Rezolutat nuk mund ta ndalojë dialogun me Serbinë

Aktuale

Rezolutat nuk mund ta ndalojë dialogun me Serbinë

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 11:16
Kuvendi i Kosovës

Ekzistojnë dy rezoluta të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që bëjnë thirrje për pezullim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por asnjëra dhe as tjetra asnjëherë nuk kishin arritur efektin për të cilin ishin miratuar.

Bëhet fjalë  për rezolutën e miratuar në Kuvend pas arrestimit të kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj në Francë si pasojë e një fletarresti të shtetit serb ndaj tij në Interpol, në vitin e kaluar.

Si dhe rezoluta e vitit 2016 e miratuar pikërisht për shkak të fletarrestimeve të Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pasi ishte arrestuar koloneli i Policisë,  Nehat Thaçi në Serbi.

Të dy rezolutat thonë se dialogu duhet të pezullohet derisa Serbia të largojë fletëarrestet që nuk kanë bazë ligjor, e të cilat u konsideruan përndjekje politike ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe figurave politike aktuale të Kosovës që ishin pjesë e saj.

Megjithatë ato asnjëherë nuk kishin pasur fuqinë obligative për Qeverinë apo Presidencën që vazhduan dialogun.

Njëllojë si këto dy rezoluta, politikanë e ekspertë në thonë se do të mund të përfundojë edhe rezoluta e radhës që është propozuar të votohet në Kuvend nga opozita, e që mëtohet të ndalojë presidentin Thaçi apo këdo tjetër që të negociojë për kufijtë e Kosovës.

Kjo ngase juridikisht rezolutat parlamentare nuk kanë fuqi obliguese.

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Thaçi përherë ka injoruar vendimet e Parlamentit, gjë që do ta bëjë sërish.

Zogiani: Thaçi do të injorojë cilindo vendim a rezolutë të Parlamentit për dialogun

“Janë 2 rezoluta në fakt, njëra ka qenë e kufizuar sepse ka qenë e lidhur vetëm me lirimin e z. Haradinaj, kurse një tjetër mesa e mbaj mend ka qenë diku ka tetori i 2016-ës, e cila e kushtëzon fillimin e dialogut me tërheqjen e fletëarresteve për ushtarët e UÇK-së. Edhe në kohën kur kane qenë të votuara nga Parlamenti këto rezoluta, zakonisht nuk ka pas ndonjë reflektim nga Thaçi për vazhdimin, për sa i përket këtij kushtëzimi për vazhdimin e dialogut. Zakonisht ai ka vazhduar duke injoruar vendimet e Parlamentit. Unë mendoj që në fakt nuk do të ishte dëm një rezolutë tjetër në raport me dialogun, përkatësisht me situatën aktuale që jemi rreth dialogut, por se jam i sigurt se edhe një rezolutë e tillë do të injorohej nga Thaçi”, ka thënë Zogiani.

Rezolutat që ishin nxjerrë pas arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sipas tij, flasin për kufizime të cilat Thaçi asnjëherë nuk i kishte marrë parasysh.

Zogiani po ashtu shpjegon arsyen pse rezolutat nuk mund të kenë asnjë efekt. Dhe për këtë ai përmend si argument marrëveshjen e prillit 2013, në të cilën Qeveria e Kosovës zotohet të vazhdojë dialogun me Serbinë, me lehtësimin e Brukselit, e të cilën vetë Parlamenti e kishte miratuar.

Zogiani: Marrëveshja e prillit të 2013 baza e dialogut  

“Problemi është që në fakt Parlamenti shumë pak mundet me bë në këtë situate. Pse? Parlamenti ka votu marrëveshjen e prillit të 2013-ës, e cila në njëfarë forme është njëfarë orientimi, bazë për me orient dialogun. Domethënë  kemi të bëjmë me një marrëveshje tashmë të aprovuar të Parlamentit, e cila vështirë se mund të zhbëhet përveç nëse ka një konsensus, dhe ka një vote të kualifikuar në Parlament. D.m.th. kemi të bëjmë praktikisht me një marrëveshje e cila është aprovu tashmë, prandaj mendoj që Parlamenti shumë pak mundet me bë në këtë situate, edhe pse prapë po e përsërisë se nuk është e dëmshme një rezolutë eventuale, nuk mendoj se do të ketë pasoja juridike për sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut. Mendoj që dialogu i tillë çfarë po zhvillohet nga z.Thaçi mundet me u ndalë vetëm me presion gjithë popullor, me presionin e qytetarëve për shkak se është pa se ai ka injoruar Parlamentin, ka injoruar jo vetëm në raport me dialogun por edhe në raport me shumë çështje tjera”, ka thënë Zogiani, duke u shprehur i bindur se dialogu nuk duhet të vazhdojë në formën si është duke shkuar.

Zogiani: Dialogu është në një situatë të re, tani po flasim për kufijtë

“Jemi duke i parë deklaratat e zotit Thaçi, të cilat flasin për ndryshim të kufijve. Këtë mandate nuk e ka marrë as me marrëveshjen e Prillit të 2013-ës, të cilën e ka votu Kuvendi i Kosovës e as me asnjë dokument tjetër. D.m.th kemi një president i cili flet për çështje, të cilat në fakt jo që s’janë leju por kane qenë tabu, kane qenë të ndaluara. D.m.th ka principe të grupit të kontaktit kane qenë se s’ka ndryshim kufijsh, nuk ka bashkim të Kosovës me një shtet tjetër. D.m..th janë principe që janë vendose qysh moti në Kosovë, e të cilat presidenti jonë aktual ka vendosur t’i injoroj”, ka thënë Zogiani.

Edhe Isuf Zejna nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se rezolutat nuk do të mund të kenë asnjë fuqi obligative, çfarë kanë për shembull ligjet.

Por sipas tij, ato paraqesin megjithatë një qëndrim politik për një situatë të caktuar që autoritetet në vend, si Presidenca do të duhej t’i merrte parasysh.

“Rezolutat e kuvendit nuk e kanë fuqinë e Ligjit në Kosovë, prandaj nuk mund të pretendohet se kanë fuqi obligative për ta detyruar Presidentin në këtë rast që t’i zbatojë ato. Mirëpo, të njëjtat kanë një rëndësi të madhe pasi që paraqesin një qëndrim apo deklarim politik të Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë përfaqësues në vendin tonë. Andaj, edhe pse këto rezoluta nuk kanë karakter detyrues, për shkak të autoritetit që ka Kuvendi si institucion I vetëm qendror i zgjedhur nga qytetarët, do të duhej që në një vend normal të obligonin institucionet e tjera që të vepronin në përputhje me të”, ka thënë Zejna.

Të hënën kryesia e Kuvendit do të shqyrtojë kërkesën e  grupit parlamentar të LDK-së që mbështet nga opozita në parlament, për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator e në të cilën do të propozohet për miratim një rezolutë parlamentare që ndalon presidentin Thaçi dhe këdo tjetër që të diskutojë për kufijtë e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ky reagim i opozitës vjen pasi presidenti Thaçi kishte dalë publikisht me idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundër kanë dalë opozita e shoqëria civile që ka paralajmëruar protestë kundër Thaçit më 5 shtator të këtij viti.

Kundër korrigjimit të kufijve ka dalë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe disa ministra të BE-së.

Derisa duke komentuar kërkesën e opozitës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme dhe miratimin e rezolutës kundër Thaçit, kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për media  ka thënë se seanca është vetëm edhe një ngjarje tjetër politike.

Haradinaj: Seanca është një ngjarje politike

“Seanca është një ngjarje politike, kemi përvojë me seanca, disa herë unë vet e kam thirr seancën për dialog ose kemi dërguar materie por nuk ka pas ndonjë epilog, nuk ka dhënë ndonjë rezultat që po me vjen keq, sepse ne disa herë i kemi dhënë mundësin parlamentit, mund të ndodhë edhe kësaj here mundësia iu është dhënë parlamentit por e ka vështirë të mbërrijë qëndrime të qarta, pastaj nuk është mitë të dërgojmë një porosi sikur ne po duam ta ndërpremë dialogun, edhe kjo është pak e ndishme për shkak se shumë kryeqytete do të mendonin që ne nuk po duam të ecim në dialog. E vërteta është që ne na intereson dialogu, na intereson një marrëveshje obligative, ligjore për njohje në mes Kosovës dhe Serbisë, por po ashtu është e vërtet se territori dhe kufijtë nuk janë temë negocimi“, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës që ka propozuar rezolutën kundër Thaçit, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat