Bizneset nuk kanë besim në institucione, rastet e tyre në gjykata zgjasin deri në 3 vjet

Aktuale

Bizneset nuk kanë besim në institucione, rastet e tyre në gjykata zgjasin deri në 3 vjet

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 12:33
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në konferencën “Intervistë me gjyqësorin: Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”,

Rritja e efikasitetit të organeve hetimore, prokuroriale dhe gjyqësore është jetik edhe për çrrënjosjen e korrupsionit, i cili krijon mjedis jo të barabartë për operimin e bizneseve, ngaqë kompanive u mungon besimi në institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në konferencën “Intervistë me gjyqësorin: Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”, e cila nxori në pak se efikasiteti i gjyqësorit ka rëndësi esenciale për rritje ekonomike dhe njëkohësisht është parakusht për funksionimin e tregut konkurrent.

Kreu i OEAK theksoi se “Intervista me gjyqësorin” është një aktivitet vjetor i Odës, i cili synon përpjekjet  për fuqizimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, përmirësimin e zbatueshmerisë së kontratave si dhe krijimin dhe fuqizimin e mekanizmave alternativ për zgjidhjen e kontesteve.

Zeka: Bizneseve u mungon besimi në institucionet e vendit

“Ne në Odën Amerikane besojmë fuqishëm se ky dialog dhe bashkëpunim duhet të vazhdoj edhe më tej - veçanërisht nëse kemi parasysh se bizneseve u mungon besimi në institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë. Besimi nuk mund të përmirësohet nëse ekziston perceptimi i mungesës së pavarësisë ose ndërhyrjes së një shtylle të pushtetit në shtyllën tjetër. Perceptimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm edhe për tërheqjen e investimeve të huaja, meqë investitorët serioz do të duan të shtrijnë operacionet e tyre në një vend në të cilin ekziston një sundim i fuqishëm dhe i efektshëm i ligjit, një në vend të cilin  rastet e tyre do të trajton, zgjidhen me shpejtësi dhe pa vonesa”, ka thënë Zeka. 

Se efikasiteti i gjyqësorit ka rëndësi esenciale për rritje ekonomike dhe njëkohësisht është parakusht për funksionimin e tregut konkurrent, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se Republika e Kosovës dhe sistemi juridik duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe orientim të ri drejtësisë komerciale.

Ai tha se Ministria e Drejtësisë po synon edhe themelimin e një Gjykate komerciale, e cila do ta rriste efikasitetin e drejtësisë karshi bizneseve.

Ndër prioritetet e tij, si ministër, ai tha se në këtë vit është rishikimi  funksional i sektorit të sundimit të ligjit.

Tahiri: Lëndët ekonomike kanë zgjatur më shumë së 36 muaj

“Në kuadër të kësaj çështje, kemi bërë edhe një anketim të bizneseve pjesëmarrëse, nga ku del se mbi 45 përqind të respodentëve që janë drejtuar departamentit ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, thonë se zgjatja e rasteve të tyre ka zgjatur për më shumë se 36 muaj. Ngjashëm qëndron përqindja e respodentëve që kanë pasur raste të paraqitura pran departamentit administrative të kësaj gjykate. Shqetësuese është fakti se mbi 90 përqnd të bizneseve të anketuara kanë deklaruar se asnjë herë nuk janë drejtuar mekanizmave për zgjidhjen alternative të mos marrëveshjeve, pra, siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi. Pra, deri më tani Ministria e Drejtësisë ka bërë një sërë reformash, ku do të veçoja themelimin e profesioneve të lira ligjore, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, gjë që ka rritur ndjeshëm edhe qasjen në drejtësi”, ka thënë Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idizi, duke treguar për numrin e lëndëve të zgjidhur dhe të pa zgjidhura në gjashtë mujorin e parë, theksoi se efikasiteti i Departamentit për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka qenë 92 përqind.

Idrizi: 1 mijë e 153 lëndë kanë mbetur ende të pa zgjidhura për çështje ekonomike

“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, në janar të këtij viti ka qenë të trashëguara 1 mijë e 124 lëndë, gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti në këtë departament janë pranuar 366 lëndë, ndërsa janë kryer 337 lëndë. Edhe 1 mijë e 153 lëndë kanë mbetur në punë në fund të gjashtë mujorit të këtij viti. Efikasiteti i gjykatës, është fjala i departamentit për çështje ekonomike ka qenë 92 përqind, që nënkupton lëndë të zgjidhura me lëndë të pranuara”, ka thënë Idrizi.  

Alison Storsve nga Zyra Politike dhe Ekonomike e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë ka thënë se sundimi i ligjit duhet të jetë më efikas në mënyrë që bizneset të kenë rritje më të lart dhe zhvillim ekonomik. Ajo shtoj se këto dy prioritete janë në krye të listës së Ambasadës si prioritete për Kosovën dhe flitet vazhdimisht dhe në mënyrë konsesuale për mënyrat se si korrupsioni sulmon ekonominë në rritje të biznesit në Kosovë.

Storsve: Përmirësimi i sundimit të ligjit duhet të ndodh

 “Përmirësimi i sundimit të ligjit duhet të ndodh në mënyrë që të mundësojë një klimë biznesi të rritjes dhe ne i shohim këto dy prioritete si prosperitet të ardhshëm për qytetarët e Kosovës. Qëllimi ynë është që në Kosovë të krijojmë një klimë biznesi që rrit besimin për investimet vendase dhe të huaja dhe në fund të fundit promovon rritjen dhe prosperitetin për qytetarët. Por, krijimi i këtij mjedisi kërkon shumë ndihmë prej jush, si dhe nga instrumentet e drejtësisë dhe prandaj them se kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe jam shumë e emocionuar të jem këtu për të folur për disa nga prioritetet që kanë ndodhur këtë vit në rishikimin e sektorit të drejtësisë”, tha Storsve.

Në panel kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, ku ngritën çështjen e zvarritjes së lëndëve në procesin gjyqësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat