Presidenti Thaçi fton përsëri shoqërinë civile në dialogun me Serbinë

Aktuale

Presidenti Thaçi fton përsëri shoqërinë civile në dialogun me Serbinë

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 14:01
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka ftuar edhe një herë shoqërinë civile të Kosovës që të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë, duke shtuar se si ai, po ashtu edhe shoqëria civile, janë të angazhduar për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Duke parë që jemi në të njëjtën vijë në angazhimin tonë për të siguruar jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përsëris ftesën dërguar shoqërisë civile që të bëhen pjesë e dialogut dhe të kontribuojnë konkretisht në mbylljen e kapitullit të luftës dhe hapjen e kapitullit të ri për Kosovën dhe tërë rajonin”, thuhet në një pjesë të letrës së Thaçit, përmes së cilës ai po ashtu ka numëruar të mirat që vinë për të dy shtetet, si dhe për rajonin, nga arritja e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Postimi i plote:

Kosova është me fat që ka shoqëri civile aktive, që reagon në nevojat e shoqërisë dhe punon për interesat e qytetarëve të Kosovës. Jam në të njëjtën vijë me ta, pasi edhe unë udhëhiqem në punën time nga përkushtimi për të realizuar interesat e qytetarëve. Edhe në procesin e dialogut udhëhiqem nga ky parim dhe po angazhohem për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë.

Për qytetarët e Kosovës, nuk është në interes të ruhet Status Quo-ja. Kjo po e pengon përparimin e Kosovës dhe konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit tonë. Duke arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, ne do të lëvizim përpara dhe do t’i hapim rrugë zhvillimit të papenguar të Kosovës. Ndërsa, duke mbyllur kapitullin e luftës dhe armiqësive me Serbinë, ne do t’i hapim rrugë zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Duke marrë njohjen nga Serbia dhe duke siguruar anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, ne do të bëhemi pjesë e mekanizmave që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët tanë. Hapja e një kapitulli të ri të paqes krijon perspektivë të qartë dhe të sigurt evropiane për shtetin tonë.

Kosova është bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Është bërë shembull i ballafaqimit me të kaluarën dhe i ndërtimit të shoqërisë shumetnike, ku të gjithë jetojnë në tolerancë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare. Duke konsoliduar shtetin dhe shoqërinë kosovare, ne i forcojmë edhe më tutje këto vlera, të cilat paraqesin themelin e shtetit dhe shoqërisë sonë.

Paqja e përhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë do të thotë edhe paqe e stabilitet i qëndrueshëm në tërë rajonin tonë. Në të njëjtën kohë, ashtu sikurse edhe në të kaluarën, në çdo hap do të koordinohem edhe me partnerët tanë perëndimorë.

Duke parë që jemi në të njëjtën vijë në angazhimin tonë për të siguruar jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përsëris ftesën dërguar shoqërisë civile që të bëhen pjesë e dialogut dhe të kontribuojnë konkretisht në mbylljen e kapitullit të luftës dhe hapjen e kapitullit të ri për Kosovën dhe tërë rajonin. HTH. /KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat