Shoqëria civile letër Thaçit, kundërshtojnë korrigjimin e kufijve

Aktuale

Shoqëria civile letër Thaçit, kundërshtojnë korrigjimin e kufijve

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 12:46
Hashim Thaçi,

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë përmes një kumtese për media kanë bërë të ditur se me shqetësim po ndjekin të gjitha deklaratat e Presidentit Hashim Thaçi, për ndryshimin ose korrigjimin e kufirit të Kosovës me Serbinë në baza etnike.

Këto organizata kanë kundërshtuar ide të tilla, që sipas tyre nxisin urrejtje dhe konfuzion.

KosovaPress ju sjell të plotë letrën e 12 organizatave të shoqërisë civile drejtuar Thaçit:

Përmes kësaj letre, ne kundërshtojmë fuqishëm ide të tilla të rrezikshme që nxisin konflikte, konfuzion dhe urrejtje në mes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që komuniteti serb që jeton në Kosovë po dekurajohet edhe më tej për t'u integruar në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Gjithashtu, deklaratat e juaja mund të ndikojnë edhe në qytetarët e rajonit, duke besuar se agjenda të tilla nacionaliste mund të jenë të suksesshme edhe pas një historie të errët të luftrave në Ballkan.

Duke pasur parasysh të kaluarën tonë të afërt, një ndryshim i kufijve do të destabilizonte dhe kërcënonte sigurinë në Kosovë dhe Serbi, por edhe në rajon. Kjo mund të na kthejë prapa dy dekada më parë, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e deri tanishme për pajtim në mes të dy shteteve. 

Ne ju kërkojmë që të mos bëni deklarata konfliktuoze, por të fokusoheni në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në trajtimin e çështjeve të pasluftës si ajo e personave të pagjetur, e të mbijetuarve/viktimave të dhunës seksuale dhe viktimave civile të të gjitha etnitve nga lufta e fundit në Kosovë, gjë që është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve. Ne jemi të bindur se dialogu është e vetmja rrugë drejt arritjes së pajtimit dhe paqes së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Institucionet kosovare duhet të mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, duke ndërtuar besimin e ndërsjellë, duke çmuar diversitetin dhe duke garantuar mirëqenie dhe siguri për të gjithë.

Z. President, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ju obligon të punoni me dhe për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Prandaj, ju duhet të inkurajoni komunikim dhe bashkëpunim më të mirë midis njerëzve që jetojnë në Kosovë duke u bazuar në respekt, tolerancë dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin.

Si përfundim, ne kërkojmë nga ju që ta respektoni obligimin tuaj kushtetues si President i Republikës së Kosovës dhe të tërhiqni deklaratat tuaja që krijojnë izolim të mëtejshëm dhe që rrezikojnë të ardhmen e gjeneratave të reja. Ne ju inkurajojmë që të angazhoheni në bërjen e Kosovës një vend paqësor dhe të begatë për të gjithë.

Sinqerisht,

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore Center for Equality and Liberty Community Building Mitrovica Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë Qendra Kosovare për Studime Gjinore OJQ INTEGRA Lëvizja FOL The Balkan Forum Rrjeti i Grave të Kosovës Organizata ÇOHU! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat