton liberalizimin e vizave.

Në debatin që ka filluar në orën 09:00, dhe sipas agjendës është i paraparë që të zgjatë deri në orën 12:30, agjenda përmban gjithsej 12 pika, përderisa Kosova figuroi numër 7.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha gjendet në Bruksel, ku gjatë ditës së djeshme ka takuar zyrtarët e Parlamentit Evropian për vizat. Në pjesën e fundit të muajit korrik, Kosova mori rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve në Zonën Schengen.

***

Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kosova pret për liberalizim, nis debati në komitet

Komiteti për të Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka filluar debatin kur pritet që të votohet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Debati ka filluar në orën 09:00, dhe sipas agjendës është i paraparë që të zgjasë deri në orën 12:30, agjenda përmban gjithsej 12 pika, përderisa Kosova figuron në pikën numër 7.

Aktualisht debati po zhvillohet në pikën numër 4, e cila ka të bëjë me misionin e këtij komiteti në Bullgari.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha gjendet në Bruksel, ku gjatë ditës së djeshme ka takuar zyrtarët e Parlamentit Evropian për vizat. Në pjesën e fundit të muajit korrik, Kosova mori rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve në Zonën Schengen, përderisa ky rekomandim duhet të marrë dritën e gjelbër edhe nga instancat e tjera të BE-së.

Debatin LIVE mund ta ndiqni këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat