Emrat e 1648 personave të zhdukur vendosen në kuti të zezë

Aktuale

Emrat e 1648 personave të zhdukur vendosen në kuti të zezë

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 12:02
Pamje nga video

(E plotësuar) - Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut ka marshuar sot për herë të parë në sheshin e Prishtinës, duke kërkuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë.

Me emrat e 1648 personave që mbanin në duar, të rinjtë kërkuan  drejtësi për të zhdukurit në Kosovë.

Marigona Shabiu drejtoreshe e organizatës, tha se ky është marsh për të vërtetën dhe drejtësinë.

Sipas saj, marshi ka për qëllim të ngritë vetëdijen për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit dhe presidentit që të merren me çështjen e personave të zhdukur, pasi e kanë këtë çështje për obligim.

Në përkrahje të marshit kanë dalë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë. Emrat e 1648 personave të zhdukur ata i vendosën në një kuti të zezë, të cilën thanë se do t’ia dorëzojnë kryeministrit të Kosovës me pyetjen "Edhe sa kjo kuti do të qëndrojë e mbushur".

Marsh për të pagjeturit në Kosovë (Drejtpërdrejt)

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut organizon marshin për personat e pagjetur në Kosovë i cili do të vazhdojë përgjatë Sheshit Nënë Tereza dhe do të përfundoj në Sheshin Skënderbeu, pranë Ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, çështja e mbi 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur, ndërkohë që familjarët e të pagjeturve dhe shoqëria kosovare vazhdojnë të përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat